Rindërtimi përfundoi në duart e njerëzve që kanë probleme me ligjin

28 Tetor 2024, 12:04Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rindërtimi (foto ilustruese)

Ligji për Prokurimin Publik e ndalon që t`iu jepen tenderë kompanive, të cilat kanë pronarë apo administratorë të dënuar, por të dhënat e siguruara nga INA Media tregojnë se nga Rindërtimi kanë përfituar edhe kompani me pronarë të dënuar ose nën hetim, nga trafiku i lëndëve narkotike, evazioni fiskal e deri te korrupsioni i zyrtarëve të lartë.

Në fund të gushtit të vitit 2024, kryebashkiaku, Erion Veliaj, njoftoi hedhjen e shortit të dytë për përfitues të banesave te zona e 5 Majit me anë të një videoje, ku ai shfaqej si personazhi i famshëm spiderman.

“Nuk kishte nga të futej ndryshe, pasi hyrja e pallatit është e zënë nga inertet e shembjeve që në vitin 2021 dhe 2022. Të futej si spiderman-i ishte e vetmja mënyrë për të hyrë te pallati dhe të mos e tregonte situatën”, – thotë një banor në kushtet e anonimatit, pasi pret që të hidhet shorti për ndarjen e banesave.

Megjithatë, ai ka pak shpresa se shorti do të hidhet vërtet, por e lidh këtë dalje me skadimin e afateve që kanë banorët për ta kundërshtuar në gjykatë mënyrën se si u prishën shtëpitë për t`i hapur rrugë njërës prej zonave të reja të rindërtimit në Tiranë.

“Shortin po e përdor politika, që banorët të mos e çojnë çështjen në gjykatë, pasi më 21 shtator skadon afati. Nga 220 banesa të shembura, vetëm 15-20 persona i janë drejtuar gjykatës, shumica ngurojnë, se iu kanë premtuar shtëpi në shortin e radhës, por deri më tani asnjë nga banorët e 5 Majit nuk ka përfituar”, – thotë ai.

E pagëzuar me emrin Tirana River Side, 5 Maji u shpall zonë e re, ndërtimore nga qeveria shqiptare pas tërmetit të vitit 2019.

Ndërsa institucionet mburren me cilësinë e ndërtimit, të dhënat e grumbulluara nga INA Media dëshmojnë se ato u ndërtuan nga kompani që kanë probleme me ligjin.

Në krye të listës qëndron Alesio 2014, me pronar Anton Gjinajn, i cili ka marrë një dënim të formës së prerë nga gjykata spanjolle. Ai ka përfituar 3 tenderë si bashkim operatorësh në Tiranë, te 5 Maji, me vlerë 12.5 milionë euro, ndërsa ka firmosur kontrata të majme edhe me bashkitë e Krujës dhe të Lezhës; por Alesio 2014 nuk është e vetmja kompani me probleme me ligjin, që ka përfituar nga procesi i rindërtimit. Një sërë vendimesh të gjykatave dhe të dhëna zyrtare, të hulumtuara nga INA Media tregojnë se të paktën 9 kompani, që rezultojnë me rekorde kriminale, janë përfitueset më të mëdha të projekteve të rindërtimit.

Në total, mbi 170 milionë euro* nga fondi i rindërtimit kanë përfunduar te kompani, pronarët e të cilave kanë pasur probleme me ligjin, duke filluar nga pjesëmarrja në organizata kriminale, deri te korrupsioni i zyrtarëve të lartë.

Zbulimi i rekordeve kriminale të pronarit të kompanisë Alesio 2014, por edhe të kompanive të tjera duket se “favorizohen” nga ligji.

Sipas ekspertes ligjore, Elvana Tivari, Ligji i Prokurimeve Publike dhe akti normativ i qeverisë nuk parashikojnë asnjë ndalesë për vijimin e zhvillimit të kontratave publike, edhe pse pronarët e kompanive mund të dënohen nga gjykata.

“Kur dënimi i formës së prerë për këto vepra penale ndodh, pasi kontrata është dhënë dhe është duke u zbatuar, as Ligji i Prokurimeve Publike dhe as Akti Normativ i Rindërtimit nuk kanë parashikuar mundësinë e ndërprerjes së kontratës në rrethana të tilla”, – thotë Tivari, juriste e specializuar në kontratat publike.

