Do të zhvillohet nesër në orën 12:00 seanca e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për dhënien e mandatit të deputetit, Arkend Ballës.
Ky i fundit pritet të marrë mandatin e lënë nga ish-deputeti i Krujës, Rrahman Rraja.
KQZ njofton se lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë, qarku Durrës, i plotëson të gjitha kriteret e përcaktuara në nenin 67 të Kodit Zgjedhor, duke përfshirë dhe kriterin e gjinisë.
Zëvendësimi i vakancës do të bëhet në mbështetje të nenit 164 pika 2, të Kodit Zgjedhor si dhe vendimit nr.408, datë 23.06.2021, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në të cilin është miratuar rirenditja e kandidatëve, të cilët nuk kanë përfituar mandat në bazë të numrit të votave parapëlqyese
“Sipas këtij vendimi, rezulton se kandidatit të cilit i kalon mandati i deputetit, është kandidati me numër rendor 10 Arkend Bashkim Balla”, njofton KQZ, duke bërë me dije se Balla i plotëson të gjitha kriteret për të marrë mandatin e deputetit.
Kujtojmë se Rraja dha dorëheqjen nga posti i deputetit dhe u largua nga politika pas video-skandalit të publikuar në media ku vëllai dhe djali i tij dhunuan brutalisht dy vëllezërit e fisit Maja për shkak të konfliktit për dëmet e shkaktuara nga gurorja e Rrajave në Borizanë të Krujës.