Skandali në Komisariatin Nr.6, policia refuzon të kryejë detyrën; E mitura largohet nga Shqipëria pa lejen e së ëmës

18 Shkurt 2024, 09:27Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Godina e Komisariatit nr.6 në Tiranë

Policia e Elbasanit u detyrua që të korrigjojë vetveten dhe të njoftonte nga procedimi në gjendje të lirë në arrestimin e një 40-vjeçari në Elbasan me akuzën e goditjes për shkak të detyrës. Korrigjimi ndodhi katër ditë me vonesë dhe vetëm pasi rasti u bë publik në media.

Por, ky nuk është rasti i vetëm kur neglizhenca, paaftësia apo edhe korrupsioni në radhët e uniformave blu cenojnë zbatimin e ligjit dhe kërcënojnë të shndërrohen në drama e tragjedi sociale.

Një dramë e tillë është rasti i 41-vjeçares me inicialet Xh.Lika., nënë e një vajze, 12 vjeç dhe një djali 14 vjeç. Ajo është në proces divorci me bashkëshortin e saj, E. Lika., 44 vjeç që prej vitit 2020. Për kujdestarinë e fëmijëve nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare dhe që të dy fëmijët pas ndarjes së prindërve zgjodhën të jetojnë me të emën e tyre.

Kjo deri në datën 5 shkurt të këtij viti. Në këtë datë, E. Lika paraqitet në shkollën e dy fëmijëve, ‘Andrea Stefani’ në Tiranë, para se të fillonte mësimi. Ai takon vajzën, 12 vjeç, që më pas përmes shantazhit, kërcënimit e mashtrimit e merr në makinë. Fillimisht i ka thënë se do të pinin një kafe.

Por, më pas sipas denoncimit të mamasë së vajzës ai e ka prezantuar 12-vjeçaren me avokatin e vet, ndërsa në të njëjtën kohë kishte ndërmarrë edhe veprimet proceduriale për t’i nxjerrë asaj një pasaportë të re, edhe pse vajza e kishte një pasaportë shqiptare të vlefshme që posedohej nga e ëma e saj.

41-vjeçarja Xh.Lika u vu në dijeni më 5 shkurt nga mësuesja kujdestare e vajzës se ajo nuk ishte paraqitur në mësim. Pas interesimit të saj, më pas djali 14-vjeçar e njofton se vajza ishte larguar me makinë me të atin e saj.

Shqetësimi, siç thotë ajo, nuk ishte takimi i vajzës me babain e saj, pasi këtë s’e ka ndaluar asnjëherë. Shqetësim ishte frika se nën kërcënim e shantazh, ai mund ta merrte me vete në Itali, ku jeton. 41-vjeçarja e bazon këtë shqetësim në faktin se në nëntor të vitit të kaluar, ka qenë vetë vajza që e ka telefonuar dhe e ka njoftuar se në shkollë i ishte paraqitur babai dhe se kishte frikë se mos e merrte me forcë.

Për këtë arsye, ajo u paraqit në datat 6, 7 dhe 8 shkurt në Komisariatin Nr.6 në Tiranë për të kallëzuar rrëmbimin e vajzës së saj. Pasi u shpjegoi të gjithë rrjedhën e ngjarjeve kërkoi nga punonjësja përgjegjëse e policisë në këtë komisariat, Malbora Gorica, që të niste procedurat dhe nxirrte një njoftim në pikat dalëse kufitare që vajza e saj të mos largohej nga vendi pa autorizimin e së ëmës.

41-vjeçarja thotë se ishte e gatshme ta jepte këtë autorizim nëse kjo do të ishte zgjedhja e vajzës dhe gjëja e vetme që kërkonte ishte që të mund ta takonte para se të largohej dhe të bindej se largimi me të atin ishte vërtet zgjedhje me vullnet të lirë e vajzës së saj 12-vjeçare dhe jo produkt i shantazhit, kërcënimit apo mashtrimit të të atit.

Por, kallëzimi i saj në polici u shpërfill, u zvarrit, u përbuz dhe u neglizhua. Më 8 shkurt, punonjësja e policisë, Malbora Gorica thotë se dosjen ja ka referuar komisariatit numër 3 në Tiranë, duke qenë se ka kompetencën lëndore të çështjes.

41-vjeçarja Xh. Lika paraqitet në po të njëjtën datë në këtë komisariat për t’u informuar në lidhje me kallëzimin e kryer. Por, punonjësit e komisariatit numër 3 i thonë se nuk kishin marrë asnjë dosje-kallëzim nga komisariati numër 6 në lidhje me rastin e saj.

Policia nuk e mori përsipër dhe më datë 9 shkurt, pasi kishte shpallur të humbur pasaportën ekzistuese të vajzës së tij duke i nxjerrë një të re me procedura të përshpejtuara, shtetasi E. Lika largohet bashkë me të në Itali.

Pika e daljes ka qenë nga Aeroporti i Rinasit, ku E. Lika ka kaluar bashkë me vajzën e tij pa asnjë problematikë, edhe pse pa miratimin e së ëmës së saj. Në lidhje me rastin, shtetësja Xh. Lika thotë se ka dorëzuar në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore një denoncim për shpërdorim detyre për punonjësit e policisë së komisariatit numër 6 në Tiranë dhe një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës ndaj bashkëshortit të saj dhe punonjëses së Policisë së Shtetit, Malbora Gorica.

©Copyright VoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Video