I parashikuar të kushtojë 1.15 miliardë euro, deri më tani rindërtimi i ka kushtuar buxhetit të shtetit 900 milionë euro, por ai parashikohet të zgjasë së paku edhe 4 vite të tjera.

Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, më 16 dhjetor 2019 qeveria miratoi një akt normativ, nëpërmjet të cilit vendosi që procesi i prokurimit publik të zhvillohej me procedurë të kufizuar.

Kur po mbushet viti i 5-të i shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe i miratimit të aktit normativ, institucionet shqiptare vazhdojnë ende t`i prokurojnë paratë publike me emergjencë, pa hapur garë, si dhe me procedura të kufizuara.

Qeveria vazhdon që ta konsiderojë veten në emergjencë ekstreme dhe jo në një emergjencë të moderuar apo në një situatë normale, duke aplikuar një ligj special për prokurimet.

“Mendoj që është një program i keqmenaxhuar, që krijoi korrupsion me paratë publike”, – thotë Aranita Brahaj, drejtoreshë e AIS.

“Kriminelët” e fondeve të rindërtimit
Me një investim të parashikuar prej 75 milionë eurosh dhe procedura të dyshimta, për 3 muaj (në prill 2020), Bashkia e Tiranës miratoi planin e detyruar, vendor për zonën e 5 Majit. Përdori forcat bashkiake dhe Policinë e Shtetit për shembjen e rreth 430 shtëpive dhe hapi 580 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimore.

Projekti parashikon ndërtimin e 51 godinave banimi me 3.500 apartamente për strehimin e 11 mijë familjeve, mes tyre edhe ato që u prekën nga tërmeti. Po me ritme kaq të shpejta nisi edhe procedura e prokurimit. Gjatë muajit gusht brenda një dite u shpall hapja e procedurave të tenderëve dhe dhjetë ditë më vonë u shpallën dhe fituesit.

Pikërisht në këto ditë të ethshme tenderësh u përzgjodh si fituese nga Bashkia e Tiranës edhe kompania Alesio 2014, me pronar Anton Gjinajn, i dënuar nga gjykata spanjolle për trafik të narkotikëve.

Kjo kompani, së bashku me Nova Construction 2012, do të ndërtojë 2 nga 51 pallatet, pikërisht godinat A15, seksioni 1 dhe A15, seksioni 2, me një fond prej 852 milionë lekësh (8.5 milionë euro).

Asokohe, pronari i kësaj kompanie, Anton Gjinaj, njihej si biznesmen i fuqishëm ndërtimi, por dokumentet tregojnë se që në vitin 2010 ai rezultonte në rekordet e Policisë së Shtetit. Në Spanjë ai ishte i dënuar me tetë vite e nëntë muaj burg për trafikimin e 50 kg heroinë, ndërsa në Shqipëri për shkak të ndryshimit të emrit në Pashkë Gjinaj gëzonte statusin e biznesmenit.

Pak muaj pas nënshkrimit të kontratave me Bashkinë e Tiranës ai u arrestua në prill të vitit 2021 për llogari të Interpol Madrid.

3 muaj pas arrestimit, në qershor të vitit 2021, Bashkia e Tiranës lidhi një tjetër kontratë me këtë kompani si pjesë e konsorciumit Inerti sh.p.k., Alesio 2014 dhe Ferro Beton & Construction Co, me një fond prej 409 milionë lekësh për infrastrukturën e brendshme të zonës së 5 Majit. Vetëm nga Bashkia e Tiranës kjo kompani përfitoi si pjesë e konsorciumeve 12.5 milionë euro pará të rindërtimit.

Në korrik të vitit 2022, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestrimin e 23 pronave të regjistruara në pronësi të Anton Gjinit, përfshirë dhe kompaninë Alesio 2014.

Prokuroria thotë se nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar për sa i përket pasurive të shtetasit Anton (Pashuk) Gjinaj (Gjini) dhe familjarëve të tij, “dyshohet t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij, kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe në Spanjë”.

