Një tender i tretë i hapur disa ditë më parë e ka çuar në plot 20 milionë euro shumën që qytetarët e varfër shqiptarë po paguajnë për vilat e pasanikëve që jetojnë në fshatrat e ndërtuara nga Investitortët Strategjikë në Jug të Shqipërisë.
Një skemë e pastër abuzimi, pasi vlerat janë ndarë në vite dhe të tenderuara disa herë, duke synuar që të fshihen fituesit apo edhe shumat e akorduara.
Përfituesit e gjithë kësaj shume janë një gusht njerëzish, ata më të pasurit në vend apo edhe firmat e mëdha, që morën falas prona buzë detit Jon, nga Palasa në Himarë.
Lehtësirat për firmat apo banorët e fshatrave turistikë nga Palasa në Himarë s’kanë të sosur.
Pasi përfundoi tuneli i Llogorasë, ku këta “banorë” do të shkojnë më shpejt në vilat luksoze, shtetarët kanë menduar për furnizimin me ujë të pijshëm.
Duke përfituar nga tuneli, uji do të merret në zonën e Dukatit dhe Tragjasit në Orikum, Vlorë, dhe më pas do të shkojë në rubinetat e vilave.
Këto investime po bëhen me paratë e shqiptarëve të varfër, ku fatura e deritanishme ka shkuar në plot 20 milionë euro.
VoxNews ka siguruar dokumentet e tenderit të tretë të hapur nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, një institucion në varësi direkte nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ky institucion ka shpallur tenderin e me objekt “furnizimi me ujë të zonave bregdetare, zonat e investimit strategjik, Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi, faza III”.
Fondi limit i kësaj procedure është plot 849.464.199 lekë, një shumë e konsiderueshme duke qenë se është faza e tretë. Kur dukej se paratë e akorduara më parë do të mjaftonin, AKUK-u ka lëshuar dorën, ndërsa mësohet se tenderi do të bëhet javët në vijim.
Dokumenti i mësipërm është shpallja e fituesit të fazës së parë për ujin e Investitorëve Strategjikë.
Tenderi kishte një vlerë plot 7.5 milionë euro dhe i fitua nga një firmë e shpallur edhe ajo Investitore Strategjike.
Bëhet fjalë për firmë “Gjikuria”, e cila ka fituar disa tendera në atë zonë, që nga rrugët apo edhe ujësjellës lokalë.
Më pas mori falas qindra mijëra metra katrorë dhe është shpallur Investitore, ku po ndërton vila dhe hotele luksoze.
Ndërkohë, fitoi tenderin e majmë që t’u çojë ujë vilave dhe hoteleve që po ndërton!
Ndërkohë, disa muaj më parë, VoxNews ka mësuar se AKUK-u shpalli fitues edhe firmën “Gjoka” për furnizimin me ujë të zonave bregdetare Zonat e Investimit Strategjik Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi, të Bashkisë Himarë, Faza II.
Firma në fjalë po zbaton projektin me vlerë rreth 4.2 milionë euro përfshirë TVSH-në.
Më herët procedura u hap për një vlerë 372 milionë lekë si fond limit për të cilën kompania bëri një ofertë që ishte sa 95.3 për qind e këtij fondi ku rezultoi edhe fituese.
Rezulton se firma “Gjoka” po e merr ujin në Duka dhe Tragjas, do e kalojë përmes tunelit që po ndërton po ajo vetë, dhe do t’ua çojë vilave të pasanikëve.
A mos ishte i paracaktuar fituesi, pasi vetë “Gjoka” ndërtoi edhe tunelin?!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.