
Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një lagje të Uashingtonit, vetëm rreth 1.6 kilometra larg Shtëpisë së Bardhë.
Ngjarja ndodhi të enjten në mëngjes, sipas orës lokale, brenda një palestre të vendosur në një kompleks apartamentesh në zonën Logan Circle. Mes të plagosurve, një person ndodhet në gjendje kritike, ndërsa tre të tjerët kanë marrë plagë që nuk u rrezikojnë jetën.
Pas të shtënave, autori i dyshuar u mbyll në një prej apartamenteve të ndërtesës, duke u ‘barrikaduar’ brenda.
Sipas shefit të Policisë Metropolitane, Jefferey Carroll, gjatë përballjes ai qëlloi me armë në drejtim të efektivëve të paktën dy herë, duke hapur zjarr përmes derës së apartamentit.
Negociatorët e policisë kishin vendosur kontakt telefonik me të, por komunikimi u ndërpre, pasi ata dëgjuan një të shtënë. Kur forcat e policisë ndërhynë brenda, e gjetën të dyshuarin të pajetë, me një plagë që dyshohet se ia kishte shkaktuar vetes me armë zjarri.
Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë të gjithë dinamikën e ngjarjes, të përcaktojnë motivin e autorit dhe rrethanat që çuan në përplasjen e dhunshme.
Sipas Carroll, dyshohet se mes personit të armatosur dhe administrimit të kompleksit të apartamenteve kishte pasur një konflikt, por deri tani nuk janë dhënë detaje të tjera.
Kryebashkiakja e Uashingtonit, Muriel Bouser, e cilësoi ngjarjen një akt të pakuptimtë dhune me armë dhe konfirmoi se Shtëpia e Bardhë ishte informuar për incidentin. Dëshmitarët treguan momentet e panikut, pasi fillimisht ishte aktivizuar alarmi i zjarrit dhe më pas kishin dëgjuar të shtënat.
Një banor i ndërtesës tha se pa tymin dhe flakët e armës përpara se të largohej me vrap për t’u strehuar pas një strukture pranë kompleksit. Ndërsa një tjetër dëshmitar, i cili ndodhej në palestër kur nisi sulmi, tregoi se fillimisht kishte menduar se zhurma ishte shkaktuar nga ndonjë incident në palestër, derisa pa një person të plagosur në dysheme.