E ndërsa Gjini përballej me drejtësinë, godinat në lagjen 5 Maji kanë përfunduar punimet në karabiná, ndërkohë që agjentët mobiliarë i thanë INA Medias se aktualisht apartamentet aty shiten me 1.400 euro m2. Por, në të njëjtën kohë, banorët e zonës dyshojnë se mund të shiten, pasi, sipas tyre, edhe ata, që i kanë përfituar me short nga bashkia, nuk kanë ende tituj pronësie; megjithatë thonë se mund t`i përfitosh për strehim social.

“Për të blerë mos u lodh kot, se do të të mashtrojnë. Ne ka dy vite që jemi futur me short nga bashkia dhe nuk pranon që të na e kalojë pronësinë në emrin tonë. Por, nëse gjen rrugët e duhura te bashkia, mund të paguash ca pará nën dorë dhe e merr si banesë sociale”, – thotë një banore e strehuar aty, pasi pallati i tyre u dëmtua nga tërmeti.

Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese për koment në lidhje me “fatin” e pallateve të ndërtuara nga Alesio 2014, por Agjencia e Sekuestrimit të Pasurive të Krimit thotë se “janë në pronësi të autoritetit kontraktor”.

Projektet te 5 Maji nuk janë kontratat e vetme që kompania ka përfituar nga fondi i rindërtimit.

Alesio 2014 ka përfituar edhe dy kontrata të tjera nga bashkitë e Lezhës dhe të Krujës me vlerë rreth 2.9 milionë euro për procesin e rindërtimit. Por, edhe pse në burg dhe po vuan dënimin për llogari të drejtësisë spanjolle, Gjini ka vijuar që të përfitojë pagesa nga fondet publike. Edhe pas vënies nën sekuestro nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të pasurive të tij në korrik të vitit 2022, referuar të dhënave të Open Data, Alesio 2014 ka përfituar rreth 53 milionë lekë pagesa nga Thesari i Shtetit.

Sipas Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, që e administron këtë pronë që prej vitit 2022, “bëhet fjalë për garancitë e punimeve për kontratat e mëparshme”.

Agjencia mburret se ia ka dalë që ta administrojë mirë këtë kompani dhe që t`i shëndoshë financat e saj. Referuar pasqyrave financiare, të depozituara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në vitin 2023 Alesio 2014 ka arkëtuar rreth 2 miliardë lekë ose 20 milionë euro më shumë se gjatë vitit 2022. Për vitin 2023 kapitali u rrit në 9.7 miliardë lekë nga 7.6 miliardë që ishte në vitin paraardhës.

Fitimi i vitit në vlerën e 77 milionë lekëve nuk është shpërndarë, pasi Asambleja ka vendosur që të mbahet për investim brenda shoqërisë, duke e çuar në 304 milionë lekë fitimin e pashpërndarë.

Elvana Tivari, eksperte ligjore, thotë se pjesëmarrja në tenderë, përfshirë edhe ata të rindërtimit, ndalohet vetëm në rastet kur ka një vendim dënimi të formës së prerë.

“Arrestimi apo vendosja e sekuestros janë veprime të fazës së hetimeve dhe si të tilla, të paktën sipas Ligjit të Prokurimit Publik dhe Aktit Normativ të Rindërtimit, nuk përbëjnë shkak automatik për mosdhënien apo për ndërprerjen e zbatimit të kontratës”, – thotë ajo.

“Kjo nuk përjashton mundësitë që ka organi i akuzës, për të ndaluar thellimin e pasojave të veprës penale nëpërmjet vendosjes së masës së sekuestros preventive, por kjo duhet të vlerësohet nga prokuroria rast pas rasti, në varësi të rrethanave konkrete”, – shpjegon Tivari.

Agjencia për Administrimin e Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila po e administron aktualisht këtë kompani, tha se ajo i raporton Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, Prokurorisë së Posaçme dhe kryeadministratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Kompania Alesio 2014 nuk është e vetmja me rekorde të “zeza” te programet e rindërtimit.

Dajti Park 2007 është një kompani tjetër, me pronar të dënuar për korrupsion, e cila ka fituar 15,5 milionë euro tenderë nga rindërtimi.

Ligji për Prokurimet Publike e ndalon pjesëmarrjen në tenderë të kompanive që kanë një ortak të dënuar për korrupsion dhe vepra të rënda, penale ose të personave që mund të kenë kontroll në vendimmarrjen e kompanisë. Kjo nuk ka penguar që Dajti Park 2007 të jetë një nga 6 firmat që kanë përfituar më shumë nga tenderët e rindërtimit, duke përdorur si shpëtim dhurimin e aksioneve familjarëve të tij.

