“Përplasje titanësh” për 35.7 mln euro të rrugës Fier–Ballsh, “Gjoka” fiton ndaj “Salillarit” me ofertë 4 mln euro më shumë!

29 Nëntor 2024, 17:28Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gentian Gjyli

Drejtorë të rinj, por avaze të vjetra. Megjithëse në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar ka ardhur një “djalë shtëpie”, ku Gentian Gjyli ngriti shkallët e karrierës nga punonjës i thjeshtë, përgjegjës, zv.drejtor dhe tashmë drejtor, sërish tenderët e këtij institucioni janë shumë të dyshimtë, ku buxheti i shtetit vijon të “vidhet në çdo kohë e stinë”. Para disa ditësh, Gjyli firmosi fituesit e tenderëve të rrugës Elbasan – Lekaj, ku diferenca mes ofertave fituese dhe atyre më vlerat më të ulta ishte plot 9 milionë euro. Ndërkohë, në një hark të shkurtër kohor, Gjyli ka firmosur edhe tenderin e rikonstruksionit të rrugës Fier-Patos-Ballsh-Frataj, i cili ka pasur një vlerë 35.7 milionë euro. Në këtë procedurë janë “përplasur” dy firma të mëdha, nga ato që ndërtojnë rrugë dhe kanë fituar edhe koncesione, shumë afër qeverisë. Firma “Gjoka” fitoi këtë procedurë përballë firmës “Salillari”, megjithëse kishte një ofertë rreth 4 milionë euro më të lartë.

“Përplasje titanësh” për 35.7 mln euro të
Faksimile: Njoftimi i ARRSH-së që shpall fituese firmën “Gjoka” për rikonstruksionin e rrugës Fier-Patos-Ballsh-Frataj

“Përplasje titanësh” për 35.7 mln euro të“Përplasje titanësh” për 35.7 mln euro të

VoxNews shfletoi dokumentet e këtij tenderi, ku rezuloi se në datën 4 tetor 2024, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi procedurën e tenderit me objekt “rehabilitimi i rrugës Fier - Kthesa e Patosit - Frataj”, me një fond limit 3.539.442.107 lekë, pa TVSH, ose në euro 35.795.328 euro. Kohëzgjatja e punës është 24 muaj, pra 2 vite. Kriteret e përzgjedhjes së fituesit ishte çmimi që vlerësohej me 50 pikë, grafiku i punimeve me 15 pikë, stafi me 15 pikë, propozimet me 10 pikë e kështu me radhë.

Pa dashur të mbajmë anë në këtë proces, VoxNews ka analizuar dokumentet ku rezulton se ofertën më të ulët e ka dhënë firma “Salillari” me një vlerë prej 2.937.000.000 lekë. Oferta e dytë me e ulët ka qenë ajo e firmës “Gjoka Konstruksion” me vlerë 3.326.482.646 lekë, e cila është shpallur edhe fituese nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Nga një krahasim i thjeshtë, rezulton se diferenca mes ofertës më të ulët dhe asaj fituese është plot 389.482,646 lekë, ose rreth 4 milionë euro.

Në këtë dokument, ARRSH shkruan se firma “Salillari” është skualifikuar pasi nuk ka arritur të paraqesë dokumentacion të plotë dhe të saktë për të dëshmuar plotësimin e të gjithë kritereve të kërkuara në DST. Sipas tyre, s’ka pasur “staf mbështetës” pasi stafi i deklaruar në shtojcën 8 është i angazhuar në një punë tjetër. A ka qenë një “skemë” kjo e ARRSH-së, pasi duke shpallur fituese këtë firmë në një tender tjetër, e ka skualifikuar nga gara për 35.7 milionë euro?! Kjo mbetet për t’u verifikuar nga organe të tjera, por ajo më e dukshmja është se me një të rënë të lapsit shteti humb rreth 4 milionë euro. Me kaq para’ mund të bëhej shumëçka.

“Përplasje titanësh” për 35.7 mln euro të
Faksimile: Dokumentet shoqëruese të tenderit, ku disa muaj para zgjedhjeve qeveria kujtohet të rikonstruktojë rrugën nga Fieri në Ballsh

Në dokumentet shoqëruese, thuhet se aksi rrugor në studim është Fier – Kthesa e Patosit – Ballsh – Fratar. “Ky aks rrugor ndodhen në gjendje tejet të amortizuar, prej vitesh në to nuk janë kryer investime me gjithë shqetësimin e vazhdueshëm të banorëve si dhe trajtimin e këtij problemi në media. Në këto rrugë vlen të theksohet cedimet e shumta dhe valëzime e tabanit të rrugës. Si pasoj e zhvillimeve demografike të ndodhura në këto 20 vitet e fundit, kjo rrugë në disa pjesë të saj kalon në qendrat e banuara rritja e të cilave në numër popullsie dhe mungesa e investimeve, në rrugë, ka çuar njëkohësisht edhe në rritjen e numrit të aksidenteve rrugore” shkruan Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Por, investimi i mirëpritur për banorët apo përdoruesit e tjerë, ka ardhur vetëm disa muaj para zgjedhjeve. Kjo me qëllim që t’u mbyllet goja banorëve se “po u bëjë rrugën”. Normalisht, të tilla premtime si rrugë, ujë, drita kanë 33 vite që bëhen në Shqipëri dhe me këto ritme s’kanë për të mbaruar ndonjëherë. Me këto para’ do të bëhet rikonstruksioni i rrugës ekzistuese, stabilizimi i rrëshqitjeve dhe përforcimi në disa pjesë i tabanit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video