Inteligjenca gjermane: Rusia mund të lëshojë një satelit me koka bërthamore në orbitë

23 Nëntor 2026, 20:39Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Inteligjenca gjermane: Rusia mund të lëshojë një satelit me

Rusia mund të lëshojë në orbitë një satelit të pajisur me koka bërthamore brenda javëve të ardhshme. Alarmimi vjen nga shërbimi inteligjencës gjermane dhe ushtritë e disa vendeve të NATO-s, të cilat dyshojnë se Moska po përgatit një hap të tillë.

Lajmi është publikuar nga gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung“, e cila citon raporte të shkëmbyera së fundmi mes vendeve aleate.

Sipas raportimeve, në këtë vlerësim janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura Gjermane (Bundeswehr) dhe Shërbimi Federal i Inteligjencës (BND). Ekspertë të ushtrisë gjermane thuhet se kanë informuar edhe zyrtarë të lartë politikë në Berlin për planet e dyshuara të Rusisë, mes tyre ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Të dhënat e inteligjencës pretendojnë se sateliti, i identifikuar me emrin “Sputnik-S“, është ndërtuar plotësisht dhe ndodhet i magazinuar në një bazë në zonën e Moskës, në pritje të një vendimi për lëshimin e tij.

Nëse këto plane do të realizoheshin, Rusia do të shkelte Traktatin e vitit 1967 për përdorimin paqësor të hapësirës së jashtme, i cili ndalon vendosjen në orbitën e Tokës të objekteve që mbartin armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë.

Ndërkohë, Kremlini ka reaguar duke mohuar se ka dijeni për një plan të tillë. Zëdhënësi i Presidencës ruse, Dmitry Peskov, deklaroi se autoritetet ruse nuk kanë informacion për raportimet e mediave gjermane lidhur me një satelit bërthamor që mund të lëshohet deri në fund të vitit.

Peskov kritikoi raportimet e mediave perëndimore, duke thënë se ato publikojnë vazhdimisht informacione për “mundësi të supozuara“ dhe pretendime që bazohen në burime të panjohura, të cilat, sipas tij, është e vështirë të merren seriozisht.


VoxPop

Video