16 shkurti shënon 5 vite të një prej protestave më të mëdha të organizuar nga Partia Demokratike, gjatë drejtimit të Lulzim Bashës.
Asokohe Partia Demokratike dhe aleatët në opozitë, do të shpreheshin se kjo protestë do të ishte pikënisja e një ‘kryengritje’ deri në rrëzimin e qeverisë.
Protesta që shënoi disa incidente, ku qytetarët arritën të kalonin kordonin e policisë dhe të ngjiteshin tek dera e kryeministrisë, ambientet brenda të cilës ishin të mbushura nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët do të hidhnin drejt protestuesve gazlotsjellës e spraj piperi. Protestuesit do të tentonin disa herë të hynin brenda kryeministrisë, xhamat e derës së të cilës i kishin thyer, por e kishin të pamundur. Me flakë e tym do të karakterizohej protesta e 5 viteve më parë, por që nuk do të arrinte të rrëzonte qeverinë. Ajo që ra atëherë ishte kërpudha në oborrin e Kryeministrisë. Edi Rama e ironizoi aksionin opozitar në atë kohë dhe ringriti sërish kërpudhën, këtë herë edhe më të madhe.
Pesë vite më vonë, kërpudha është ende atje dhe Edi Rama ende në pushtet, madje edhe me konfirmimin e freskët të Antony Blinken si një udhëheqës i shkëlqyer. Pesë vite më vonë, opozita thërret sërish një protestë kombëtare në ditën e rënies së shtatores së diktatorit Enver Hoxha.
Protesta është thirrur me Berishën në arrest shtëpie, Bashën që kundërshton protestat, aleatët të përçarë dhe…vulën ende në kërkim të të zotit.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.