“Tallavaja e FSHZH-së”, 3.3 milionë euro për ahengje në 61 bashki!

16 Tetor 2024, 14:00Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dritan Agolli: Fondi Shqiptar i Zhvillimit

Një nga institucionet që ka “dorë të lirë” në paratë publike është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

I krijuar për “punë publike”, shumë shpejt ky institucion është kthyer në një “levë politike” për qeverinë, duke pasur “në dorë” pjesën më të madhe të bashkive, ato me të ardhura të mesatare dhe të vogla.

Prej shumë vitesh, FSHZH-ja bën dhjetëra tendera për rrugë lokale, fasada apo edhe sheshe, në kuadër të Rilindjes Urbane.

Këto të fundit i ka bërë nga dy herë si në Berat, Dibër, Tiranë, Kavajë, Kuçovë etj. Por, kur “mbaroi punë” me këto vepra, Fondi ka kthyer sytë nga “tallavaja”.

Dhe s’ka si ta bëjë më mirë në vitin elektoral, duke akorduar një shumë të majme prej 3.3 milionë euro vetëm për ahengje në 61 bashki të vendit.

Lista e kërkesave të FSHZH-së për pajisje ngjason me ato të këngëtarëve apo grupeve më të mëdha të muzikës botërore.

“Tallavaja e FSHZH-së”, 3.3 milionë euro për ahengje
Faksimile: Shpallja e tenderit me vlerë 3.3 milionë euro për “gjallërimin e aktivitetit social-kulturor nga FSHZH-ja

VoxNews” ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, i cili ka një objekt “mbështetje për gjallërimin e aktivitetit social kulturor në funksion të forcimit të identitetit rajonal dhe lokal”, me një fond 333.333.110 lekë pa TVSH.

Një fond i konsiderueshëm, duke parë se nuk bëhet fjalë për punë publike, parqe, godina, sheshe apo fasada, por vetëm për muzikë dhe aheng në gjithë vendin.

FSHZH shkruan në dokumente se paratë janë financuar nga qeveria për vizionin “Shqipëria 2030”.

Por, ky slogan më shumë është elektoral sesa i qeverisë, pasi prej shumë kohësh slogani po përdoret nga eksponentë të mazhorancës, të cilët kanë filluar edhe fushatën për zgjedhjet e përgjithshme 2025.

Në dokumente citohet se qytetet e mesme dhe të vogla kanë mungesë në aktivitete dhe gjallërimi i jetës social-kulturore, duke përfshirë edhe rritjen e krenarisë.

Por, krenaria nuk rritet me muzikë, por me hapjen e vendeve të punës, me një arsim, shëndetësi dhe rend të mirë.

Në rreshta FSHZH shkruan se synon të promovojë artistë të rinj. Po vetë Fondi nuk u ngrit si një televizion, por për të rregulluar disa punë lokale të lëna pas dore.

“Projekti shtrihet në territorin e 61 bashkive të Republikës së Shqipërisë” shkruhet në këto dokumente.

“Tallavaja e FSHZH-së”, 3.3 milionë euro për ahengje
Faksimile: Lista e pajisjeve muzikore të kërkuara nga FSHZH, nuk janë për divat e muzikës botërore por për “tallavanë” në 61 bashki

Krahas shpjegimeve për tenderin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka publikuar edhe listën e pajisjeve të kërkuara.

Ata kërkojnë bokse për muzikë, fjalim, foni, monitor skene. Gjithashtu edhe dhjetëra mikersa audiosh, dhjetëra mikrovonë apo shpërndarës sinjali.

Kërkojnë disa ekrane LED me përmasa të ndryshme, pajisje DJ, video procesor apo edhe kamera me rezolucion Full HD / 4k.

Kërkesat nuk mbarojnë, pasi duan edhe projektor ndriçimi, LED panel dhe disa lloje ndriçimesh. Kërkojnë edhe tymuese skenike, mikser regjie dhe ndriçimi, skela hekuri apo edhe foltore me ekran LED.

Lista është shumë e gjatë, ndërsa duan edhe skenë të mbuluar me çati, podiume, karrige, tavolina e tapete e mokete.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video