Foto dhe video ekskluzive/ Mbetjet toksike të KURUM-it në ambient të hapur në Portin e Durrësit!

14 Nëntor 2024, 20:42Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kontenierët me mbetje toksike të lëna në ambient të hapur në territorin e Portit të Durrësit

Skandali i mbetjeve toksike që “udhëtuan” në gjithë botën para se të rivinin në Shqipëri pritet të marrë përmasa akoma më të mëdha, për shkak se firma që i prodhonte këto mbetje “KURUM” e ka bërë për shumë vite, madje me dijeninë e autoriteteve policore, portuale dhe doganore.

Të gjitha institucionet kanë heshtur para këtij skandali, pasi mbetjet transportoheshin në Portin e Durrësit me kamionë të mëdhenj, të pa magazinuar, dhe pa asnjë shenjë që janë toksike.

Por, jo vetëm kaq! Mbetjet hidheshin në ambient të hapur në territorin e Portit të Durrësit, pa asnjë masë dhe liheshin për disa javë e muaj, në pritje që të mblidhej sasia e duhur për t’u eksportuar nga firma “Sokolaj”. Sërish, mbetjet në ambient të hapur, në të gjitha kushtet atmosferike, në erë e shi, në diell e ftohtë.

VoxNews ka siguruar ekskluzivisht foto dhe video të këtyre mbetjeve, të lëna në ambient të hapur në territorin lindor të Portit të Durrësit. Madje, hidheshin kuturu parase të ngarkoheshin në kontenierë, për t’u eksportuar më pas në anije në vende të ndryshme të botës.

Foto dhe video ekskluzive/ Mbetjet toksike të KURUM-it në ambient
Në foto: Kontenierët me mbetje toksike të lëna në ambient të hapur në territorin e Portit të Durrësit

Foto e mësipërme është bërë disa muaj më parë, në territorin e Portit të Durrësit. Në këtë foto duket makina e sigurisë së KURUM-it, duke shoqëruar kamionët në terminalin lindor të Portit të Durrësit. Disa punëtorë të kompanisë KURUM i kanë shkruar redaksisë së VoxNews, pas shqetësimit se edhe ata mund të jenë të kontaminuar nga këto mbetje toksike.

“Nëse kanë qenë toksike, përse nuk na e kanë thënë?! Transportin e mbetjeve e kemi bërë prej vitesh. Lënda lihej në ambient të hapur. Ja shikoni sesi mbusheshin kontenierët me mbetje toksike, në Portin e Durrësit. Nga fabrika e KURUM-it në Elbasan transportoheshin me kamionë të tonazhit të lartë në kalatën lindore të portit. Ajo foristrada është e sigurisë së KURUM-it, që është e parkuar aty te kontenierët”, shkruajnë punëtorët.

Në video: Kamioni i KURUM-it duke shkarkuar lëndën toksike në territor të hapur në Portin e Durrësit

Video e mësipërme është bërë në fund të vitit 2022, ku duket një kamion i tonazhit të rëndë duke shkarkuar këto mbetje në kalatën lindore të Portit të Durrësit.

“Transporti i mbetjeve toksike nga Elbasani për në Portin e Durrësit bëhej nga kamionë me kazanë vetëshkarkues që ka vetë kompania Kurum. Kjo kompania ka rreth 20 kamionë, por në disa raste merrte edhe kamione të firmave të tjera si ‘D... Trans’”, thanë punëtorët.

Sipas tyre, në disa raste të tjera merrte kamionë edhe të firmave të tjera, por të shumtët i kishte vetë, ata që transportonte edhe hekurin.


Në video: Kontenierët mbusheshin në Durrës dhe më pas eksportoheshin në vende të tjera

VoxNews ka siguruar në mënyrë ekskluzive edhe foto dhe video të këtyre mbetjeve në Portin e Durrësit. Video e mësipërme, sipas punëtorëve, është bërë në muajin dhjetor 2022.

“Në këtë mënyrë kanë ikur vazhdimisht këto mbetjet. Më pas i merrte firma ‘Sokolaj’ nga Tropoja, se ajo i merrte gjithmonë. Pasi liheshin për një kohë të gjatë këto mbetje në terren të hapur, mbusheshin më pas kontenierët dhe dërgonin nga 2000 ton deri në 5000 ton në vit. Kaq mbetje dilnin gjithsej në vit”, pohojnë punëtorët.

Fotot dhe videot tregojnë një tjetër realitet, ku KURUM-i vepronte hapur për të eksportuar këto mbetje. Madje, i linte në terren të hapur, në syrin e autoriteteve portuale, atyre policore dhe doganore. Hetimet e tanishme të Prokurorisë së Durrësit mund të zbulojnë edhe këto detaje, ku pritet që skandali të shtrihet edhe te autoritetet shtetërore.

Deri më tani asnjë organ ligjzbatues nuk e ka hetuar KURUM-in, pasi edhe skandali i kontrabandës së solarit, i denoncuar nga VoxNews, ka kaluar në heshtje. Sërish asnjë verifikim dhe jo më hetim, ku të gjithë institucionet, ato mjedisore, doganore apo të drejtësisë, nuk kanë vepruar. Nëse do të veprojnë tani, koha do e tregojë!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video