
Erion Veliaj ka ndërmarrë një sulm të paprecedent politik ndaj Edi Ramës, duke kërkuar hapur largimin e tij nga drejtimi i Partisë Socialiste. Në një fjalim të gjatë drejtuar Asamblesë Kombëtare të PS-së, nga paraburgimi në Fier, kryebashkiaku i Tiranës kërkon aktivizimin e procedurës statutore për një mocion mosbesimi ndaj kryetarit socialist.
Veliaj e cilëson Ramën përgjegjësin kryesor për gjendjen ku ndodhet sot Partia Socialiste, duke deklaruar se modeli i drejtimit të tij ka dobësuar demokracinë e brendshme dhe ka përqendruar vendimmarrjen në duart e një individi.
“Edi Rama ka qenë një reformator i rëndësishëm i Partisë Socialiste. Por unë besoj se sot ai është kthyer në pengesën kryesore për reformimin e saj. Nuk mund të presim që një sistem i përqendruar te vullneti i një individi të korrigjohet vetëm nga vullneti i po atij individi”, shprehet Veliaj.
Sipas tij, socialistët nuk mund të presin ndryshim nga i njëjti model politik që, siç pretendon ai, ka zëvendësuar meritokracinë me besnikërinë personale dhe debatin me bindjen ndaj kryetarit.
“Përgjigjja ime është jo. Pa ndryshimin e kryetarit dhe të modelit të drejtimit që ai përfaqëson, nuk besoj se mund të ketë një reformim të vërtetë të Partisë Socialiste”, thekson Veliaj.
Por ish-aleati i ngushtë i Ramës nuk mjaftohet vetëm me kritikat. Ai i drejtohet Asamblesë me një kërkesë konkrete për të nisur procedurën e mosbesimit ndaj kryetarit të PS-së.
“Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste”, shkruan ai në fjalim.
Veliaj kërkon që organet përgjegjëse të bëjnë të njohura procedurat, afatet dhe mënyrën se si anëtarësia mund të shprehet, duke këmbëngulur se besimi ndaj kryetarit nuk mund të jetë i pakufizuar vetëm për shkak të fitoreve elektorale.
Në përfundim, ai i jep mesazhit të tij një dimension personal, duke vënë në të njëjtin plan edhe veten me Ramën.
“Askush nuk është i pazëvendësueshëm. As unë. As Edi Rama. Askush”, deklaron Veliaj, duke e mbyllur sfidën ndaj kryeministrit me mesazhin se Partia Socialiste është më e madhe se çdo kryetar.