Bujar Spahiu është rizgjedhur në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar mes protestave të një pjesë të myftinjëve dhe një grupi besimtarësh, që e akuzojnë atë si ‘gylenist’.
Zgjedhjet në KMSH u zhvilluan këtë të shtunë, ndërkohë që një grup besimtarësh protestonin jashtë ndërtesës së Medresesë së Tiranës, ku do të përcaktohej kreu i ri i komunitetit. Në përfundim, Bujar Spahiu mori 82 vota nga 92 anëtarë të kryesisë që morën pjesë në votim. Protestuesit akuzuan drejtuesit aktualë si gylenist dhe pjesëtarë të grupit FETO, që në Turqi janë shpallur terroristë, por jo në Shqipëri.
Pastrimi i Komunitetit Mysliman Shqiptar nga ata që Turqia i quan ‘terroristë gylenistë’ është një kërkesë e hershme e Presidentit turk, Recep Taip Erdogan. Madje, kjo kërkesë është vendosur, ndonëse jo zyrtarisht edhe si kusht për hapjen e xhamisë së Namazgjasë.
Punimet e saj nisën në maj të vitit 2015 gjatë një vizite në Shqipëri të Erdogan. Në ceremoninë e nisjes së tyre, ai shoqërohej nga Presidenti i ndjerë i Shqipërisë, Bujar Nishani, por jo nga kreu i KMSh-së, Skënder Bruçaj.
Në atë periudhë Erdogan e kishte shpallur ‘armik’ Fetullah Gylenin dhe organizatat e tij dhe kërkoi nga Shqipëria që të dëbojë institucionet arsimore e shëndetësore të lidhura me të. Një vit më vonë, më 15 korrik të 2016-s ndodhi grushti i dështuar i shtetit për të cilin Erdogan fajëson Gylenin.
Sipas Erdogan, Komuniteti Mysliman Shqiptar është i kapur prej gylenistëve, të paktën që prej drejtimit të Skënder Bruçajt, paraardhësit të Bujar Spahiut. Në 2019-ën, Skënder Bruçaj u tërhoq nga rikandidimi për kreun e KMSH-së. Në një intervistë televizive pas këtij vendimi, ai krahasoi sulmet publike ndaj gylenistëve me ‘gulagët’ e regjimit komunist.
Pas grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016-të, Erdogan e kushtëzoi de facto hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, një investim i Komunitetit Mysliman turk me largimin e gylenistëve nga KMSH.
Xhamia, fillimisht duhej të hapej në 2019-n, afati u shty pa arsye për në 2021 ndërsa aktualisht, ndonëse punimet kanë përfunduar hapja e saj mbetet ende peng i kushteve të vendosura prej Erdogan, kushte që ja përsëriti Edi Ramës edhe në vizitën e fundit të tij në Ankara.
©Copyright VoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.