
Në Shqipëri, 39,2% e të anketuarve në vitin 2026 vlerësuan se cilësia dhe puna e institucioneve publike ishin përkeqësuar gjatë pesë viteve të fundit, nga 26% në anketën e vitit 2025.
Rritja prej 13,2 pikësh përqindjeje ishte më e forta ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas anketës SecuriMeter të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Në të njëjtën kohë, përqindja e të
Në vitin 2025, vlerësimet pozitive për punën e institucioneve në Shqipëri ishin 1,7 pikë përqindjeje mbi ato negative. Një vit më vonë, raporti u përmbys. Në anketën e vitit 2026, vlerësimet negative ishin 21,1 pikë përqindjeje mbi ato pozitive.
Pjesa më e madhe e të anketuarve në Shqipëri, 41,2%, thanë se puna e institucioneve kishte mbetur përafërsisht njësoj. Ky grup ishte vetëm dy pikë përqindjeje më i madh se grupi që pa përkeqësim. Një vit më parë, diferenca mes këtyre dy grupeve ishte 18,9 pikë përqindjeje.
Gjithashtu përceptimi për korrupsionin erdhi në rritje. Anketa zbuloi 92,1% e të anketuarve e konsiderojnë korrupsionin mjaft ose shumë të përhapur, nga 86,6% një vit më parë. Mesatarja e gjashtë vendeve të rajonit ra nga 81% në vitin 2025 në 76,5% në vitin 2026, duke e zgjeruar diferencën me Shqipërinë me rajonin në 15,6 pikë përqindjeje.
Në Ballkanin Perëndimor, vlerësimet negative u rritën nga 32% në 34%, një ndryshim më i vogël se në Shqipëri. Në vitin 2025, Shqipëria ishte 6 pikë përqindjeje nën mesataren rajonale dhe vetëm Kosova kishte një përqindje më të ulët të vlerësimeve negative. Në vitin 2026, Shqipëria doli 5,2 pikë mbi mesataren.
Serbia ishte vendi i vetëm ku një pjesë më e madhe e të anketuarve shihnin përkeqësim, me 43%. Pas Shqipërisë renditeshin Bosnja dhe Hercegovina me 35,5%, Kosova me 30,2%, Maqedonia e Veriut me 28,7% dhe Mali i Zi me 27,6%. Ndërkohë, vlerësimet pozitive në rajon ranë vetëm me një pikë përqindjeje, nga 21,7% në 20,7%, kundrejt një rënieje prej 9,6 pikësh në Shqipëri.
Në një pyetje tjetër të anketës, 63% e të anketuarve në Shqipëri nuk u pajtuan me pohimin se institucionet publike i trajtojnë qytetarët në mënyrë të barabartë, pavarësisht statusit shoqëror, bindjeve politike ose përkatësisë etnike. Mesatarja rajonale ishte 51,6%./ Monitor.al