Dokumentet tregojnë se Ylber Kalaja, ish-pronar i kësaj kompanie, rezulton në dosjet e ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Bëhet fjalë jo për një të shkuar të largët, por për 2 vjet përpara nënshkrimit të kontratave për fondet e rindërtimit.

Biznesmeni Kalaja u dënua me 2.5 vite burg nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në nëntor të vitit 2018, pasi u shpall fajtor me akuzën e korrupsionit të zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së Burgjeve në këmbim të fitimit të tenderëve të ushqimeve, por çështja është ankimuar.

Në nisje të hetimeve biznesmeni Kalaja i ndryshoi emrin firmës së tij, nga Vllaznia në Dajti Park 2007 dhe, pasi u dënua nga gjykata, në fund të vitit 2018 i dhuron 50% të aksioneve djalit të tij, Desart Kalasë, dhe pjesën tjetër Lulzim Qefalisë, vëllait të deputetit socialist, Xhemal Qefalia.

Kjo kompani ka përfituar 4 tenderë, nga të cilët 3 kontrata si bashkim operatorësh, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerë 11 milionë euro, dhe një kontratë nga Bashkia e Tiranës me vlerë 4.5 milionë euro për hartimin e projektit të rindërtimit në zonën e Kombinatit.

Pavarësisht përpjekjeve për ta kontaktuar, kompania Dajti Park 2007 nuk ishte e arritshme në adresat e kontaktit të deklaruara pranë QKB.

Po ashtu, Arian Tukut, pronar i Eurocompany sh.p.k., e krijuar në vitin 2018, i është besuar procesi i rindërtimit me kontrata të majme. Kompania ka përfituar 1.5 milionë euro nga qershori i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2022, ndërkohë që, sipas dosjes së prokurorisë, në nëntor të vitit 2020 ai dyshohej se kishte trafikuar në Mal të Zi 168 kg kanabis sativa, që janë sekuestruar nga autoritetet malazeze. Në maj të vitit 2024 “biznesmeni” u arrestua në Itali me urdhër të SPAK.

Nga hetimet e SPAK rezulton se Tuku, 36 vjeç, nga Lezha, ka tentuar të vrasë Aleks Ndrekën, si dhe ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Durim Bamit, të dy këta personazhe të botës së krimit. Tuku mendohet se i ka kryer këto vepra penale për llogari të Arben Ndokës (me të cilin ka lidhje familjare), ish-deputetit të PS-së, i cili po ashtu është në kërkim, pasi ndaj tij SPAK ka lëshuar urdhër-arrest.

Një tjetër kompani me aksionerë, e shkuara e të cilëve është në rekordet e sistemit të drejtësisë, është dhe Ferro Beton & Construction Co. Kompania zotërohet nga Ilir Shtufi dhe Mark Luli, i cili është i skeduar për trafik makinash të tonazhit të lartë.

Luli rezulton se është edhe person me precedentë penalë, pasi në vitin 2013 ka tentuar që të vrasë me armë zjarri dy oficerë të forcave speciale, RENEA.

Kompania, ku Luli rezulton bashkëpronar, zë vendin e dytë për fitimin e projekteve nga programi i rindërtimit si një bashkim operatorësh me Ante Group dhe Ferro Beton & Construction Co.

Ky bashkim operatorësh ka fituar katër kontrata nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, me vlerë totale 2 miliardë e 413 milionë lekë. Ndërkohë, Ferro Beton ka pasur edhe 3 bashkëpunime të tjera në kuadër të programit të rindërtimit, me vlerë totale 1.28 miliardë lekë.

Asnjëra prej këtyre kompanive nuk ishte e arritshme për koment, pasi adresat e email-it dhe numrat e kontaktit, të lëna në faqet e tyre, zyrtare, nuk funksiononin.

Epyetur në lidhje me dijeninë e saj mbi të shkuarën e zotëruesve të kompanive në fjalë dhe përfshirjen e tyre në procesin e rindërtimit, Zyra e Shtypit e Kryeministrisë e delegoi kërkesën tonë për koment pranë Ministrisë së Infrastrukturës me pretendimin se, “nuk e zotëron informacionin e kërkuar”. Deri në momentin e publikimit të këtij materiali Ministria e Infrastrukturës nuk dha asnjë koment.

