‘Non gratat’ amerikane, ‘non grata’ edhe nga Kuvendi? PS po diskuton mundësinë, ka edhe mbështetjen e Bashës

12 April 2022, 10:30Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
‘Non gratat’ amerikane, ‘non grata’ edhe nga Kuvendi? PS
Sali Berisha, Kuvend

Shpallja ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ligjërisht nuk pengon asnjë subjekt të politikës shqiptare që të emërohet, ose zgjidhet në institucionet e shtetit shqiptar.

Në të shkuarën ka raste kur deputetët janë dorëhequr nga mandati i deputetit pas dizenjimit ‘të papëlqyeshëm’ nga Uashingtoni, përveç njërit. Sali Berisha është i vetmi deputet në parlamentin shqiptar i shpallur publikisht non grata nga SHBA.

Statusi i të padëshiruarit familjarisht përtej Atlantikut, gjithsesi nuk është pengesë ligjore në vendin tonë që ai ta mbajë këtë mandat. Megjithatë, ka një diskutim që është nisur nga mazhoranca socialiste për të përjashtuar nga Kuvendi ligjvënësit e shpallur non grata nga SHBA.

Diskutimi thuhet se ka gjetur mbështetjen edhe nga Lulzim Basha dhe grupi i ngushtë i deputetëve të Partisë Demokratike që ende e mbështesin.

Janë dy ide që qarkullojnë. E para që të ndërhyhet në ligjin për dekriminalizimin dhe të parashikohet mes neneve që përjashtojnë nga e drejta për t’u zgjedhur edhe kategorinë e personave të shpallur non grata dhe e dyta që ndalimi të bëhet me një ligj të ri.

Debati tjetër është se sa thellë mund të shtrihet ndalimi dhe a duhet të përfshijë nga ndalimi edhe familjarët e të shpallurit ‘non grata’ nga SHBA? Ky debati nxitet nga fakti se vendime të tilla të Uashingtonit shoqërohen zakonisht me ndalimin e familjarëve të ngushtë të subjektit, si në rastin e Berishës.

Në këtë rast, në Shqipëri do të prekej direkt deputeti socialist, Orlando Rakipi, djali i Aqif Rakipit i shpallur publikisht ‘non grata’ nga Departamenti i Thesarit në SHBA ditën e hënë.

Burime të Voxnews.al konfirmojnë se diskutimet janë në fazë fillestare dhe në kuadrin e një projekt-ideje, pas të cilës besohet se qëndron edhe mbështetja e Ambasadës së SHBA, e cila ka parë në rastin e Sali Berishës t’i sfidohet vendimmarrja, jo vetëm në aspektin persona, por edhe në atë institucional, pasi ish-Kryeministri e ka përdorur foltoren e Kuvendit për të ‘pastruar’ veten nga damka amerikane.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video