
Akuzat se të paktën 6 mijë shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk votuan dot në zgjedhjet serbe të së dielës nuk janë pa bazë. Pak ditë para se të mbahej procesi i votimit, fshirja e emrave të shqiptarëve nga listat u denoncua si proces që vazhdonte prej vitesh nga qeveria serbe.
Studimi i Flora Ferati Sachsenmaier, zbulon se si autoritetet serbe u fshijnë adresat shqiptarëve, duke i bërë ata praktikisht pa shtetësi, apo të pamundur për të marrë dokumentacion të ri, arsim dhe shërbim shëndetësor, madje nuk mund të regjistrojnë as të porsalindurit.
“Në 2015-n isha duke studiur në zonë dhe disa familje, aktivistë dhe politikanë më denoncuan fenomenin. Po na fshijnë – më thanë. Kjo shprehje më ngeli në mendje dhe u vura në lëvizje”, thotë ajo për EurActiv.
Flora Ferati thotë se nga të dhënat që mblodhi, në disa fshatra të Medvegjës spastrimi etnik i shqiptarëve ka qenë në agresiv në këtë formë.
“Në disa zona të kësaj komune popullsia shqiptare ka një rënie nga 40 deri në 71 për qind në regjistra, megjithëse ata vazhdojnë të jetojnë atje. Si shembull, në fshatin Sfricë ka rënie të votuesve shqiptarë me 71 për qind mes 2012 dhe 2019 dhe në Sijarinë me 70 për qind”, thotë ajo.
Sipas studimit, në këtë spastrim etnik që ul peshën elektorale të shqiptarëve, Serbia po përdor një vakuum ligjor. Ligji thotë se të gjithë votuesit duhet të konfirmohen nga punonjës të komisionit qendror zgjedhor. Ky i fundit kryen procesin e verifikimit nëpër adresa. Por, në rastin e shqiptarëve, këta vëzhgues megjithëse i gjejnë nëpër banesa dërgojnë të dhëna të rreme duke i raportuar si shtëpi bosh, pa banorë.
“Është me rëndësi që të theksojmë se Serbia po abuzon me këtë ligj. Çdo vend në Europë ka një ligj rezidence, por asnjë vend në europë nuk e përdor këtë ligj për të shënjestruar një grup të caktuar etnik si në rastin e Serbisë”, thotë Ferati.
Studiuesja deklaron se për të fshehur gjurmët, serbët nuk u japin asnjë dokument me shkrim shqiptarëve. “Sepse e dinë që po shkelin Kushtetutën”, tregon ajo.
Komiteti i Serb i Helsinkit e ka cilësuar këtë praktikë të Serbisë si “pastrim etnik administrativ”.