Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka akuzuar maxhorancën se po favorizon ish-ministrin Arben Ahmetaj duke pranuar kërkesën e avokatëve të tij për shtyrjen e seancës së Këshillit të Mandateve për ditën e nesërme në orën 16:00.
Bardhi, i cili ishte i pranishëm në mbledhjen që zgjati mbi katër orë, tha se kjo shtyrje bën që autorizimi për arrestimin e Ahmetajt të shtyhet gjithashtu për javën tjetër.
Bardhi akuzoi gjithashtu anëtarët e opozitës se nuk kaluan në votim kërkesën që seanca për heqjen e mandatit të Ahmetajt të kryhej me dyer të hapura.
“Mbledhja filloi me një kërkesë që mbledhja të ishte me dyer të hapura. Ishte një kërkesë apo sugjerim i SPAK që të kryhej me dyer të mbyllura. Maxhoranca e mori vendimin pa votim të këshillit dhe mbledhja vijoi me dyer të mbyllura. Nuk kishte informacione të tjera shtesë, ashtu siç u paralajmërua, për t’i dhënë kohë avokatëve të Ahmetajt, të cilët e kishin bindje që ai nuk ka ikur për t’u arratisur.
Në një tentativë të paligjshme të maxhorancës u vendos shyrja, duke bërë shtyrjen e autorizimit javën që vjen. Kishte edhe dy pyetje teknike, nëse ka patur SPAK presion nga pushteti, të dyja këto çështje s’kanë lidhje me atë që ishte mbledhur Këshilli i Rregullores. Ahmetaj duhet të ishte në burg që në 2020-ën.
Ka marrë tre vite kohë, ka qenë një hetim i thelluar që është shtrirë dhe në pasurinë e tij, iu përgëzoj. Sepse ky është një standard që do duhej të aplikohej ndaj çdo zyrtari publik”, deklaroi Bardhi në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Mandateve.