“Duam të shkatërrojmë kapitalizmin, jo Francën” – E majta radikale në rrugë, kush po proteston në Francë?

23 Nëntor 2026, 23:00Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Duam të shkatërrojmë kapitalizmin, jo Francën”

Franca po kalon një periudhë të trazuar, e karakterizuar nga borxhi i lartë publik, pakënaqësia sociale dhe protestat masive kundër rritjes së çmimeve, përkeqësimit të shërbimeve publike dhe asaj që demonstruesit e cilësojnë si dhunë policore.

Demonstratat kanë hyrë në javën e gjashtë radhazi, ndërsa përveç protestave paqësore janë regjistruar edhe akte dhune, grabitje dhe dëmtime të pronës private.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka fajësuar për trazirat grupet e ekstremit të majtë dhe personat që ai i cilëson si delinkuentë, duke pretenduar se synimi i tyre është rrëzimi i Republikës Franceze.

Megjithatë, identiteti, organizimi dhe ndikimi real i këtyre grupeve mbeten objekt debati.

“Pa dhunë nuk arrijmë asgjë”

Në rrugët e Parisit, gazetarja e BBC-së, Katya Adler, ka takuar disa protestues të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara, të lidhur me të ashtuquajturin lëvizje “Black Bloc”.

Këto grupe shfaqen shpesh në demonstratat evropiane, veçanërisht në momentet kur protestat paqësore përfundojnë dhe përplasjet me Policinë intensifikohen.

Një 18-vjeçar, i identifikuar me pseudonimin Nas, i tha BBC-së se dhuna është e vetmja mënyrë për t’u dëgjuar nga autoritetet.

Ai dhe shokët e tij, të ardhur nga zona periferike të qyteteve franceze, përmendën problemet në shkolla, mungesën e mundësive për punësim dhe pabarazinë sociale si arsyet kryesore të zemërimit të tyre.

“Duam të shkatërrojmë kapitalizmin, jo Francën”
Katya Adler e BBC-së duke folur me një protestues

Ata mohuan se ishin organizuar apo drejtuar nga e majta radikale, duke këmbëngulur se vepronin nga pakënaqësia personale.

“Black Bloc” nuk është një organizatë e vetme

Një tjetër aktivist 17-vjeçar, i identifikuar me pseudonimin Starflix, pranoi se ishte pjesë e lëvizjes së dhunshme Black Bloc.

Ai tregoi se protestuesit përdorin bomba artizanale me bojë, gurë dhe objekte të tjera për të sulmuar Policinë. Sipas tij, veshja e njëjtë dhe maskat e fytyrës e bëjnë më të vështirë identifikimin e pjesëmarrësve nga autoritetet.

“Black Bloc nuk është një organizatë e vetme. Është një teknikë. Disa prej nesh përdorin dhunën për të arritur reforma qeveritare. Unë dua të sjell një revolucion”, deklaroi ai për BBC-në.

Aktivisti pranoi se kishte frikë nga arrestimi dhe lëndimet, por tha se shqetësimi më i madh ishte mundësia që shoqëria të mos ndryshonte.

Rrjetet sociale dhe aplikacionet e komunikimit, si Signal dhe Telegram, luajnë gjithashtu një rol në koordinimin e protestuesve dhe organizimin e takimeve gjatë demonstratave.

Akuzat për dhunë shtetërore

Disa aktivistë të së majtës radikale i justifikojnë përplasjet duke pretenduar se dhuna më e madhe vjen nga vetë shteti.

Një protestues i tha BBC-së se dëmtimi i një vitrine dyqani nuk mund të krahasohet me përdorimin e armëve trullosëse nga Policia kundër nxënësve dhe studentëve që protestojnë.

Përplasjet e muajit të kaluar shkaktuan pasoja të rënda. Sipas raportimit të BBC-së, më shumë se 1.000 efektivë policie u plagosën, ndërsa disa protestues pësuan dëmtime serioze, përfshirë humbjen e gjymtyrëve.

Federata Franceze e Sigurimeve vlerësoi se dëmet ndaj dyqaneve dhe pronës private vetëm më 17 tetor arritën rreth 207 milionë euro.

Që prej asaj kohe, autoritetet kanë shtuar ndjeshëm praninë policore në demonstrata, duke përdorur gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe granata trullosëse.

“Duam të shkatërrojmë kapitalizmin, jo Francën”
Disa protestues nuk e mbështesin dhunën e Bllokut të Zi, por thonë se dhuna e shtetit është më e keqe

Tensionet shtrihen edhe jashtë Parisit

Lëvizjet më të organizuara të së majtës radikale janë të pranishme edhe në zonat rurale të Francës, ku ndërthuren aktivizmi mjedisor, anarkizmi dhe veprimet e sabotimit.

Në qytetin e Limoges, një zjarr gjatë protestave dëmtoi rëndë ndërtesën historike të bashkisë. Një 34-vjeçar ndodhet në paraburgim nën dyshimin për lidhje me zjarrin, por ai mohon akuzat.

Një aktivist 39-vjeçar, pjesë e së majtës radikale prej më shumë se dy dekadash, i tha BBC-së se ndiente përgjegjësi të vepronte për të ardhmen e brezave të rinj, duke kritikuar mënyrën se si shteti trajton protestuesit.

A përbëjnë grupet radikale kërcënim për Republikën?

Shërbimet franceze të inteligjencës vlerësojnë se në vend ka rreth 5.000 aktivistë të ekstremit të majtë.

Megjithatë, sipas ish-komisarit të policisë Michel Klein, këto grupe nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të përbërë një kërcënim serioz ndaj shtetit francez.

Ai nuk sheh rrezik për një luftë civile, por paralajmëron se mund të shtohen përplasjet mes grupeve të ekstremit të majtë dhe atyre të ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Ndërkohë, grupe vigjilente të së djathtës radikale kanë filluar të shfaqen në periferi të protestave në disa qytete, duke pretenduar se synojnë të mbrojnë rrugët franceze.

Kandidati i së majtës radikale, Jean-Luc Mélenchon, dhe partia e tij Franca e Papërkulur (LFI) marrin pjesë në shumë prej demonstratave, por mohojnë çdo lidhje me aktet e dhunës.

Franca përballë një krize të thellë politike dhe sociale

Protestat po zhvillohen në një klimë të fortë polarizimi politik, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Sipas analizës së BBC-së, megjithëse grupet radikale shprehin objektiva revolucionare dhe disa prej tyre përdorin dhunën, ato nuk duken të bashkuara apo të fuqishme mjaftueshëm për të kërcënuar realisht institucionet e Republikës.

Megjithatë, pakënaqësia ekonomike, përplasjet me policinë dhe polarizimi mes së majtës dhe së djathtës po krijojnë një situatë gjithnjë e më të tensionuar.

Mesazhi i një prej aktivistëve përmbledh qëndrimin e një pjese të kësaj lëvizjeje: “Nuk dua të shkatërroj Francën. Dua të shkatërroj sistemin kapitalist”.



VoxPop

Video