
Fjalimi i gjatë i Edi Ramës në Kongresin e Partisë Socialiste ishte i mbushur me mesazhe, për bashkëpunëtorët, kundërshtarët, ndërkombëtarët, por edhe për drejtësinë e re, e sidomos strukturën antikorrupsion të saj.
Kryesocialist e kreu i qeverisë prej 2016-s ka shmangur të komentojë mbi punën e drejtësisë së dalë nga reforma që u votua gjashtë vite më parë. Prej 2019-s ka shmangur punën e SPAK dhe ka dalë me deklarata duke e inkurajuar atë që të hetojë.
Por, në këtë kongres gjërat ndryshuan. Rama i kërkoi indirekt llogari strukturës së udhëhequr nga Arben Kraja se pse nuk ka nisur hetimet për Sali Berishën mbi bazën e akuzave për korrupsion madhor dhe minim të drejtësisë, mbi të cilat e ka shpallur non grata SHBA.
“Burgoset një grua për një kile peshk dhe është që SPAK vihet natyrshëm në lëvizje dhe nga një deklaratë partie, kuptohet deklaratë e partive të tjera, jo e jona, për këdo zyrtarë të lartë, akoma nuk është vënë në lëvizje nga deklarata më e rëndë që është bërë zyrtarisht më 30 vite nga aleati më i madh i Shqipërisë, jo për një njeri po për krejt Shqipërinë, sepse ai ka drejtuar Shqipërinë. SPAK ka detyrim qe e tejkalon shtetasin e ndaluar familjarisht që të hyjë në SHBA, se ajo deklaratë nuk mund të rrijë aty, ose ka bazë, ose jo”, tha Rama.
Në këtë rast, kritika e Ramës shkon drejtpërdrejt për drejtuesin e SPAK, Arben Krajën, si personi që mes të tjerave ka në dorë edhe udhëzimin e prokurorëve për të hapur hetimet, sidomos për rastin e Berishës, ku akuzat janë gati dhe ngritur nga përtej Atlantiku.
Kjo është hera e parë që Rama i drejtohet SPAK-ut me një kërkesë konkrete. Në të shkuarën këtë e kanë bërë vartësit e tij në parti e qeveri, duke i kërkuar Prokurorisë së Posaçme që të hetojë aferën CEZ, privatizimin e Partizanit dhe çështjen Gërdeci.
Në fakt, ka një perceptim për gatishmërinë e SPAK për të nisur hetimet sa herë që denoncimet kanë mbërritur nga opozita, ndërsa mban në pluhurin e sirtarëve dosjet shumëvjeçare që ka trashëguar nga ish-Krimet e Rënda.
Në çdo dalje publike, aktivitete e prezantime raportesh për punën që prokurorisë që drejton, Arben Kraja deklaron se kjo strukturë nuk njeh bindjen e kahjet politike të personave nën hetim, por vetëm ligjin dhe objektivin që i ka caktuar ligji në kuadër të reformës në drejtësi; luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta.
Por, puna e deritanishme lënë sado pak shijen e hidhur se në këtë rast, me apo pa dashje SPAK është shndërruar në një mekanizëm që po i shërben hakmarrjes së LSI-së dhe po ndëshkon emrat që u prishën me Ilir Metën, të paktën në çështjen e inceneratorëve.
Dosjet e trashëguara që po flenë janë disa, që nga ato me kosto financiare, deri te ato me humbje njerëzore, si CEZ-DIA, HEC-et, 21 Janari, Gërdeci, Kompleksi Partizani, Fabrika e boronicave, markimi i karburanteve dhe privatizimet e koncesionet e tjera që janë dhënë ndër vite, ku dy prej tyre janë shndërruar në një barrë sot edhe në çmimin e naftës.
Të gjitha këto na çojnë të dyshimet e arsyeshme se Prokuroria e Posaçme, po vepron me dy standarde; një për qytetarët dhe bizneset pa pushtet dhe tjetra për të zyrtarët, ish-zyrtarët dhe të pushtetshmit.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.