Një deputet merr 3 herë më shumë se rroga minimale vetëm dieta e shpenzime

18 April 2022, 19:02Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një deputet merr 3 herë më shumë se rroga minimale

Rroga minimale në Shqipëri është 32 mijë lek, por shqiptarët paguajnë mesatarisht një deputet vetëm për dieta, shpenzime e karburant rreth tre herë më shumë se paga minimale.

Publikimi i të dhënave të shpërblimeve që kanë përfituar pjesa dërrmuese e deputetëve të Kuvendit ka nxjerrë në pah një problematikë të madhe sa u takon shpenzimeve të deputetëve.

Sipas këtyre të dhënave për dieta, karburant e telefon deputetët kanë shpenzuar në muajin shkurt rreth 110 mijë euro, ose rreth 13 milionë lek. E pjesëtuar me 140, aq sa është numri i deputetëve në Kuvend për shkurtin mesatarisht një deputet u ka kushtuar qytetarëve 785 euro, ose rreth 90 mijë lek.

Këto janë përfitimet e deputetëve përveç pagës, e cila gjithashtu është më shumë se tre herë më e lartë se paga mesatare e qytetarëve.

Problematike tjetër nuk është vetëm pagesa, por edhe dyshimet nëse këto pagesa për karburant, apo shpenzime të tjera telefonike e dieta janë të arsyetuara dhe të justifikuara, që do të thotë nëse vërtet deputetët kanë udhëtuar, folur në telefon apo takuar kaq shumë e shpesh qytetarët sa t’i meritojnë këto para.

Artan Fuga ngre dyshime.

“Shikoni, shikoni! Po të konsiderojmë se hanë e pinë në një ditë me dietë 50.000 lekë, i bie që të kenë qendruar 15 ditë me shërbim gjatë muajit shkurt. Se në hotele e motele nuk kanë përse qendrojnë se Shqipëria një tabaka sipërfaqe është! Ku kanë vajt mor burrë? Kanë axhendë zyrtare se cilët zgjedhës kanë takuar, çfarë objektivi kanë pasur, cilën çështje kanë zgjidhur? Me çfarë vërtetojnë se kanë qenë me shërbim dhe jo për ngjala, për peshk, për femra, për gallatë, për qokë, koqe, etj. sikundër mund t'i akuzojë dikush?”, shkruan ai.

Fuga shton se Kuvendi po shërben si shembull nga ku marrin frymëzim edhe institucionet e tjera publike për të abuzuar me fondet. Ai nënkupton se abuzimi mund të jetë disavjeçar dhe kërkon transparencë nga Kuvendi.

“Pa të shohim edhe dietat e muajve të tjerë, po të viteve të tjera? Me çfarë dokumenti zyrtar i kanë vërtetuar shërbimet, shpenzimet? A i boton Kuvendi i Shqipërisë shpenzimet ekstra çdo muaj të deputetëve?”, shkruan Artan Fuga.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video