“Gjylja 9 milionë euro” e ARRSH-së në tenderët e Elbasan–Lekaj, fitues ofertat më të larta!

24 Nëntor 2024, 22:12Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gentian Gjyli, drejtori i Përgjithshëm të Autoriteti Rrugor Shqiptar

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fitues 3 firma për ndërtimin e aksit rrugor Papërr–Ura e Grykshit, pjesë e autostradës Elbasan – Lekaj. Administratori i këtij Autoriteti, Gentian Gjylja, që ka zëvendësuar Berberin, Verdhon etj., disa prej të cilëve nën hetim dhe gjykim nga SPAK për abuzime të rënda me detyrën, ka ndarë pjesë nga “torta” e madhe e fondeve që administron, ku për ndërtimin e këtij aksi ka hapur plot 6 lote. Gjysmat e tenderëve, me vlerë 75 milionë euro, janë ndarë ne tre pjesë, ku fitues kanë dalë firmat e mëdha si AGBES, GECI dhe ALB-BUILDING.

VoxNews ka shfletuar dokumentet e tenderëve të ARRSH-së, ku ka rezultuar se diferenca mes ofertave më të ulëta dhe atyre fituese, në të tre lotet, është rreth 9 milionë euro (më saktësisht 895.566.124 lekë). Kjo ka qenë “Gjylja” e kreut të Autoritetit mbi këto fonde, teksa ka diferenca edhe mes fondit limit dhe atij fitues. Gjylja i ARRSH-së është treguar pak më i kujdesshëm se paraardhësit e tij, të cilët i kishin paracaktuar fituesit e tenderëve, madje bënin pazare edhe për “ndarjen” e tyre, siç rezultoi edhe nga hetimet e SPAK-ut. Kreu aktual ka vepruar tinzar, duke bërë një rotacion fituesish dhe duke i dhënë në disa duar.

“Gjylja 9 milionë euro” e ARRSH-së në tenderët e
Faksimile: Shpallja e fituesit të tenderit të lotit të parë, drejtuar firmës “AGBES”

Dokumenti i mësipërm është shpallja e fituesit të lotit të parë për ndërtimin e rrugës “ndërtim aksi rrugor Papërr - Ura e Grykshit, faza I”. Ky lot ka pasur një fond limit prej 2.499.470.250 lekë, ndërkohë që fitues kompania “AGBES CONSTRUKSION”, me një ofertë prej 2.074.513.966. Por, oferta më e ulët në këtë lot ka qenë ajo me vlerë 1.646.494.372 lekë, e bashkimit të operatorëve ekonomikë “PE - VLA - KU”, “BIBA-X” dhe “XHAST”. Diferenca mes ofertës fituese dhe asaj më të ulët është plot 428.019.594. Goxha “pazar” mes zyrtarëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe atyre fitues. Ndërkohë, pjesa më e madhe e ofertuesve janë skualifikuar nga ARRSH-ja, ku duket se fituesi ka dalë “aforfe”.

“Gjylja 9 milionë euro” e ARRSH-së në tenderët e
Faksimile: Shpallja e fituesit të tenderit të lotit të parë, drejtuar firmës “GECI”

Ndërkohë, paralelisht me fituesin e parë, Gentian Gjylja ka shpallur fituesin e tenderit të fazës së dytë, me objekt “ndërtim aksi rrugor Elbasan - Papërr faza II”. Fondi limit i kësaj procedure ka qenë 2.492.479.475, ose rreth 25 milionë euro. Fitues ka dalë oferta e firmës “GECI”, kompani e cila ka pasur një ofertë prej 1.809.681.121 lekë. Ndërkohë, oferta më e ulët ka qenë me vlerë 1.759.256.668. Diferenca mes ofertës më të ulët dhe fituesit është 50.424.453, ose mbi 500 mijë euro.

“Gjylja 9 milionë euro” e ARRSH-së në tenderët e
Faksimile: Shpallja e fituesit të tenderit të lotit të parë, drejtuar firmës “ALB-BUILDING”

VoxNews vijoi të hulumtojë dokumentet e këtyre tenderëve, duke u ndalur te faza e tretë. Kjo fazë ka pasur një vlerë prej 2.492.487.966, teksa oferta e firmës fituese “ALB-BUILDING” ka qenë 2.109.239.297 lekë. Ndërkohë, oferta më e ulët ka qenë me vlerë 1.692.117.220. Diferenca mes ofertës më të ulët dhe fituesit ka qenë plot 417.122.077 lekë.

ARRSH ka renditur edhe arsyet e skualifikimit të ofertave më të ulëta, duke u justifikuar se mjetet janë angazhuar në punë të tjera, duhet të kishte bërë punë të ngjashme apo punonjësit s’janë të plotë. Por, pjesëmarrësit në këto 3 lote të 3 fazave kanë qenë firmat më të mëdha të ndërtimit, nga ato të angazhuara në mbarë Shqipëri, ku në disa raste kanë dalë fitues me ofertë afër fondit limit. Dhe, në gjithë këto 3 faza, vetëm nga një e rënë e lapsit të Gjyles, diferencat mes ofertës më të ulët dhe asaj fituese ka qenë 895.566.124 lekë, ose e konvertuar në euro, 9 milionë. Gjithmonë pa TVSH dhe pa shtesa punimesh, ku shumica e këtyre firmave merr edhe fonde shtesë sa 20 % e fondit të një faze.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video