Biznesmeni Pëllumb Salillari vazhdon të shpërfillë, ligjet, vendimet e qeverisë e rregulloret e tjera në fuqi në mbrojtje të mjedisit duke hedhur kuturu e natën mbetjet inerte që pastron nga veprat ku ndërtohet.
Siç shihet në këto pamje të siguruara nga Voxnews.al, mjetet e rënda me logon dhe emrin e Salillarit pasi mbushen me inerte u drejtohen zonave të pabanuara, përrenjve e lumenjve për të hedhur dherat.
Hedhja e tyre natën është një sfidë e hapur ndaj objektivit të vendosur këtë mandat nga Edi Rama, për përforcim të mbrojtjes së mjedisit. Në shtator të vitit të shkuar, kur Edi Rama nisi mandatin e tretë si Kryeministër kishte si kryefjalë dhe objektiv kryesor: mjedisin. Në tetor, Rama mblodhi të gjithë kryebashkiakët, që janë po të partisë së tij dhe i paralajmëroi se do të humbisnin postin nëse nuk pastronin territorin që kanë nën administrim.
Ai parashtroi sanksione ndaj të pabindurve, nga moslëvrimi i fondeve e granteve, që për pjesën dërrmuese të bashkive janë burimi kryesor i të ardhurave, deri në marrjen e bashkive, ose çuarjen përpara prokurorisë të kryebashkiakëve, nëse këta të fundit nuk vendosin buxhetin e nevojshëm për pastrimin.
Një tjetër pikë ishte dhe sanksionet maksimale, nga gjobat e majme deri te pezullimi i lejeve ndaj çdo biznesi që menaxhon mbetje spitalore, apo kompani ndërtimi që nuk hedhin inertet në vendet e caktuara. Pas Kryeministrit ishte ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro që ngriti zërin dhe paralajmëroi masa drastike për abuzuesit.
Kjo është ajo që premtoi Qeveria Rama, por nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.
Realiteti flet krejt ndryshe dhe ligji e rregullat janë të barabarta vetëm në teori. Në praktikë, masat qeverisë për mbrojtjen e mjedisit duket se janë vetëm për qytetarët e thjesht, apo për bizneset e vogla. Oligarkët e mëdhenj, ata të cilët akuzohen përditë se po i marrin dhe pikën e fundit të gjakut njerëzve, siç është edhe Pëllumb Salillari, edhe te mbetjet duan të përfitojnë.
Rasti që Voxnews.al paraqet me video dhe foto, nuk është thjesht skandal, por është krim shumë i rëndë mjedisor dhe në këtë rast nuk mjafton vetëm vëmendja e Kryeministrit dhe e Qeverisë, por edhe e organeve ligjzbatuese, siç është Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, sepse nën hundën e tyre dhe në mes të Tiranës, po kryhet kjo vepër penale.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.