
Qeveria ka rishpallur zyrtarisht koncesionin e shumë debatuar të rrugës, Milot-Balldren.
Një njoftim i beftë në Agjencinë e Prokurimit Publik lajmëron nismën e Ministrisë së Infrastrukturës, e drejtuar nga zv.kryeministrja, Belinda Balluku.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, procedurat janë hedhur në APP dhe në javët në vijim do të priten oferta nga firmat e interesuara.
Por, ajo që bie në sy është se i gjithë segmenti me një gjatësi prej 17.2 kilometrash do të jetë me pagesë.
Rruga është një zgjatim i aksit Kashar-Thumanë, ku koncesionari po bëhet gati të vjelë taksën, pas dështimit të tentativës së parë.
Por këto dy akse nuk janë të vetmet me pagesë, pasi taksë ka edhe Rruga e Kombit.
Dokumenti i mësipërm është njoftimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik ditët e fundit.
Ai ka një objekt të procedurës së prokurimit, “Për dhënien me koncension të segmentit rrugor Milot-Balldre”.
Në fakt, në këtë dokument të shkurtër shkruhet se “fondi limit është 0.00 lekë”.
Pra, një rrugë që do të ndërtohet tërësisht nga fondet e firmave private, por që këta të fundit do t’i marrin duke vendosur edhe një taksë për përdoruesit.
Një skemë e ngjashme me Kashar-Thumanë, madje privatët edhe nëse nuk plotësohen nga taksat fitimet i kanë të garantuara.
Mësohet se koha e zhvillimit të tenderit është në muajin dhjetor, muaj kur hapen procedurat më të mëdha të rrugëve në Shqipëri, si për të kurorëzuar “sukseset” e qeverisë, në dhënien e koncesioneve të shumë debatuar.
Në dokument shkruhet se bëhet fjalë për ndërtime, themele dhe punime terreni për autostrada.
Në vitin 2018, qeveria hapi për herë të parë tenderin për koncesionin e rrugës Milot-Balldre.
Segmenti ka një gjatësi prej 17.2 kilometër i gjatë dhe fillimisht kishte një kosto ndërtimi 161.5 milionë euro.
Edhe në atë kohë, vepra do të ndërtohej me fondet e kompanive private dhe më pas qeveria do e paguante atë me këste për 13 vite.
Rruga shtrihet përgjatë aksit ekzistues që lidh Milotin me qytetin e Lezhës.
Më pas ajo devijon si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren, ku lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës.
Në atë kohë, projekti u iniciua pas një propozimi të pakërkuar të kompanisë A.N.K dhe në tetor 2018, firma fitoi procedurën konkurruese për këtë koncesion.
Vlera e ndërtimit dhe mirëmbajtjes ishte 161.5 milionë euro. Por, pas një rinegocimi pa garë, vlera e kontratës u rrit në 213 mln euro pa TVSH, ose 256 mln euro me TVSH, për një gjatësi prej 17.2 km.
Pas shpalljes së fituesit, pati debate në lidhje me kapacitetet e firmës fituese për ta ndërtuar.
Në muajin dhjetor të vitit 2019, ish zv/kryeministri Erion Braçe deklaroi se ky koncesion është anuluar, pasi “kompania nuk iu përgjigj dot kontratës”.
“A e dini sa janë të gjitha këto që po bërtet opozita? Fatura për PPP është 8.2 miliardë lekë në vit. Për çfarë po bëhet zhurma? Milot-Balldre nuk do të bëhet! Kompania nuk i përgjigjet dot kontratës. Pse e stisin për çfarë po e thonë tani? Kemi deklaruar prej 1 muaji që kjo s’do bëhet…pse po bërtasin për Milot-Balldre”, tha Braçe.
Ndërkohë, aktualisht qeveria e rihapi këtë procedurë me një tjetër formulë, pa mbështetje buxhetore dhe kompania do e ndërtojë rrugën me paratë e veta dhe do të fitojë të ardhura nga tarifa e kalimit.
Pra, do të jetë rrugë me pagesë!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.