Në bazë të listëpagesave të bëra publike nga Kuvendi, në muajin shkurt rezulton që vetëm për karburant deputetët të kenë përfituar një shumë prej 4 443 348 lekë ose 40 mijë euro.
Shifrën prej 40 mijë eurosh vetëm për karburantin e kanë përfituar të gjithë ligjvënësit, 124 të zgjedhur. Ajo që bie në sy është se asnjë deputet nuk e ka refuzuar këtë pagesë.
Ata që kanë përfituar më shumë ose pagesën maksimale prej 40 mijë lekësh janë ata që përfaqësojnë edhe qarqet më të largëta. Në krye të listës qëndrojnë deputetët e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës, të cilët kanë një kosto më të lartë për buxhetin e shtetit.
Një nga zërat për të cilat është paguar më shumë në muajin shkurt është edhe dieta e deputetëve. Gjatë këtij muaji, janë shpenzuar 50 mijë euro ose 6 272 177 lekë vetëm për dietat për 117 ligjvënësit, pasi 10 prej tyre e kanë refuzuar këtë lloj pagese.
Pjesa më e madhe e deputetëve, 97 kanë përfituar të njëjtën shifër, 75 250 lekë. Pjesë e kësaj liste janë edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, apo kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, që kanë përfituar shifrën 75 250 lekë.
13 deputetë kanë përfituar shifrën e njëjtë prej 37 625 lekë dhe 3 deputetë kanë përfituar 39 506 lekë. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka përfituar në muajin shkurt 54 895 lekë dieta, ndërsa dy nënkryetarët, respektivisht Ermonela Felaj 45 026 lekë dhe Agron Gjekmarkaj 75 250 lekë dieta. Një nga përfitimet e përmuajshme të deputetëve është edhe pagesa e komunikimeve në telefon.
Në bazë të listëpagesave të Kuvendit, rezulton se për muajin shkurt 124 deputetët kanë përfituar 2 135 000 lekë ose rreth 20 mijë euro shpenzime për telefonin e tyre.
Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë një kërkesë publike Kuvendit të Shqipërisë që të mos përfitojë asnjë dietë deri në fund të mandatit si deputet. Deputeti i PD Berisha shprehet se lëvizjet jashtë qarkut të Tiranës do i përballojë me të ardhurat e tij.
Postimi i Berishës:
Njoftim! Sot nga mediat mesova se ne llogarine time bankare parlamenti ka derdhur per muajin shkurt dieta per mua si dhe per 93 deputete te tjere shumen prej 75250 leke dieta.
Lidhur me sa me siper deklaroj sa vijon:
1-Une nuk kam patur asnje dijeni per keto dieta.
2- I kerkoj parlamentit ti terheqi ato nga llogaria ime bankare ku i ka derdhur.
3-Une jam deputet i Qarkut te Tiranes dhe si tille nuk do pranoj asnje diete deri ne fund te mandatit.
Levizjet e mia jashte Qarkut te Tirane do ti perballoje me te ardhurat e mia. Sb