Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, ka akorduar një fond shtesë për mbarimin e punimeve të rrugës së Buçimasit.
Megjithëse rruga duhet të kishte përfunduar, Xhakolli ka dhënë në mënyrë të beftë një fond shtesë, me një vlerë 160 mijë euro.
Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, tenderi e madh e kishte fituar kompania “REJ”, me administrator z. Luan kapri, vëllai i ish-kryetarit të Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri.
Por, më vonë rruga nuk u përfundua dhe kryetari aktual i ka dhënë firmës “Alko Impex” vlerën e shtesës.
Një aferë e madhe, duke qenë se të gjitha palët, qoftë firma e parë, ajo e dytë, kanë lidhje të forta politike.
Por, nëse do të shtonte këtë shumë, a nuk duhej më parë që të denonconte firmën e parë, pra “REJ”?
A ka bërë ndonjë inspektim, raport apo kallëzim Bashkia e Pogradecit për mospërfundimin e punimeve?
Në këtë rast, redaksia mund të ngrejë me dhjetëra pyetje, por ajo që është më shqetësuesja është se paratë hidhen vazhdimisht dhe rrugët nuk përfundojnë kurrë.
Xhakolli duket se ka gjetur skemën e përdorur nga ministrat apo nga drejtorët e rrugëve, ku për të njëjtën vepër hedhin disa herë para.
Në datën 14 dhjetor 2023, Bashkia e Pogradecit shpalli fituesin e tenderit me objekt kontrate “Sistemim i lumit të Buçimasit dhe Rehabilitimi i Infrastrukturës Rrugore”, me një fond limit të procedurës 79.282.029 lekë pa TVSH me kohëzgjatje 8 muaj.
Punimet duhet të kishin përfunduar në muajin gusht 2024, teksa edhe sot e kësaj dite ato punë nuk janë bërë.
Fitues i kësaj procedure është firma “REJ”, me administrator dhe pronar z. Luan Kapri, vëllai i ish-kryetarit të bashkisë, i cili doli fitues duke konkuruar me dhjetëra firma të tjera.
Për ironi të fatit, nga 9 firma që morën pjesë, shumica u skualifikuan, ato që kishin dhënë më pak para. Fitues u shpall “REJ”, me një ofertë prej 70.743.198 leke pa TVSH.
Në vitin 2023, në garë ka qenë edhe firma “ALKO-IMPEX”, oferta e së cilës është konsideruar e pasuksesshme në atë kohë nga Bashkia e Pogradecit.
Ndërkohë, vetëm disa muaj më pas, kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, ka ndryshuar mendje. Ai ka “kualifikuar” firmën “Alko Impex”, jo për tenderin e madh, por për të përfunduar punimet.
Por nëse afati ishte 8 muaj dhe përfundonte në muajin gusht 2024, përse nuk përfundoi në kohë?!
Në dokument shkruhet se bëhet fjalë për objektin e kontratës “përfundim punimesh objekti ‘Sistemim i Lumit të Buçimasit dhe rehabilitimi i infrastrukturës Rrugore – Loti 1”.
Në objekt parashikohet përfundim punimesh, por çfarë la pa bërë “REJ”?
Fondi i kësaj procedure është rreth 160 mijë euro, teksa firma “Alko...” ka disa javë kohë për ti përfunduar.
VoxNews ka siguruar edhe dokumentet shtesë të këtij tenderi, ku shkruhet se “segmenti i rrugës i cili trajtohet nga ky projekt fillon në kryqëzimin e rrugës së ‘Gurras – Buçimas’ dhe përfundon në kryqëzimin e rrugës ‘Pogradec – Tushemisht’.
“Ky objekt ishte pjese e investimeve të vitit 2023 që realizoi Bashkia Pogradec. Gjatë zbatimit të punimeve në objekt rezultoi se volume e punimeve të parashikuara në projekt-preventivin fillestar kishin nevojë për rishikime. Sipërmarrësi i punimeve e mbikqyrësi i punimeve hartuan projekt-preventivin e rishikuar të kontratës, i cili u miratua nga ana e Bashkisë Pogradec. Për të realizuar me sukses investimin në këtë objekt duhet të shtohet fondi me një vlerë prej 15.995.027 lekë me TVSH” thuhet në këtë dokument.
Sipas bashkisë, projekti shtesë parashikon shtresë asfaltobetoni me granil guri kave, 4cm, me makineri – 8010 m2, shtresë pllaka betoni dekorative mbi shtresë rëre.
Synimet sipas relacionit do të jenë “krijimi i kushteve e parametrave për një përmirësim të kësaj zone.
Në fakt, objekti duhet të ishte ndryshe.
Ose “mbulim” i punimeve të dobëta të firmës “REJ” ose “nder” që i bëhet firmës fituese të shtesës së punimeve. Të dyja firmat me lidhje të forta politike, ku pushteti duket se s’ka asnjë vlerë përpara parasë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.