Firma anonime nga SHBA merr 7.2 milionë euro nga Dritan Isaku i Albcontrol, përsëritet historia e Unazës së Tiranës?

22 Nëntor 2024, 17:19Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dritan Isaku

Një firmë anonime nga SHBA ka arritur të marrë plot 7.2 milionë euro nga Albcontrol për mirëmbajtje sistemesh. Kompania shtetërore që menaxhon hapësirën ajrore dyshohet se është përfshirë në një skandal, i ngjashëm me atë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili i dha një kompanie fantazmë plot 18 milionë euro për ndërtimin e Unazës së Tiranës.

Të dhënat e siguruara nga VoxNews tregojnë se kompania “Leidos, Inc.”, me seli në Uashington, ka përdorur emrin e një tjetër firme, që bashkëpunon me Pentagonin, për të marrë tendera në vende të treta, siç është rasti në Shqipëri. Madje, në vetëm dy procedura kjo firmë ka zhvatur miliona euro. Dyshimet janë se, individë të fuqishëm në Shqipëri, nga ata që kanë fituar me vite me radhë tenderat në këtë institucion, kanë përdorur emrin dhe letrat amerikane për të “vjelë para”.

Në rastin e tenderit të ARRSH-së për Unazën e Madhe, “kompania” fantazmë amerikane kishte depozituar disa letra në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Por, në rastin e firmës së Albcontrol-it, nuk ka asnjë “gjurmë” në Shqipëri të saj, as filial dhe as përfaqësues. Dyshimet janë se në këtë rast mund të jenë përdorur vetëm dokumentet e firmës “Leidos, Inc.”, ndërkohë që “punët” bëhen alla shqiptarçe, ose nuk bëhen fare. Objekti i tenderit është mirëmbajtje sistemesh, por nga të dhënat e siguruara nga redaksia jonë nga brenda Albcontrol-it, firma s’bën asnjë punë.

 

Firma anonime nga SHBA merr 7.2 milionë euro nga Dritan Isaku i Albcontrol,
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit të vitit 2023

VoxNews ka siguruar dokumentet e dy procedurave, që janë për mirëmbajtje sistemi, ndërkohë që në njoftimet e fituesve është emri i kompanisë si dhe adresa. Dyshohet se drejtuesit dhe ish-drejtuesit e këtij institucioni, janë përfshirë në këtë skandal, ku emri më i lakuar është i Dritan Isakut, administratorit të këtij institucioni.

Në tenderin e vitit 2023, ish-administratorja Laureta Omeri, kishte autorizuar Isakun për të firmosur tenderin. Një vit më vonë, Omeri u largua nga Albcontrol dhe vendin ia la Isakut. Ky i fundit vijoi që të firmosë procedura, ku firmosi sërish për “Leidos, Inc.”. A mos vallë Isaku është “financuar” në krye të kompanisë nga kjo firmë, ose nga njerëzit “në hije”?

Tenderi i parë që ka emrin e Dritan Isakut është i vitit 2023. Vetë Albcontrol shkruan se “sistemi më kompleks i ATM-së është Skyline, i cili është gjithashtu një nga sistemet tona më të rëndësishme për menaxhimin e trafikut gjatë rrugës, afrimit dhe të uljes në aeroporte”.

Në datën 9 maj 2023, firma ka shpallur fitues “firmën ‘Leidos, Inc.’, me nipt 95-3630868, me adresë 9737, Washingtonian Boulevard Gaithersburg, MD 20878, USA me përfaqësues ligjor z. Erik Arfin”.

Firma anonime nga SHBA merr 7.2 milionë euro nga Dritan Isaku i Albcontrol,Firma anonime nga SHBA merr 7.2 milionë euro nga Dritan Isaku i Albcontrol,Firma anonime nga SHBA merr 7.2 milionë euro nga Dritan Isaku i Albcontrol,
Adresa e Leidos, Inc. në Uashington

Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Shpenzime mirëmbajtje dhe upgrade për sistemet Skyline të instaluara”, me fond limit 522.720.000 lekë pa tvsh ose 4.5 milionë euro. Në vitin 2023, shkruhej se “kohëzgjatja e kontratës do të jetë 24 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës”. Ndërkohë që në këtë procedurë ka marrë pjesëvetëm kompania “Leidos, Inc.” me vlerë 505.686.000 lekë pa TVSH.

Firma anonime nga SHBA merr 7.2 milionë euro nga Dritan Isaku i Albcontrol,
Faksimile: Shpallja e fituesit të tenderit për ‘Skyline’ në vitin 2024

Megjithëse kohëzgjatja e kontratës së tenderit të parë ishte 24 muaj, Albcontrol shpalli një tjetër tender, me objekt “Zgjerimi dhe rikonfigurimi i sistemit aktual të operimit ATM (Skyline) për operimet Vlorë dhe hardware/konsolës”, me fond limit 274.116.500 lekë ose 2.726.442 euro pa TVSH.

Në këtë tender kohëzgjatja do të jetë 10 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës, teksa në procedurë kishte vetëm një ofertë, atë të “Leidos Inc.”, me çmim të ofertës 270.417.300 lekë. Edhe në këtë dokument, firmëtar është Dritan Isaku, që tashmë është bërë administrator i Albcontrol.

Në të dyja rastet, emri më lakuar është i Isakut, i cili ka marrë përsipër firmën dhe përgjegjësinë. Por, a bëri verifikime para se t’a shpallte fituese? Çfarë dokumentesh ka sjellë në Shqipëri kjo firmë? Dhe, a ka ekspertizë për të tilla sistemesh, pasi në vetëm dy procedura ka marrë plot 7.274.206 euro?!

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video