Prokurori i Posaçëm, Klodian Braho u dorëhoq nga pjesa e dosjes së inceneratorëve pasi në publik rrodhën provat që e akuzonin se me veprimet proceduriale dhe mbledhjen e provave u përpoq të mos përfshinte në hetime Arben Ahmetajn.
Emri i Ahmetajt aktualisht përfshihet në dosjen 277 fraksion 1, që pas dorëheqjes së Brahos u mor në dorëzim nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorja tjetër e posaçme, Enkeleda Millonai.
Braho u akuzua se nuk mori si prova faturat me pagesat e hoteleve të Arben Ahmetajt nga ana e Klodian Zotos, edhe pse ato ndodheshin në të njëjtat pajisje elektronike që iu sekuestruan këtij të fundit.
Dumani e përfshiu si indicie, madje e çoi edhe më tej hetimin duke sekuestruar edhe një telefon të ish-ministrit. Por, nëse në veprimet proceduriale kreu i SPAK bëri të gjitha ato që vartësi i tij Klodian Braho nuk i bëri, në përmbajtje as Dumani nuk ndryshon shumë në pjesën tjetër të dosjes.
Në të njëjtën dosje, edhe kreu i SPAK, një njohës i mirë i ligjit flet ashtu si Klodian Braho për “pronar faktik” një terminologji që nuk ekziston në ligjin shqiptar.
Gjithashtu, bashkimi i dosjes hetimore të Ahmetajt në dosjen 277 fraksion 1 të çështjes së inceneratorëve së pari shërben si mbulesë për shkeljet dhe devijimin e hetimeve nga ana e Klodian Brahos dhe së dyti si amortizues për akuzat e ngritura ndaj Ahmetajt, të paktën në syrin e publikut.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.