
Që kur ka prezantuar konceptin e drejtuesit politik të qarkut, Edi Rama e ka pajisur këtë post me një pushtet të madh politik, duke e përfshirë në mënyrë informale në një hallkë të administratës shtetërore.
Detyrat e drejtuesit politik janë koordinimi i strukturave të Partisë Socialiste me institucionet shtetërore, që në rastin e Vlorës, ku si bashkia ashtu edhe pushteti qendror janë në duart e tyre praktikisht duhet ta bëjnë më të thjeshtë këtë detyrë.
Por, çfarë ndodh në Vlorë, ku drejtues politik i qarkut është Arben Ahmetaj. Një panoramë e jep gazetari Ergys Alushi.
“Kam 25 vjet që njoh çdo skutë të çdo institucioni dhe çdo ish drejtues e drejtues aktual institucioni, por nuk ka qenë asnjëherë kështu! Një “moçal” i vërtet institucional! Të gjithë ata që ndodhen brenda këtij ‘moçali” e dinë, por askush nuk e thotë me zë të lartë! Prefekti nuk komunikon me kryetarin e bashkisë! Deputetët nuk komunikojnë me njëri-tjetrin! Këshilli i Bashkisë është braktisur nga kryetari i bashkisë qoftë edhe në aktin e miratimit të buxhetit! Kryetarin e bashkisë e afrojnë dhe e largojnë sipas “lojës” që luhet nga lart! Drejtori i policisë nuk komunikon me shefin e komisariatit! Drejtuesit e institucioneve në pjesën më të madhe nuk komunikojnë me njëri-tjetrin! Vartësit e kanë të ndaluar të komunikojnë me vartësit e “atij tjetrit”!”, shkruan ai.
Intrigat e nxitura nga Arben Ahmetaj duket se po japin rezultatet e tyre dhe e gjithë ‘lufta’ e brendshme brenda PS-së në këtë qark shkarkohet si kosto te shërbimet dhe punët që si rregull institucionet duhet t’u ofrojnë qytetarëve.
“Dhe të mendosh që janë të gjithë emërime e zgjedhje të një Partie! Dhe të mendosh që ka patur shumë më shumë bashkëpunime e komunikime kur në Vlorë kanë qenë në drejtim përfaqësues të Partive kundërshtare! Që nga këshilli i parë pluralist i rrethit! Që nga këshilli i parë pluralist i bashkisë! Që nga koha kur Prefekti dhe Kryetari i bashkisë u përkisnin forcave të ndryshme politike! Sot shteti i Vlorës është në krizë! Krizë komunikimi, bashkëpunimi e qeverisje! I mbledh dhe i bën bashkë vetëm i deleguari kur vjen nga Tirana! Kurrë më parë nuk ka qenë kështu! Çfarë dreqin të jetë e çfarë dreqin të kenë?!”, shkruan më tej Alushi.
“I ka lodhur pushteti? I ka lodhur qëndrimi i gjatë në drejtimin e institucioneve? I kanë teka? Janë të pazëvendësueshëm? Janë më të mirët e nuk ka të tjerë? Janë miqtë e Ramës, të deputetëve, ministrave? Apo nuk kanë se çfarë të japin më, por na janë bërë pajë se nuk i lëviz kush? Apo qëndrojnë aty vetëm e vetëm sepse Partia Socialiste është në pushtet? Ja ky është realiteti i sotëm i Vlorës së Pavarsisë dhe Qeverisë së Pare shqiptare”, mbyll reagimin e tij ai.