21 janari nuk u shpall krim shtetëror, siç premtoi Rama

27 Shkurt 2024, 18:48Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama gjate homazheve per 21 Janarin

Krimet e 21 janarit 2011, as u shpallën përgjegjësi shtetërore dhe as u rihetuan, siç premtoi kryeministri Rama. Gjykata e Strasburgut prej vitit 2017 është shprehur tri herë se Shqipëria duhet të përmbushë detyrimin për rihapjen e hetimeve. Deri më sot në Shqipëri ka një vendim të kontestuar të 2013-s që shpalli fajtor për vrasje nga pakujdesia dy zyrtarë të Gardës ndaj Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, ndërsa vrasja e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës ka mbetur e pazbardhur dhe pa autor. Shpresa për të vënë në lëvizje drejtësinë e vonuar, sipas avokatit Dorian Matlija, janë institucionet ndërkombëtare të drejtësisë dhe këmbëngulja e familjeve të 4 viktimave të 21 janarit. 

Anila Hoxha – Faktoje.al

“Rëndësi sot ka të njohim përgjegjësinë për krimin shtetëror të 21 janarit, ne jemi të vendosur ta njohim de juro edhe në Strasburg, për t’i dhënë mundësi rihapjes së çështjes“- deklaronte në 21 janar 2017 kryeministri Rama para familjarëve të Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, të gjithë viktima në protestën e mbajtur para kryeministrisë 21 janarin e 2011-s, protestë e thirrur nga socialistët që ishin në opozitë asaj kohe.

21 janari nuk u shpall krim shtetëror, siç premtoi Rama

“Do hapim hetimet e 21 janarit” marrëveshja kontroverse e qeverisë

Kërkesa për drejtësinë e munguar të ngjarjeve të 21 janarit 2011, mbërriti në dyert e Gjykatës së Strasburgut 6 vite pas ngjarjes tragjike, kur familjarët e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës të zhgënjyer nga procesi në Shqipëri, paditën shtetin shqiptar në GJEDNJ.

Në procesin e Strasburgut qeveria, e përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit u ofroi një marrëveshje familjeve të viktimave, dëmshpërblim financiar dhe premtimin për të rihapur hetimet. Këto dy angazhime, të shndërruara në detyrim për Shqipërinë gjykata e Strasburgut i shkruajti e zeza mbi të bardhë: “Qeveria ndërmerr të rihapë procedimet penale vendëse në këtë çështje për të përfshirë të afërmit e viktimës në këto procedime. Qeveria është e përgatitur të paguajë kompensim të drejtë për: Ana Veizi, EUR 39,000 (tridhjetë e nëntë mijë euro) Klajdi Veizi, EUR 39,000; Zabit Deda, EUR 15,600; Çaush Veizi, EUR 15,600” thuhet ndër të tjera në vendim.

Por nëse qeveria përmbushi detyrimin financiar të marrëveshjes së shpallur në procesin e Strasburgut në 2017-n, ajo nuk ia doli të rihapte hetimet për ngjarjen. Megjithatë sërish qeveria përdori të njëjtën ‘kartë’ me familjarët e viktimave të tjera të 21 janarit në një tjetër përballje në Strasburg në 2019-n.

“Pika e dytë, riçelja e hetimit, nuk u bë kurrë. Avokatura e Shtetit, e cila mori përsipër detyrimin, nuk veproi

Më 05.03.2019, i njëjti tekst marrëveshjeje u bë me familjarët e Faik Myrtajt, si dhe me disa familjarë të tjerë të Hekuran Dedës dhe Ziver Veizit.

Edhe kjo marrëveshje përmbante detyrimin për të rihapur çështjen, por nuk u bë kurrë” – konfirmon Matlija. Duke këmbëngulur se marrëveshja e qeverisë shqiptare nga Gjykata e Strasburgut është një detyrim ende i papërmbushur, avokati sjell në vëmendje vendimin e fundit të shpallur prej saj në nëntor 2023 pas padisë së depozituar nga familja e Aleks Nikës.

“Në rastin e çështjes Nika kundër Shqipërisë, më 14.11.2023 u vendos që ka pasur shkelje, si në aspektin thelbësor (që shteti nuk u kujdes për ruajtjen e jetës dhe madje vrasja ishte shtetërore), ashtu edhe shkelje e procedurës, sepse hetimi nuk përfundoi kurrë dhe askush nuk u gjykua për vrasjen e Aleks Nikës” shton avokati.

Vendimet e kontestuara për “21 janarin“

Të vetmit persona të shpallur fajtorë për vrasjet e 21 janarit janë ish kreu i Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe zyrtari tjetër Agim Llupo.

Më 7 shkurt 2013 Gjykata e Tiranës i dënoi ata për 3 akuza: 1-“Vrasje me dashje te kryer ne menyre te rrezikshme per jeten e shume personave” me pasoje vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj si dhe plagosjen e disa shtetasve te tjere.

2-“ Vrasje me dashje te kryer ne rrethana te tjera cilesuese, e kryer kunder dy ose me shume personave”, me pasoje vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald Bisha,Sokrat Gode.

3-“ Veprime qe pengojne zbulimin e se vertetes” Por prokuroria e Tiranës e Apeloi vendimin dhe në shtator 2013 gjykata e Apelit lehtësoi pozitat e dy zyrtarëve të Gardës, duke i dënuar për vrasje nga pakujdesia.

Si përfundim, Ish komandanti i Gardës u dënua me një 1 vit burgim për vrasjen e Faik Myrtajt, kurse Agim Llupo u dënua me 3 vjet burgim për vrasjen e Ziver Veizit. Vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës mbetet deri më sot e pazbardhur dhe pa autor. Mungesa e provave linte pa autor vrasjen e këtyre dy personave dhe plagosjen e 6 të tjerëve, sipas arsyetimit të Gjykatës së Apelit në vendimin e vitit 2013.

