Nga provimi i analfabetizmit tek ai i maturës, caktohen datat se kur do të zhvillohen

2 May 2022, 17:28Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Nga provimi i analfabetizmit tek ai i maturës, caktohen datat se kur do

Nxënësit e klasave të pesta do t'i nënshtrohen provimit kombëtar më 23 Maj. Përmes këtij testimi, Ministria e Arsimit do të zbulojë nivelin e analfabetizmit në shkallë vendi. 

Testi, i cili fillon në orën 10:00, do të ketë një kohëzgjatje prej një ore e 30 minutash dhe nxënësit do të paraqiten në shkollë, njësoj si çdo ditë e në përfundim të provimit nuk do të zhvillohet mësim.

Dijet e marra në pesë vitet e para në tri lëndët kyç të formimit të një njeriu: Gjuhë Shqipe, Matematikë e Dituri Natyre, 10 dhe 11- vjeçarët do t’i shpalosin në testin e integruar. 

Për rezultate gjithëpërfshirëse, do të hartohen teste të veçanta për kategori të caktuara. Për shembull, për nxënësit e pakicave kombëtare greke dhe maqedonase, pjesa e testit që përfshin lëndët e Matematikës dhe Diturisë së Natyrës do jetë në gjuhën e tyre amtare. Po ashtu, nxënësit me aftësi të kufizuara, sipas udhëzimit e zhvillojnë vlerësimin e arritjeve në përshtatje me programin mësimor me të cilin punojnë, veçoritë dhe standardin e tyre.

Në këto raste, Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë tërheq testin në qendrën e shërbimeve arsimore, një ditë para zhvillimit të vlerësimit dhe e kthen atë në sistemin e shkrimit brail. Gjithë procesin, nga hartimi i tezave deri në vlerësimin e tyre, është i ngarkuar ta ndjekë Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, e cila duhet të raportojë në MAS për çdo parregullsi.

Rezultatet e testeve merren pas korrigjimit nga vlerësuesit dhe deri më tani nuk janë bërë publike asnjëherë. Ato shërbejnë më tepër për Ministrinë, në hartimin e politikave arsimore. Duke parë boshllëqet që shfaqin nxënësit në disa tematika të caktuara do të mundësojnë ndryshime në kurrikula, aty ku është e nevojshme.

Ministria e Arsimit ka përcaktuar datat e provimeve dhe për klasën e nëntë apo minimaturën, e cila për të parin vit çuditërisht do të mbahet në të njëjtën periudhë me ato të maturës. Pra, nëse sezoni i maturës zgjat nga 9 deri në 24 qershor, për klasën e nëntë sezoni nis në datën 20 e përfundon deri në 29 qershor.

 


Video