
Tragjedia e 8 janarit dhe përleshjet e dhuna për kontrollin e selisë së Partisë Demokratike shpejt u transformua në një komedi, ku në letra partia nuk ka asnjë kryetar, por faktikisht ka tre të tillë.
Gallata për kontrollin e opozitës ka marrë të tjera përmasa prej një jave tashmë. Sali Berisha dhe grupi i tij i rithemelimit mori kontrollin e zyrës së shtypit dhe grupit të medias dhe menjëherë vendosi logon e re, të miratuar sipas statutit të 11 dhjetorit e nisi selektimi i shpërndarjes së informacionit, ku u lanë jashtë emrat mbështetës të Bashës.
Basha nga ana tjetër kontrollon ende faqen zyrtare të Partisë Demokratike, ku postimi i fundit është që më 18 mars, ndërsa në ballë të saj është slogani “Zgjedhim të ardhmen”, që Lulzim Basha e prezantoi pasi përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar.
Basha kontrollon gjithashtu edhe kanalin zyrtar në Youtube. Këtu postimi i fundit është para një jave, pikërisht dalja para mediave e Enkelejd Alibeajt, që e prezanton veten si kryetar i komanduar, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që regjistroi statutin e Berishës.
Edhe faqen në Facebook e kontrollojnë njerëzit e Bashës. Logoja, sloganet janë të pandryshuara dhe këtu demokratët “Zgjedhin të ardhmen”. Postimet këtu janë më të shpeshta, por më shumë se postime autentike dhe zë zyrtar i partisë, ato janë rishpërndarje nga postime e njerëzve të Bashës.
Për t’i vënë kapakun absurdit në PD mendon Lulzim Basha. I dorëhequr prej 21 marsit, ai e quan veten ende kryetar të Partisë Demokratike të paktën në Facebook dhe Twitter.
Pra, për ta kuptuar më mirë, Basha është kryetar i PD-së në rrjetet sociale, Enkelejd Alibeaj është kryetar i komanduar i saj (ec e merre vesh se kush e komandon) dhe Rithemelimi (kupto Sali Berisha) është kryetari i tretë.
Kush tha pastaj që nuk rrinë dy kaposhë në një kotec! Në PD po qëndrojnë tre!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.