Rama paralajmëron padi për bashkiakët e PS. Kush është emri i parë

11 May 2022, 12:16Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama  paralajmëron padi për bashkiakët e PS. Kush është
Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot kreut të SPAK, Arben Kraja, sipas të cilit hetimet nuk bëhen me deklarata politike por me kallëzime penale.

Pas kërkesës ndaj SPAK për të hetuar Sali Berishën, kryeministri Edi Rama nuk u ndal me kaq dhe paralajmëroi se shumë shpejt në SPAK do të ketë kallëzime penale për zyrtarë të PS dhe kryetarë bashkie, për të cilët tha ai drejtësia duhet të kishte vepruar më parë.

"Do kallëzojmë në SPAK kryebashkiakë socialistë, turpëruan PS. Do kemi kallëzime edhe për figura të PS. Nga njësia anti korrupsion. Do kemi kallëzime në SPAK për kryetar bashkie të PS., Që kanë turpëruar PS dhe duhet ti kishte kapur më para drejtësia. Njësia anti korrupsion nuk bën punën e SPAK”, tha Rama.

Burime për Vox News nga Partia Socialiste bëjnë me dije se i pari që do të kallëzohet është kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli.

Sipas të njëjtit burim janë duke punuar disa institucione njëkohësisht për të dokumentuar shkeljet flagrante që janë bërë në Bashkinë e Vlorës. Një prej tyre është njësia anti korrupsion e drejtuar nga Ulsi Manja, por dhe organe të tjera ligjzbatuese.

Sipas informacioneve, lejet e ndërtimit dhe tenderat janë më problematiket në punën e bashkisë së Vlorës.

Sipas informacioneve që ne kemi Leli po mundohet të përhap opinionin se ka mbështetjen e ambasadorëve, por dhe të zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj që është dhe drejtues politik i qarkut Vlorë.

Rama dhe Leli prej më shumë se një viti kanë një përplasje të hapur. Kryeministri i kërkoi kryebashkiakut të Vlorës që të kandidonte për deputet dhe të linte postin lokal.

Leli e injoroi këtë kërkesë dhe përplasja mes tyre arriti kulmin, saqë tashmë kryeministri “i ka hequr shikimin” atij, term ky që përdoret në kryeministri kur Rama të heq nga planet e bashkëpunimit.

Në Vlorë situata e bashkëpunimit mes drejtuesve është në pozita qesharake. Bashkiaku nuk komunikon me asnjë deputet apo zyrtarë tjetër të PS, duke mbajtur një linjë komunikimi vetëm me Ahmetajn, që gjithashtu është një i mënjanuar nga kryeministri.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video