Ish-kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani, ka fituar një “koncesion” për të marrë 125 hektarë sipërfaqe deti.
Pas shpalljes së ankandit disa javë më parë, ku ministria e Bujqësisë nxori “në shitje” plot 4.012.000 metër katrorë sipërfaqe ujore, ka filluar edhe ndarja “e tortës”.
Ashtu siç pritej, fitues do të dilnin eksponentë të lidhur fort me mazhorancën.
Dhe ndër ta është edhe Babani, i cili ka disa biznese në disa qytete të Shqipërisë, ndërkohë që ka qenë kryetar bashkie nga Partia Socialiste.
Ai nuk kandidoi në zgjedhjet e fundit lokale, duke ia lënë stafetën zv.kryetarit të tij, Kristian Shkreli, i mbështetur fortë nga Partia Social Demokrate e Tom Doshit.
Por, partia s’e ka lënë pa gjë Babanin, duke e favorizuar në biznes, duke i dhënë në përdorim një sipërfaqe të madhe ujore në Lezhë.
Disa javë më parë, VoxNews publikoi një investigim (“Shqipëria në shitje”/ Pas maleve, fushave dhe bregdetit, dalin në ankand 4 milionë m2 sipërfaqe detare!) për “shitjen e detit”.
Me një vendim të dyshimtë, mbi 4 milionë m2 sipërfaqe ujore do t’i kalonin privatit, ndërkohë që kanë dalë edhe fituesit e parë.
Redaksia jonë vijoi të ndjekë këto procedura, ku Ministria e Bujqësisë ka shpallur fituesit në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Njoftimi i mësipërm është fituesi i zonës nr.2, me një sipërfaqe totale prej 125 hektarësh.
“Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një vendim me numër 166, i datës 13.11.2024 për fituesin e sipërfaqes ujore, bazuar në disa vendime të pikësimit për të gjitha kategoritë ujore në ujërat e brendshme, format e tjera të peshkimit në det pa përdorimin e mjeteve lundruese dhe zhvillimin e akuakulturës në sipërfaqe publike tokësore dhe ujore, për procedurën e konkurrimit publik. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural shpall rezultatet e konkurrimit publik të zhvilluar më datë 9.10.2024, për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës për rritje midhjesh
në det, kategoria 02 e ZPA-së për molusqet bivalvore në Zonën e Përcaktuar për Akuakulturë (ZPA), në zonën bregdetare Lezhë si vijon: ZPA_LEZ_S02_01, ku fitues doli dashkimi i operatorëve ‘Lissus Adria’ shpk dhe ‘Mare Adriatik’ shpk. Bëhet fjalë për akuakulturë rritje molusqesh në ujëra detare, ku fituesi ka marrë 83 pikë” thuhet në këtë dokument.
Por, në njoftim nuk jepen të dhëna të tjera se cila firmë ka marrë pjesë dhe sa pikë ka marrë. Por, vetëm një njoftim i beftë.
VoxNews bëri një hulumtim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku rezulton se përfituesi kryesor i këtij ankandi është Mark Babani.
Në dokumentet e mësipërme rezulton se Babani është pronar me 100 % të firmës “Mare Adriatik”, kompani e themeluar në vitin 2003 dhe ka si adresë zonën e Vaut të Dejës.
Firma ka si objekt përpunim dhe konservim i të gjitha llojeve të peshkut si dhe import exporti i tyre, etj.
Ndërkohë, Babani figuron edhe aksioner me 45 % të firmës “Lissus Adria”, e cila ka qenë një nga dy firmat që mori pjesë në ankand për sipërfaqen ujore. Edhe kjo kompani ka si objekt kultivimi i midhjeve dhe produkteve të akuakulturës etj.
Ashtu siç ka ndodhur edhe për dhënien e bregdetit, trojeve, maleve, edhe deti po u kalon njerëzve të lidhur fort me pushtetin. Madje për një kohë shumë të gjatë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.