“Masakra e të pafajshmëve”, si i mbuluan gazetat mizoritë e Rusisë në Bucha

4 April 2022, 10:15Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Masakra e të pafajshmëve”, si i mbuluan gazetat

Zemërimi ndaj mizorive të kryera nga forcat ruse në qytetin ukrainas të Buchas dominojnë faqet e para të gazetave ndërkombëtare ditën e sotme, ndërsa politikanët në mbarë botën dënuan masakrën ndaj qindra civilëve.

Mirror shkruan shkurt "Gjenocid" dhe ka si nëntitull "Mizoritë e fundit të Putinit".

Gazeta citon Volodymyr Zelenskiyn, shoqëruar me një foto prekëse nga Bucha, afër kryeqytetit të Ukrainës, ku trupat e vdekur të civilëve u braktisën në rrugë.

Qindra civilë janë gjetur në varre masive, raporton ajo, dhe disa prej tyre janë gjetur të lidhur.

The Guardian ka në faqe të parë një foto nga qyteti i shkatërruar i Bucha, me titullin: "Tmerri në Bucha: Rusia akuzohet për torturë dhe masakër ndaj civilëve”.

Gazeta kërkon vendosjen e sanksioneve të mëtejshme dhe mbështetje ushtarake nga perëndimi.

The Times ka titull kryesor "Civilë të qëlluar në rrugë" dhe raporton se shumë viktima ishin lidhur në "stilin e ekzekutimit". Gazeta citon kreun e MI6, Richard Moore, të thotë se mënyra e vrasjeve ishte "e tmerrshme dhe rrëqethëse". Faqja e parë e gazetës përmban imazhe grafike.

 “FT” dhe “Telegraph” fokusohen në çështjen e sanksioneve. FT raporton mbi perspektivën e një embargoje të plotë të naftës dhe karburantit, duke cituar presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, i cili shprehet se pas masakrës së Buchës do të vendosen sanksione të tjera. Diplomatët e BE-së pritet të diskutojnë masat e mëtejshme të mërkurën, thotë ai.

Telegraph nuk sjell asnjë imazh të skenave në Ukrainë, por thotë se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj nuk do të pushojnë derisa Vladimir Putin të mbahet përgjegjës për krimet e luftës pas skenave në Bucha dhe gjithashtu në Irpin.

Daily Mail thotë se skenat në Ukrainë evokojnë tmerret e Luftës së Dytë Botërore, duke raportuar se vrasjet krahasohen me "mizoritë e nazistëve dhe Terrorin e Madh të Stalinit". Titulli është "Njolla e Putinit për njerëzimin".

Metro citon ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba me kryetitullin: "Më keq se ISIS". Ai thotë se imazhet nga Bucha ishin shumë të tmerrshme për t'u printuar dhe përfshin edhe përgjigjen e Kremlinit se vrasjet ishin "të inskenuara".

Daily Express citon zotimin e Boris Johnon se "Putin do të paguajë për krimet e neveritshme të luftës.

 


Video