
Shqiptarët janë më të pasur, por nuk kanë para as për të nisur blerjen e një shtëpie. Ky është paradoksi që doli nga deklaratat e ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila nga njëra anë foli për zhvillim ekonomik dhe rritje të të ardhurave, ndërsa nga ana tjetër pranoi se familjet shqiptare nuk kanë kursime të mjaftueshme për të paguar as këstin fillestar të një apartamenti.
Gjatë prezantimit të projektligjit për strehimin social në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ibrahimaj e paraqiti rritjen e të ardhurave si një mundësi për zgjerimin e mbështetjes shtetërore.
Por deklaratat e saj nxorën në pah një realitet tjetër: edhe familjet që nuk konsiderohen në nevojë nuk arrijnë të përballojnë blerjen e një banese. Dhe zgjidhja që propozon qeveria nuk është ulja e menjëhershme e çmimeve, por lehtësimi i rrugës drejt një kredie bankare.
“Zhvillimi ekonomik dhe faza e zhvillimit ekonomik në të cilën ne ndodhemi sot na lejon që ne të vijojmë të kujdesemi për shtresat në nevojë, por gjithashtu, nisur nga të ardhurat e shtuara, na krijohet hapësira dhe mundësia që të kujdesemi edhe për ato kategori të cilat nuk konsiderohen në nevojë, por të cilat kanë nevojë për një strehim të përballueshëm”, deklaroi Ibrahimaj.
Por ministrja pranoi gjithashtu se një pjesë e familjeve shqiptare nuk arrijnë të sigurojnë shumën fillestare që kërkojnë bankat për blerjen e një banese.
“Duke mos pasur kursime, i bëhet e pamundur një familjeje shqiptare që të paguajë atë parapagimin që bankat kërkojnë për blerjen e një banese”, deklaroi ajo.
Për këtë problem, projektligji parashikon mekanizma garancie për familjet që kanë mundësi të shlyejnë këstet e kredisë, por nuk plotësojnë kushtet për parapagimin fillestar ose kolateralin e kërkuar nga bankat.
Pra, zgjidhja e propozuar nuk është ulja e menjëhershme e çmimeve të apartamenteve, por lehtësimi i kushteve për t’u financuar me kredi.
Sa u përket çmimeve të banesave, Ibrahimaj premtoi ndërhyrje të tjera ligjore.
“Ky ligj hap rrugën që të bëjmë ndërtime e të kemi konkurrencë në çmimet e ndërtesave. Me ligjet që do të sjellim shpejt në Kuvend do të merren masa që çmimet të reduktohen”, deklaroi ministrja.
Megjithatë, gjatë prezantimit nuk u dha një afat konkret për uljen e çmimeve dhe as një vlerësim se sa mund të ndikojnë masat e paralajmëruara.
Ministrja paraqiti gjithashtu formulën 30-40-30, sipas së cilës 30% e projekteve të reja do të dedikohen për strehimin social, 40% për strehimin e përballueshëm dhe 30% për shitje ose dhënie me qira në tregun e lirë.
“Duam që familjet që përfitojnë nga strehimi social të jenë pjesë e natyrshme e lagjeve dhe qyteteve tona”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas ministres, që prej vitit 2018, rreth 31 mijë familje kanë përfituar nga programet e mbështetjes për strehimin, përmes subvencionimit të qirave, kredive të buta, banesave sociale dhe përmirësimit të kushteve të banimit.
Përfituesit e programeve të reja do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa kuotat do të vendosen nga bordi i Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social.
Ndërkohë, mbeten ende pa përgjigje pyetjet se sa do të kushtojnë banesat e përballueshme, sa familje do të përfitojnë konkretisht dhe kur do të nisin projektet e para.
Për momentin, qytetarëve që nuk kanë kursime për të blerë një apartament u premtohet lehtësim për marrjen e kredisë. Ndërsa për çmimet më të ulëta, do të duhet të presin ligjet e ardhshme të qeverisë.