Çoroditja për emigrantët, “e-Albania” dhe KQZ me platforma të ndara! (KQZ hap tenderin 2.1 milion euro)

22 Nëntor 2024, 11:24Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve/ “E-Albania” (AKSHI)

Vota e emigrantëve ka sjellë “përplasjet” e para mes institucioneve shtetërore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga njëra anë dhe “e-Albania” (AKSHI) nga ana tjetër janë fokusuar te identifikimi i këtyre zgjedhësve, teksa të dyja këto institucione po punojnë paralelisht për të ndërtuar platforma.

Madje, shpenzojnë miliona euro për sisteme identifikimi, që mund të pasohen më pas për mënyrën e votimit.

Duke qenë se këto janë zgjedhjet e para ku emigrantët do të kenë të drejtë vote, KQZ dhe AKSHI duket se janë në kaos, ose të paktën kështu veprojnë.

Por, mund të jetë një skemë për të dështuar këtë proces, i cili u jep zë dhe përgjegjësi qindra mijërave shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve.

Çoroditja për emigrantët, “e-Albania” dhe KQZ me
Faksimile: Shpallja e tenderit të KQZ-së për regjistrimin e zgjedhësve

Vota e emigrantëve pritet të jetë një “mollë sherri” mes forcave politike, ku edhe pas miratimit të vendimit për t’u dhënë të drejtë vote, sërish do të ketë debate.

Ashtu siç do të ketë edhe tenderi i hapur së fundmi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas dokumenteve të siguruara nga VoxNews, Celibashi ka urdhëruar hapjen e procedurës së prokurimit me objekt, “platforma elektronike e regjistrimit të zgjedhësve nga jashtë vendit dhe shërbimet mbështetëse të saj”.

Një tender me një fond limit 208,333,333 lekë, ose rreth 2.1 milionë euro dhe pritet që të shpallet i plotë në nëntor.

Bëhet fjalë për module, sistem i marrjes së të dhënave, platforma kompjuterike dhe shërbime për krijim programesh për përpunim të moduleve.

Ndërkohë, e dyshimtë është edhe tipi i procedurës, pasi KQZ ka parashikuar të jetë “me negocim, pa njoftim”.

Pra, Celibashi do të negociojë direkt me firmat “e preferuara” për t’ua dhënë atyre këtë tender, me vlerë goxha të lartë.

Disa ditë më parë, KQZ-ja miraton rregullat teknike të administrimit të Platformës Elektronike të Regjistrimit.

“Platforma do të krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga KQZ dhe do të jetë e disponueshme dhe e përdorshme në të dy versionet, desktop dhe mobile, pa u kushtëzuar nga lloji i pajisjes që do të përdorë zgjedhësi. ‘PER’ do të ketë dy module kryesore: Moduli i regjistrimit dhe Moduli i shqyrtimit të kërkesave, të cilët do të mundësojnë një proces të sigurt dhe të besueshëm për menaxhimin e kërkesave për regjistrim” thuhet në këtë njoftim.

Çoroditja për emigrantët, “e-Albania” dhe KQZ me
Faksimile: Njoftimi i “e-Albania” për deklarimin e adresës së emigrantëve

Ndërkohë, paralelisht me platformat e KQZ-së, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, nëpërmjet “e-Albania”, ka hapur prej disa kohësh platformën për deklarimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

“Ju mundëson shtetasve shqiptarë të cilët janë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të kryejnë vetëdeklarimin e adresës së banimit me të dhënat e sakta në shtetin ku ata jetojnë. Formulari i vetëdeklarimit elektronik mund të plotësohet nga shtetasit për deklarimin e adresës së tyre personale, ose dhe për anëtarët e të njëjtës familje, në rastin kur ata jetojnë në të njëjtin vendbanim me deklaruesin” thotë “e-Albania”.

Pra dy sisteme të ndryshme që kanë filluar të çorodisin emigrantët. Çfarë duhet të bëjnë, të identifikohen në “e-Albania” dhe më pas të regjistrohen në KQZ?!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video