Në prill të këtij viti u krijua Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, e cila kishte si synim informimin e institucioneve publike, grupeve të interesit dhe qytetarëve për çështjet e vetëqeverisjes vendore.
Në letra shkruhen fjalitë klishe për koordinimin e institucioneve publike qendrore dhe vendore për problemet.
Madje, ia atribuojnë ngritjen e kësaj agjencie për rritjen e kapaciteteve të bashkive për integrimin apo edhe bashkëpunimin mes këtyre.
Por, nëse në rregullore apo udhëzime shkruhen ato çka duhen, krejt të tjera shkruhen në procedurat që harton dhe tenderon.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një tender për blerje promocioni për këtë Agjenci, ku kërkohen të prodhohen video dhe animacione.
Madje, kërkohet edhe oranizimi i eventeve jashtë Tiranë, me fjetje dhe dreka e darka.
Të gjitha kërkesat vijnë kur jemi futur në vitin zgjedhor. A mos është një propagandë e pastër?!
VoxNews ka siguruar dokumentet e kësaj procedure, e cila ka një objekt “shërbime, materiale promocioni për Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore”.
Fondi limit është plot 164 mijë euro, teksa afati për zbatimin e saj është 14 muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes kuadër.
Në dokumente shkruhet se afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave është data 5 dhjetor 2024. VoxNews shfletoi edhe dokumentet shoqëruese, se çfarë kërkon kjo Agjenci me këto para.
Kërkohen 5 video testimoniale me dëshmi, për promovimin e praktikave të mira të hartuara nga bashkitë dhe të shpërndara nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore ku të përfshihen regjistrime në terren për të ilustruar veprimtaritë e kyera.
Videot të jenë 2-3 minuta, me cilësi shumë të mirë.
A mos janë kronika të gatshme?
Kjo Agjenci kërkon cilësi të mirë të zërit dhe figurës, ku regjistrimi duhet të jetë i pastër dhe profesional, pa zhurma të jashtme.
“Teksti i shkruar duhet të jetë i pranishëm si subtitle dhe të përfshijë informacionin kyç në shqip dhe në anglisht, kur është e nevojshme, madje duhet edhe një ekip profesionist me përvojë në regjistrimin e videos.
Në dokumente shkruhet se kjo Agjenci kërkon 5 video prezantuese, për promovimin e aktiviteteve të realizuara nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, ku të evidentohen asistenca dhe mbështetja e institucionit kundrejt bashkive.
Kërkohen gjithashtu edhe 5 video me animime, të përshtatura për publikim edhe në rrjete sociale. Video të shkurtra të cilat përcjellin ide komplekse në një kohë të shkurtër duke komunikuar objektivat, arritjet, risitë dhe njoftimet e Agjencisë. Këto video të jenë 1-2 minuta.
Kërkohen gjithashtu edhe 1500 kartvizita me logo, printim kartevizite bazuar në dizajnin, badge me logo, 5000 fletëpalosje apo edhe 1500 dosje me logo. Këto dosje të jenë printim dosje, klishe ose specifike ne varesi te dizajnit. Më tej kërkohen axhendë ditore, 1500 blloqe të thjeshtë me logo, 200 kartolina me logo.
Por, s’kanë të përfunduar kërkesat e kësaj agjencie. Ata kërkojnë një kompani që t’u bëjë edhe mbledhjet. Kërkohet një organizator për 10 mbledhje të Këshillit Konsultativ, ku 6 takime në Tiranë dhe 4 takime në qytete të tjera me distancë 20-80 km dhe 2 takime në qytete të tjera me distancë 81-280 km nga Tirana.
Kërkohet rezervim salle për 1/2 ditë, me kapacitet 60 - 80 persona.
Foni për sallën, projektor ose ekran të madh qendror. Kafe, çaj, ujë, biskota, kek për pjesëmarrësit. Kërkohen të zhvillohen edhe 10 evente në Tiranë.
“Rezervim salle për 1 ditë, me kapacitet 60-100 persona me një tavolinë kryesore me 4 poste/karrige me mikrofonë për secilin person dhe 3 mikrofona të lëvizshëm. Kërkohen 6 takime rajonale si dhe organizimi i 2 eventeve. Por, lista vijon me kërkesën për transportin e 30 personave jashtë Tirane në distancë 150-200 km larg. “Akomodim në hotel për 40 persona, 2 ditë qëndrim dhe 1 natë fjetje. Ushqim për pjesëmarrësit për 4 vakte (drekë, darkë, mëngjes, drekë). Rezervim salle 2 ditë”, thuhet në një nga kërkesat.
Ndërkohë, kërkohet edhe organizimi i një eventi jashtë Tirane me distancë 50-100 km larg.
Gjithashtu edhe mbulim me shërbim fotografie për 20 evente, mbulim me shërbim përkthimi apo edhe mbulim me shërbim PR.
“Përgatitje e kontentit në bazë të aktiviteteve të AMVV” thuhet në dokumente.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.