Kush po e orienton informacionin vetëm te raporti Mërtiri-Ahmetaj? Si po fshihen oligarkët e tjerë nga dosja e ish-zëvendëskryeministrit

11 July 2023, 14:33Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kush po e orienton informacionin vetëm te raporti Mërtiri-Ahmetaj? Si
Në foto: Mirel Mërtiri, Arben Ahmetaj dhe prokurori, Klodian Braho

Prej gati 24 orësh publiku po bombardohet me informacione që mediat kanë siguruar nga dosja që SPAK ka dorëzuar në Kuvend bashkë me kërkesën për arrestimin e Arben Ahmetajt.

E përbashkëta e të gjithë artikujve, ku herë shiten si ekskluzivë dhe herë me tituj ‘detaje të reja…’ është se rrotullohen që të gjitha rreth lidhjeve të Arben Ahmetajt me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, dy të akuzuar në çështjen e inceneratorëve.

Lidhjet e Ahmetajt me Zoton e Mërtirin është vetëm maja e ajsbergut në dosjen prej 320 faqesh që SPAK ka dorëzuar në Kuvend dhe për më tepër është e ditur botërisht prej kohësh.

Miqësia Mërtiri-Ahmetaj është e ditur dhe detajet për takimet mes tyre, pushimet dhe aksidentet janë të njohura dhe publike në tryezat e Tiranës.

Por, pse rikthehet sërish për publikun me dhjetra artikuj e kronika kjo lidhje? Arsyeja mund të jetë një përpjekje e organizuar për të fshehur fijet e trasha të lidhjes së Arben Ahmetajt me oligarkët.

Në transaksionet fiktive që citojnë mediat duke iu referuar dosjes së SPAK, Ahmetaj thuhet se i ka përfituar këto pagesa nga Zoto e Mërtiri dhe anashkalohet detaji kryesor.

Artikujt lënë pa përgjigje se ku i ka pastruar paratë e korrupsionit Arben Ahmetaj edhe pse në të njëjtën dosje, pastrimi i parave citohet në sektorin e ndërtimit përmes blerjes së vilave, apo apartamenteve.

Kjo do të thotë se në pastrimin e parave Arben Ahmetaj është ndihmuar nga shitësit. Kush janë shitësit? Sipas dosjes së SPAK, vila në Hamallaj është blerë nga kompania Mane TCI, në pronësi të Samir Manes, ndërsa transaksione të tjera ish-ministri ka edhe me Shefqet Kastratin.

E thënë më thjesht, dosja provon se Arben Ahmetaj ka qenë një klient i rregullt i oligarkëve. Këta të fundit duket se janë vënë në lëvizje përmes sponsorizimit të artikujve nëpër portale, kronika e studio televizive sikur ‘nuk e mbrojnë Arben Ahmetajn’.

Në të vërtetë, mbrojtja po realizohet nën rrogoz përmes orientimit të artikujve vetëm te marrëdhënia e Arben Ahmetajt me inceneratorët, duke anashkaluar faktin se në akuzën e pastrimit të parave, akuza më e rëndë ndaj ish-ministrit e që dënohet deri në 15 vite burg, bashkëpunëtorët e tij nuk janë pronarët e inceneratorëve, por oligarkët.

Dora e gjatë e oligarkëve mund të jetë shtrirë deri te SPAK, përmes orientimit të hetimeve nga prokurori Klodian Braho, që u dorëhoq nga dosja 277 fraksion 1, por vetëm pasi zvarriti për muaj me radhë përfshirjen në dosje të Arben Ahmetajt dhe kërkesën për arrestimin e tij.

E njëjta dorë mund të orientojë edhe detajet që përzgjidhen të bëhen publike sot nga dosja që SPAK ka dorëzuar në Kuvend, ndërsa është rikthyer në kujtesë të publikut edhe dosja ‘Buka’, dosja e privatizimit të pronave shtetërore ku Arben Ahmetaj është protagonist.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video