Dhjetë humbje në karrierë, mbështetësit e Bashës i numërojnë Berishës disfatat elektorale

6 April 2022, 18:38Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dhjetë humbje në karrierë, mbështetësit e Bashës i

Kur nisi t’i minojë Lulzim Bashës ‘tokën nën këmbë’ me Foltoren nëpër bazë, Sali Berisha e quajti ish-kreun e Partisë Demokratike si ‘humbës kronik’ që duhej të largohej nga drejtimi i partisë.

Berisha i përmendte zgjedhjet e 2015-s, ato të 2017, e fajësoi për bojkotin e zgjedhjeve të 2019-s, (edhe pse në atë kohë vetë e bekoi këtë bojkot, madje pati akuza se ishte ndër nxitësit kryesorë të tij) për djegien e mandateve, ku gjithashtu roli i Berishës ka qenë protagonist dhe për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar.

“Basha është lider i thyer”, përsëriste shpesh Berisha, duke i numëruar humbjet, deri në momentin që arriti t’i marrë partinë.

Tani, janë njerëzit e Lulzim Bashës që po i përgjigjen Berishës me të njëjtën monedhë. Ata po shpërndajnë përmes portaleve që kontrollojnë dhe rrjeteve sociale dhjetë humbjet e Sali Berishës, që nga zgjedhje lokale të korrikut 1992, pak muaj pasi PD kishte fituar mazhorancën absolute në zgjedhjet e përgjithshme, deri te zgjedhjet parlamentare të 2013-s.

Madje, mes humbjeve mbështetësit e Bashës i numërojnë edhe zgjedhjet vendore të 2011-s, ku vetë Basha fitoi me manovra ekstraligjore të mbështetura nga Berisha përballë Edi Ramës për Bashkinë e Tiranës.

Në listën e humbjeve janë dy referendumet për Kushtetutën. Në të parin të mbajtur në 1994, shqiptarët rrëzuan projektin e Berishës, që akuzohej se me këtë Kushtetuta e shpallte veten mbret, ndërsa në të dytin, katër vite më vonë qytetarët votuan Kushtetutën, edhe pse Berisha bëri thirrje që të votohej kundër.

Berishës i faturohet më tej humbja në 1997, ajo në 2001 dhe ajo në zgjedhjet lokale të 2000, 2007 dhe 2011.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video