Ligji 162/2020 “Për Prokurimin Publik” (LPP), që hyri në fuqi më 31 mars 2021, në nenin 76 përcakton se duhet të përjashtohet nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 5-vjeçare çdo operator ekonomik që është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për veprat penale: korrupsion, mashtrim, pastrim parash, falsifikim, financim të terrorizmit apo pjesëmarrje në grup të strukturuar, kriminal etj.

Detyrimi për shkualifikimin e një operatori ekonomik zbatohet, edhe kur personi i dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë është anëtar i një organi administrimi, drejtues ose mbikëqyrës i tij, aksioner ose ortak, ose ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje apo kontrolluese brenda tij.

Në rastin e procedurave të rindërtimit, në Aktin Normativ Nr. 9, datë 16.12.2019 “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, është përcaktuar që kriteret e kualifikimit dhe të vlerësimit të hartohen sipas legjislacionit për prokurimin, por përcaktimet specifike të Aktit Normativ prevalojnë mbi LPP.

Në këtë Akt Normativ, në nenin 42, përcaktohet se shkualifikohet nga procedura e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike çdo operator ekonomik, nëse vetë shoqëria ose anëtari i një organi administrimi, drejtues ose mbikëqyrës, aksioner ose ortak, ose person me kompetenca përfaqësuese, vendimmarrjeje ose kontrolluese, është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për të njëjtat vepra të listuara në Ligjin e Prokurimeve Publike, duke shtuar edhe “organizim, drejtim ose financim i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe i veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve”.

Referuar këtyre përcaktimeve ligjore, shoqëritë, ortakët ose administratorët e të cilave në kohën e zhvillimit të procedurave në fjalë kanë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë për ndonjë nga veprat e listuara, ku përfshihet edhe trafikimi i narkotikëve, duhet të ishin shkualifikuar nga këto procedura.

Evazorët fiskalë
Në fillim të vitit 2018 Prokuroria e Elbasanit vuri nën akuzë për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën, në bashkëpunim” dhe zotëruesit e kompanisë Vëllezërit Hysa sh.p.k., ku Agron dhe Kujtim Hysa u arrestuan.

Prokuroria pretendoi se aksit rrugor Elbasan-Gjinar, ku ata ishin angazhuar si nënkontraktorë, i mungonin 7.2 milionë lekë volume pune, të paguara nga buxheti i shtetit. Bashkë me vëllezërit Hysa Prokuroria e Elbasanit urdhëroi edhe arrestimin e dy ish-drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe Andi Toma.

Vëllezërit Hysa e fituan shpejt lirinë, pasi gjykata e rrëzoi masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tyre. Ndërkohë që në Gjykatën e Elbasanit që prej shtatorit të vitit 2018 zhvilloheshin një seri seancash gjyqësore ndaj tyre, në vitin 2020 kjo kompani u shpall fituese për rindërtimin e 238 banesave individuale në Kurbin dhe në Mirditë, me një fond prej 629 milionë lekësh.

Kompania Vëllezërit Hysa ka qenë nën akuzë edhe nga opozita, ndërsa në shtator të vitit 2019 u përfshi në një skandal, që e detyroi ish-drejtoreshën e ARRSH, Sonila Qaton, të jepte dorëheqjen.

Ndërsa kompania Vëllezërit Hysa është vendosur nën hetim edhe nga SPAK, të tjera kompani duket se kanë gjetur “manovra” për të pastruar të shkuarën e tyre.

Fiqiri Palit i ka mjaftuar që t`i kalojë aksionet e kompanisë së tij te bashkëshortja për të vijuar biznesin me institucionet shqiptare. Më 15 maj 2008 u paraqit përpara noteres, Vjoleta Sulkaj, dhe i kaloi në letra kompaninë Sireta 2F shtetases Fatime Pali; kësaj të fundit ia shiti të gjitha aksionet për 100 mijë lekë, ndërkohë që arrestohet pak ditë më vonë me akuzën e korrupsionit, pasi u provua se ai korruptoi zyrtarë të lartë të ish-Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, një skandal ky që asokohe përfshiu edhe ish-ministrin Spiro Ksera.

