
Kapitulli i përplasjeve se kush e kontrollon selinë duket se është mbyllur dhe tashmë faza e dytë e ‘luftës civile’ mes Rithemelimit dhe ‘bashistëve’ është zhvendosur në kontrollin e kanaleve zyrtare të komunikimit të Partisë Demokratike dhe në bazë.
Të dyja palët flasin për nevojën e bashkimit, shmangies së gjuhës përçarëse e urrejtjes dhe shkëputjen nga e shkuara. Kjo e fundit duket se i ndan. Nëse pjesa e Berishës flet për shkëputjen nga e shkuara e afërt (pra shkëputjen nga Basha), pjesa e Bashës flet për shkëputjen nga e shkuara e largët (pra Berisha).
Në Shkodër, me rastin e përkujtimit të katër dëshmorëve të 2 prillit në krah të Berishës u shfaqën edhe deputetë të njohur si mbështetës të Bashës, duke krijuar perceptimin se Berisha e mori edhe 100 për qind bazën.
Por, rezistenca ‘Basha’ po vazhdon. Në degët ku mbështetësit e tij kontrollojnë strukturat vendore ka nisur një proces konsultimi, që burime të Voxnews.al pohojnë se më shumë se sa konsultim, është një hap për t’u paraprirë zgjedhjeve të kryetarëve të degëve, që ka paralajmëruar Rithemelimi se do të mbahen brenda këtij muaji.
Një takim të tillë e ‘promovoi’ në rrjetet sociale deputeti i Durrësit Ferdinand Xhaferaj. Edhe ai flet për nevojën e shkëputjes nga e shkuara dhe thotë se mbështetësit e Rithemelimit nuk përfaqësojnë as 20 për qind të anëtarësisë.
“Plot të rinj demokratë si edhe kontribues ndër vite janë të qartë se mënyra e menaxhimit të procesit të “bashkimit” dhe zgjedhjet që po mbahen aktualisht nuk përfshijnë më shumë se 20 për qind të anëtarësisë. Pra, nuk është as një proces bashkues dhe as frymëzues”, shkruan ai.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.