Kryeministri Edi Rama dha një prononcim për mediat në ditën e dytë të mbledhjes së Komunitetit Politik Evropian që organizohet në Irlandë.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se Bashkimi Evropian ka gabuar në mbylljen e kanaleve të komunikimit me Rusinë, duke e konsideruar si një vendim që nuk i shërben interesave të Unionit.
“Pyetja nuk është kujt mund t’i besojmë, por çfarë është në interesin tonë në BE. Ka qenë një gabim i madh delegimi i diplomacisë te të tjerët dhe fokusimi vetëm te mbështetja ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur një kanal të hapur komunikimi me Rusinë. Na pëlqen ose jo, Rusia është aty dhe nuk do të zhduket. Ndërkohë që mbështesim Ukrainën, duhet edhe të bisedojmë”, tha Rama.
Kryeministri Rama u pyet me interes dhe për projektin që Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, parashikon të bëjë në ishullin e Sazanit. Rama theksoi se ende nuk është arritur një marrëveshje mes palëve dhe se bisedimet po vijojnë.
“Nuk kam asnjë marrëveshje me Kushnerin. Ai është një nga shumë investitorët që kanë shprehur interes për vendin tonë. Bisedimet me grupin e tij të punës vijojnë. Nëse ju pyes se çfarë dini, do të thoni se bëhet fjalë për një ishull në Shqipëri, i cili i është dhënë atij. Nuk ka ende një marrëveshje dhe nuk ka asnjë ishull të shitur apo kërkesë për ta blerë. Është pronë e Shqipërisë dhe do të mbetet e tillë”, tha Rama.
Përmes intervistës Rama foli dhe për aludimet lidhur me organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri që një ditë më parë u shoqërua me pikëpyetje pas publikimit të një artikulli në Politico ku pretendohej se Shqipëria ka propozuar shtyrjen ose zhvillimin e samitit në format virtual, pretendim që u mohua nga ministri Ermal Nufi. Vetë Rama i quajti pretendimet ‘marrëzira’ dhe sqaroi se samiti i NATOs do të mbahet në Tiranë, por ende nuk ka një afat kohor, mbase në 2028-ën.
“Shqipëria është caktuar si vendi pritës i samitit të ardhshëm të NATO-s. Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti. Me siguri jo në vitin 2027 dhe, nëse do të ketë një samit në vitin 2028, ai do të mbahet në Tiranë. Ato që po diskutohen për këtë çështje janë marrëzira”, deklaroi kryeministri.
Rama është pyetur nga gazetarët në Dublin për mundësinë e dorëheqjes, gjatë takimit të Komunitetit Politik Europian.
Në përgjigjen e tij, Rama tha se kjo nuk është një çështje që mund ta vendosin vetëm qytetarët shqiptarë, të cilët, sipas tij, i kanë dhënë një mandat të fortë për ta udhëhequr vendin drejt Bashkimit Europian.
“Kjo nuk është çështje që mund ta vendosni ju, por i takon qytetarëve shqiptarë. Dhe Populli shqiptar më ka dhënë një mandat shumë të fortë për ta udhëhequr vendin drejt Bashkimit Europian. Kjo nuk ka ndodhur 10 vite më parë, po ka ndodhur vitin e shkuar. Pra, ju jeni ndikuar shumë nga gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat që janë përhapur për Shqipërinë”, tha Rama.