
As Ministria e Shëndetësisë dhe as Instituti i Shëndetit Publik nuk kanë dhënë një shifër publike se sa qytetarë shqiptarë vuajnë sot pasojat e atij që njihet si Covidi i zgjatur.
Bëhet fjalë për kategorinë e personave që vuajnë nga pasojat direkte dhe indirekte pas kalimit të sëmundjes, pasoja të tilla si dëmtime të mushkërive, lodhje kronike, dëmtim të sistemit nervor dhe çrregullime psikike. Pasoja të tilla zgjasin 4-5 muaj, por edhe më shumë pas kalimit të infeksionit dhe po cilësohen nga ekspertët ndërkombëtarë si sindromi “post-COVID”, ose ‘’COVID i zgjatur”.
Por, të dhëna operative nga Instituti i Shëndetit Publik, sugjerojnë për një shifër alarmante rreth 20 mijë persona, që po vuajnë “Covid-in e zgjatur”.
Të dhënat e deritanishme nga Ministria tregojnë se pandemia COVID 19 pritet të rrisë barrën e të sëmurëve kronikë. Fibrozat në mushkëri post-COVID, përveçse janë një ngarkesë e re për sistemin, ulin në mënyrë të ndjeshme produktivitetin e jetës te personat e prekur. Përgjithësisht këta persona nuk përballojnë punë të rënda fizike dhe kanë nevojë për mjekime që zgjasin gjithë jetën, duke u shndërruar në barrë për shoqërinë dhe sistemin shëndetësor në afat të gjatë.
Sipas një raporti monitorimi të “Together for Life”, për periudhën janar-gusht 2021 në spitalet psikiatrike numri i pacientëve të shtruar është rritur 10,5 për qind në krahasim me vitin e kaluar dhe në rritjen e tyre ka kontribuuar pandemia e Covid dhe karantina e vendosur në muajt e parë të 2020-s.
Trajtimi i çrregullimeve të shëndetit mendor është një sfidë globale e shëndetit publik, e cila sa vjen e po merr përmasa më të mëdha. Këto çrregullime nga të dhënat statistikore rezultojnë se prekin më shumë pjesë të shoqërisë me status të ulët socio-ekonomik. Familjet me të ardhura të ulëta kanë barrën më të lartë të sëmundjeve të shëndetit mendor.
Çrregullimet e shëndetit mendor shoqërohen me vonesa në kërkimin e ndihmës mjekësore, vonesa në të kuptuarit e problemit dhe ulje të aksesit në shërbimet shëndetësore. Gjithashtu, diagnostikimi është më i vështirë për individët që kanë sëmundje të tjera kronike, ose akute dhe shfaqin probleme të shëndetit mendor .
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.