Pali u dënua me 1 vit burg e 9 milionë lekë gjobë, ndërsa kompania e krijuar prej tij, Sireta 2F, rezulton fituese edhe në projektet e rindërtimit në vlerën e 600 milionë lekëve dhe rreth 1.4 miliardë lekëve si bashkim operatorësh.

G.P.G. Company renditet e katërta për vlerën e përfituar nga rindërtimi, me vlerë 2 miliardë lekë ose 20 milionë euro. Aksioneri i kësaj kompanie, Paqsor Buzi, gjatë kohës që zhvilloheshin procedurat e tenderit ishte nën hetim për krijimin e një skeme mashtrimi me tatimin mbi vlerën e shtuar, TVSH.

Ai dyshohej se në bashkëpunim me firma të tjera prisnin fatura fiktive për të justifikuar punime dhe shërbime të pakryera, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerën e 4 milionë eurove.

G.P.G. Company ka përfituar 2 kontrata me FSHZH për rindërtim pallatesh në Krujë dhe në Shijak, si dhe 3 kontrata me bashkitë Durrës, Lezhë dhe Kurbin për rindërtim shkolle.

Gjykata e pushoi çështjen në qershor të vitit 2020, disa muaj pasi ai kishte marrë pjesë në garën e projekteve të rindërtimit.

I arrestuar po në të njëjtin operacion të Policisë së Shtetit ishte dhe një nga aksionerët e CEC Group, Vangjush Mbriçe, i cili u vendos nën hetim për skemë mashtrimi me TVSH. Edhe pse ishte nën akuzë nga organet ligjzbatuese, kompania ka përfituar 4 kontrata nga rindërtimi, me vlerë 130 mijë euro.

Shpresa Joanidhi është një tjetër biznesmene e arrestuar si pjesë e skemës së mashtrimit me TVSH. Ajo ka qenë kandidate e PD për deputete në qarkun e Gjirokastrës, ndërkohë është administratore e Shpresa Al, bashkë-ortake me bashkëshortin e saj, Alfred Joanidhin. Subjekti Shpresa sh.p.k., operonte si një kompani kateringu dhe që tregton gjithashtu sisteme kamerash dhe alarmi. Në nëntor të vitit 2019, aksioneri i vetëm i kompanisë ia dhuron aksionet pasardhësve të tij, ndërkohë që kompania ndryshon emër. Pagëzohet Dion-Al dhe shton në objekt të veprimtarisë së saj edhe fushën e ndërtimit. Dhe pse pa asnjë eksperiencë në fushën e ndërtimit, kompania e re ia del që të marrë një sërë kontratash nga fondi i rindërtimit, në një vlerë prej 2.67 milionë eurosh.

Klientelizmi i kompanive ndërtuese në programin e rindërtimit është bërë me vendim qeverie dhe “i ligjshëm”, për sa kohë që asnjë buxhet nuk e njeh si zë për investim, por vetëm si shpenzim, pasi është bërë tenderimi.

Rindërtimi deri më tani i ka kushtuar buxhetit të shtetit 900 milionë euro dhe parashikimet në 3-4 vitet e ardhshme, sipas ish-ministrit të Financave, Ervin Mete, do ta kalojnë shifrën e 1 miliard eurove.

Qeveria e ka çuar përpara këtë proces dhe nuk e ka korrigjuar atë, pavarësisht kritikave të forta të FMN për procedura jotransparente për prokurimet.

Nga ana tjetër, qeveria nuk mundi të marrë asnjë nga kreditë që ofruan donatorët në vitin 2020 në Konferencën e Brukselit, duke shmangur kështu çdo organ kontrollues për tenderët.

Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, më 16 dhjetor 2019 qeveria miratoi një akt normativ, nëpërmjet të cilit vendosi që procesi i prokurimit publik të zhvillohej me procedurë të kufizuar. Kjo procedurë u krye në dy faza. Në fillim iu bë thirrje kompanive, që të deklaronin interesin e tyre dhe në fazën e dytë qeveria përzgjodhi disa kompani, që kishin shprehur interes dhe iu kërkoi atyre që të paraqesin ofertat; mes tyre përcaktoi edhe fituesin.