“Akuza ka pretenduar se provohet që i pandehuri Agim Llupo ka qëlluar edhe të ndjerin Hekuran Deda dhe disa shtetas të tjerë që janë plagosur, ndonëse nuk është gjetur predha që ka shkaktuar vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda dhe as predhat që kanë shkaktuar plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Erald Bisha, Sokrat Gode, Artes Dybeli, Ilia Qesko, Ilia Papa dhe Aleks (Aleksandër) Nika, i cili më pas ka gjetur vdekjen. Gjetja e këtyre predhave do të bënte të mundur kryerjen e ekspertimit për të përcaktuar se nga cilat armë ishte kryer qitja, gjë që do të provonte lidhjen shkakësore të drejtpërdrejtë, tej çdo dyshimi të arsyeshëm.”- shkruan Gjykata e Apelit, duke shtuar dyshimet se shumë gjëra kishin ndodhur në bulevard dhe jo vetëm, pas demonstratës me fund dramatik.

Nga burime konfidenciale në prokurorinë e Tiranës mësuam se është kërkuar ndihmë nga ekspertë të huaj për identifikimin e një predhe të gjetur në trupin e  36 vjeçarit Aleks Nika gjatë një ndërhyrjeje të specializuar në Turqi, pasi u qëllua në 21 janar 2011, ndërhyrje që gjithsesi nuk arriti ta shpëtojë.

Megjithatë në përgjigjen zyrtare të prokurorisë së Tiranës, nuk përmenden detaje të tilla për shkak të sekretit hetimor, por konfirmohet rinisja e hetimeve për vrasjen e Nikës. “Në datën 02.04.2021, është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve hetimore me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika, si dhe Hekuran Deda, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.100, të shpallur në dt.07.02.2013, ka vendosur deklarimin të pafajshëm të pandehurit A. Ll., për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave”, me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda.”- thekson prokuroria e Tiranës. 

Rifillimi i hetimeve të “21 janarit” në pikën 0

Kur kanë kaluar 13 vjet nga tragjedia e 21 janarit, rezultatet për zbardhjen e dosjes janë zhgënjyese. Dy prej vrasjeve, ajo e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës kanë mbetur të pazbardhura, ndërsa kontestimet kanë qenë të vazhdueshme nga familjarët e të 4 viktimave të ngjarjes tragjike, në përvjetoret e të cilave qeveria është zotuar të rihapë çështjen, paçka se kjo është një punë e drejtësisë dhe jo e ekzekutivit. 

“Ne nuk kemi kërkuar drejtësi nga qeveria, ne kemi kërkuar drejtësi nga drejtësia! Vijnë vendosin lule, e ndjejnë mbase dhimbjen tonë, jo si ne, por vijnë. Por po të shkosh më tej, me sa e njoh unë drejtësinë deri tani është zvarritur.”-thotë për Faktoje Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës.

Të afërmit e viktimave të 21 janarit dorëzuan një kallëzim në SPAK vitin e kaluar ku kërkuan hetimin e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, respektivisht kryeministër dhe ministër i Brendshëm në kohën ndodhi ngjarja. Familjarët kërkojnë rihetim edhe për ish komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe ish Gardistin Agim Llupo. SPAK ia delegoi dosjen prokurorisë së Tiranës me argumentin se ajo i kishte kompetencat. Por familjarët e viktimave të 21 janarit refuzojnë, me argumentin se prokuroria e Tiranës është e kompromentuar në lidhje me këtë çështje. Ndaj i janë drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë me shpresën që ajo t‘u japë të drejtë dhe çështja të hetohet nga SPAK.

“Për mua prokuroria e Tiranës ka hetuar me tendencë, ka patur ndikime politike, prokurorë dhe gjyqtarë. Këtë e tregon fakti që dërguam rekurs dhe nga gushti 2023 deri tani është zvarritur, pavarësisht se ne jemi konsultuar me juristë dhe na kanë thënë se çështja jonë është e drejtë. Sikur Gjykata e Lartë mos ta pranojë, sikur të ndodhë e kundërta, ne do kërkojmë krijimin e një grupi të posaçëm në Prokurorinë e Përgjithshme, sepse e Tiranës e mban zvarrë. Jo se është e paaftë, por duket që ka pengesa”- argumenton Mark Nika.

Ida Vodica, shefe e marrëdhënieve me publikun shpjegon për Faktoje se Gjykata e Lartë e ka caktuar shqyrtimin e rekursit në dhomë këshillimi më 27 shkurt. 

Përfundim

Angazhimi i qeverisë për rihapjen e hetimeve për vrasjet e 21 janarit të 2011 para kryeministrisë mund t’ia ketë shërbyer propagandës, por aspak dhënies së drejtësisë jo vetëm për familjet e viktimave dhe të plagosurve, por edhe kundrejt opinionit  publik që pret që sistemi i drejtësisë të bëjë detyrën. Ndaj, këtë premtim të qeverisë do ta kategorizojmë të pambajtur.

Vetë avokati i familjarëve të viktimave të 21 janarit, Dorian Matlija thekson se nëse ka ndonjë shans që drejtësia shqiptare të veprojë, kjo do të ndodhë vetëm me presionin e institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë.

“Në rast se vendimet nuk zbatohen, familjarët duhet të vënë në dijeni Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili është organi që mbikëqyr zbatimin e vendimeve. Për dy rastet e para, në rast të moszbatimit të marrëveshjes, ekziston mundësia që ata t’i drejtohen përsëri Gjykatës së Strasburgut që të dalë me një vendim të ngjashëm me atë të rastit Nika kundër Shqipërisë”, thotë Matlia. 

Video