Pas aktiviteteve në hoteleri, ujë, porte, aeroporte, rrugë e tregun e hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë, biznesmeni Shefqet Kastrati është futur edhe në tregun mediatik.
Shefqet Kastrati do të jetë zyrtarisht investitori kryesor i kompanisë mediatike “Euronews Albania”, pasi ka blerë 60 për qind të aksioneve të kompanisë, të cilat i përkisnin biznesmenit Theodori Çami.
Për Shefqet Kastratin është folur prej disa vitesh për ambicien e tij për t’u futur në tregun e medias, madje edhe me zëra që flisnin për blerjen e mundshme të aksioneve shumicë prej tij të një televizioni kombëtar.
Por, kjo është hera e parë që njeriu më i pasur në Shqipëri dhe i përfshirë në disa koncesione e tendera miliona-euroshe të një rëndësie strategjike e kombëtare diversifikon bizneset e veta, duke siguruar shumicën e aksioneve në një televizion të profilit informativ.
Si ortak shumicë, pas kësaj blerjeje ai do të ketë në dorë vendimmarrjen për televizionin, që në këtë pjesë u shtohet rrjetit të mbi 10 kompanive që janë tashmë në grupin “Kastrati”, që nga kompani ndërtimi, koncesionesh, hidrokarburesh e deri te kompani shërbimesh.
Burime për Vox News bëjnë me dije se televizioni do të qëndrojë sipas standardeve të markës së Euronews Europian.
Sipas bilanceve të dorëzuara në QKR, nga gjitha kompanitë e Kastratit, tre janë më fitimprurëset. Kompania Tirana International Airport, që menaxhon aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit, “Albanian Highëay Concession”, që ka vendosur traun në Rrugën e Kombit dhe që sipas kontratës e ka të garantuar nga shteti fitimin e munguar dhe Kastrati, përmes të cilës Shefqet Kastrati përfiton mbi 50 mln euro në vit vetëm nga tenderat e karburanteve që fiton nga institucionet shtetërore.
Kastrati zotëron gjithashtu koncesionin e Porto Romanos dhe portin ushtarak të Sarandës, të parin të përfituar me ligj, të dytin përmes një VKM-je. Të gjitha këto koncesione e bëjnë praktikisht Shefqet Kastratin të pranishëm në çdo qelizë të ekonomisë shqiptare dhe në një pjesë të mirë të kontratave me fitime të garantuara nga qeveria. Kjo është arsyeja se përse në 2019-n, Kastrati Group u rendit si kompania me fitimprurëse në vend.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.