Ekspertët sugjerojnë se këto procedura të kufizuara shmangën garën e hapur dhe shkelën parimet e konkurrencës së lirë, duke lënë vend për tenderë klientelistë, që përfunduan në duart e një grupi kompanish.

Për Aranita Brahajn, drejtoreshë e AIS (Albanian Insitute of Science), akti normativ ka hapur rrugën e mungesës së transparencës dhe të kontratave me negocim, duke e konsideruar “korrupsion me ligj special”.

“Njoftimi fillon në sistem, por operatorët ftohen në negocim në tryezë për vlerën e ofertës. Më pas edhe operatori fitues nuk e merrte kontratën, nëse nuk alokohej fondi i tenderuar me një VKM. Pra, tender pa buxhet dhe buxhet që bëhet sipas vendimmarrjes në Këshill të Ministrave. Korrupsion me ligj special”, – u shpreh Brahaj.

Ligj për miqtë
Akti normativ me fuqinë e ligjit, i miratuar me vrap dhe pa vëmendjen e qytetarëve, parashikon që për qëllim të përballimit të pasojave të fatkeqësisë natyrore qytetarët mund të shpronësohen pa dhënie pëlqimi. Nga ana tjetër, premtimi se rindërtimi do të përfundonte në fund të vitit 2022, nuk është mbajtur. Në fakt, në mesin e vitit 2024 ende nuk ka përfunduar procesi i prishjeve në zonën e Kombinatit, në Shkozë, si dhe ende s`ka përfunduar prishja e të gjitha objekteve në zonën e 5 Majit.

Rindërtimi pati një buxhet prej 80 miliardë lekësh nga 2020-2023, ndërsa të tenderuara pa TVSH janë 96.65 miliardë lekë për 859 tenderë.

Në këto kushte, ligji i buxhetit për çdo vit, për sa kohë që nuk e ka rindërtimin si zë të veçantë, do të vazhdojë të funksionojë, do të jetë pa një databazë, ndërsa fatura finale është ende e paqartë.

Këtë mospërputhje shifrash eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, e sheh si mungesë transparence.

“Procedurat nuk kanë qenë korrekte dhe janë kryer me një ofertues. Në rastet e programit të rindërtimit kjo ka qenë edhe më e dukshme, pasi kanë funksionuar në kushtet e emergjencës. Fakti që nuk kemi pjesëmarrjen e firmave ndërkombëtare në procesin e tenderimit, do të thotë që transparenca ka munguar plotësisht”, – u shpreh Xhepa.

“Në çdo rast bëhet tenderimi, pastaj alokohet buxhet nga totali i fondit për rindërtim. Pra, shteti nuk ka buxhet me planifikim sipas veprave dhe ndërhyrjeve. Kjo e ka e bërë programin klientelist”, – thotë Aranita Brahaj.

“Katër vjet pas tërmetit nuk ka planifikime të qarta dhe listë të ndërhyrjeve”, – sqaron më tej Brahaj.

Në Konferencën e Donatorëve Shqipëria siguroi 1.15 miliardë euro (me kursin e atëhershëm), por qeveria shqiptare nuk mundi që të përfitojë prej tyre dhe angazhoi buxhetin e shtetit.

Vetë BE u angazhua për rindërtimin e 63 objekteve arsimore, i shtrirë në 2 faza zbatimi, me një fond prej 75 milionë eurosh.

“Kapacitetet e dobëta të administratës publike, dhe kjo është gangrenë e administratës sonë, por në rindërtim element shtesë është fakti që kreditë e buta kanë procedura të shtuara, burokratike dhe e shtyjnë administratën drejt kredive, që janë në treg dhe që kanë një likuiditet më të shpejtë”, – u shpreh profesori i ekonomisë, Selami Xhepa.

“Mendoj që paratë e donatorëve nuk jepen, po nuk u garantua konkurrueshmëria. Këtu mendoj që qeveria shqiptare, Ministria e Rindërtimit, bashkitë, synuan që ta përdorin projektin jo me seriozitetin dhe llogaridhënien, që kërkojnë donatorët”, – përfundon Aranita Brahaj

*Shumicën e fondeve të rindërtimit këto kompani e kanë fituar si bashkim operatorësh, duke e bërë të vështirë përllogaritjen e vlerës specifike, të përfituar prej tyre./INA MEDIA

Video