“Kullë në godinën e Kadastrës”, hapet tenderi i qeverisë për kullën 40 kate te Liqeni!

26 Nëntor 2024, 20:59Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Kullë në godinën e Kadastrës”, hapet tenderi i qeverisë për kullën 40 kate te Liqeni!

Godinat shtetërore do të kthehen në kulla shumëkatëshe, ku prona shtetërore do t’i jepet firmave private vetëm me një përqindje ndërtimi. Nisma e qeverisë ka marrë jetë nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila u krijua enkas për të tjetërsuar godinat dhe truallet shtetërore. Pasi u dhanë me koncesion disa shërbime dhe punë publike, tashmë radha i ka ardhur edhe këtyre pasurive, ku në dhjetëra godina do të bëhen qendra tregtare, hotele, bare, restorante etj. Një nismë e rrezikshme dhe e pa konsultuar me grupet e interesit, ku qeveria aktuale po sillet si “pronare e gjithçkaje”, madje edhe e ajrit. Por, në kohën e protestave apo të dosjeve të SPAK-ut, qeveria ka vepruar “në hije”, duke hapur në Agjencinë e Prokurimit Publik tenderët për ndërtimin e këtyre grataçelave. Madje, vendimin e një kulle, në truallin dhe godinën ku ndodhet Kadastra Shqiptare, e ka miratuar edhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit.

“Kullë në godinën e Kadastrës”, hapet tenderi i
Faksimile: Njoftimi në APP i qeverisë për faljen e pronave shtetërore për ndërtimin e kullave

VoxNews ka siguruar dokumentet e këtyre tenderëve, të hapur nga Korporata e Investimeve Shqiptare. Dokumenti i parë është për projektin ‘Zhvillimi dhe menaxhimi i godinave shtetërore”, ku nënprojekti është “ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare”.

Korporata ka hapur procedurën me objekt “zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i LIFT Tower”. Vendimi ka ardhur paralelisht me vendimin e AZHT-së, e cila miratoi në pikën 5 të vendimeve të fundit edhe lejen e zhvillimit për objektin “Godina e Kadastrës Shtetërore dhe Lift Tower”, loti 2, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues Korporatën e Investimeve Shqiptare.

Korporata është me kapital 100% shtetëror, e cila ka si aksioner të vetëm Ministrinë përgjegjëse për ekonominë të Republikës së Shqipërisë. “Projekti i investimit synon të transformojë hapësirat dhe godinat e vjetra shtetërore që shfaqin aktualisht shenja amortizimi, degradimi dhe infrastrukturë të vjetëruar, jo bashkëkohore dhe ku kushtet ekzistuese tregojnë nevojën për të përmirësuar cilësinë e pronave. Interesi publik që përndjek projekti i investimit konsiston në përmirësimin e kushteve të punës së funksionarëve publikë si dhe në energjizimin e qytetit duke sjellë zhvillimin e zonave urbane ku ndodhen pronat” thuhet në këtë dokument.

Sipas saj, projekti realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e zhvilluesit dhe ndërmjetësuesit midis institucionit publik që ka interes të zhvillojë pronat e tij dhe të përfitojë godina bashkëkohore dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe kapacitetet ekzekutive dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit. Një lloj koncesioni, ku prona publike i jepet privatit!

Por, Korporata shkruan në vendim se partneri privat siguron përfitueshmëri të investimit të kryer duke shmangur çdo burokraci dhe paqartësi në lidhje me statusin e pronës (pronë shtetërore e çertifikuar), në marrjen e lejeve (Korporata ka aplikuar për marrjen e lejes së zhvillimit nga KKT mbi projekt-idetë arkitekturore të dy objekteve), si dhe në çdo marrëdhënie me autoritetet publike, por ai gjithashtu në bashkëpunim me Korporatën ndihmojnë në realizimin e qëllimit publik të këtij projekti investimi. Pra, të gjitha procedurat ndiqen nga kjo korporatë.

“Korporata nëpërmjet kësaj procedure konkurruese publike ndërkombëtare synon të përzgjedhë partnerin privat, në cilësinë e Sipërmarrësit për zhvillimin e pronës për sipërmarrje, duke realizuar projekt-idenë arkitekturore të bashkimi të subjekteve Baukuh Studio Associato & Muoto & Sam Chermayeff Office & Yellow Office & Bollinger Grohmann & Atmoslab & Simoj Boudvin & Arkimade”, thuhet në vendim.

“Kullë në godinën e Kadastrës”, hapet tenderi i“Kullë në godinën e Kadastrës”, hapet tenderi i
Projekti që do të ndërtohet te godina dhe trualli i Kadastrës

VoxNews siguroi projektin që do të ngrihet te Kadastra, ku është parashikuar të ndërtohet një kullë e stërmadhe. Është një kullë rreth 40 kate që do të zëvendësojë godinën 2-katëshe të Kadastrës. Pritet që Kadastra të marrë një përqindje ndërtimi, ndërkohë që pjesa tjetër do t’i jepet privatit. Pra, për një kullë 40 katëshe, ku do të ndërtohen mijëra metra katrorë, ku çmimi në atë zonë po shkon deri në 3 mijë euro m2, shteti pritet të marrë vetëm ato metra katrorë që ka aktualisht Kadastra. Ose diçka më pak apo më shumë, ku ende nuk dihen zyrtarët të cilët do të negociojnë.

“Kullë në godinën e Kadastrës”, hapet tenderi i
Faksimile: Njoftimi në APP i qeverisë për faljen e pronave shtetërore për ndërtimin e kullave në godinën e Kadastrës

Por, Korporata nuk mjaftohet me kaq! Ajo shkruan se subjektet që do të hartojnë projektet e detajuara arkitektonike. “Procedura e konkurrimit për përzgjedhjen e Partnerit Privat do të kryhet nëpërmjet procedurës përzgjedhëse konkurruese me  zarf, me dy faza, përkatësisht faza e kualifikimit dhe faza e përzgjedhjes. Në dokument shkruhet se “shpallet fituese oferta që ofron vlerën më të lartë të kësaj përqindje”, teksa aplikimet duhet të dorëzohen dorazi ose me postë, deri në datë 6 janar 2025.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video