Pse Admir Abrija u bë ‘kokë turku’ për të shpëtuar Ulsi Manjën!

14 Shkurt 2024, 12:15Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ulsi Manja/ Admir Abrija

Mes vendimeve dhe aksioneve të para që Ulsi Manja ndërmori në Ministrinë e Drejtësisë, sapo mori drejtimin e saj, ishte ngritja e një njësie të ashtuquajtur korrupsion.

Më pas, inspektorët e kësaj njësie iu turrën zyrave të Kadastrës, atyre të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit e të tjera agjencive e institucioneve gjoja në emër të luftës anti-korrupsion.

Por, në emër të luftës antikorrupsion, kjo u akuzua se u përdor si kamzhik që Ulsi Manja të emëronte e punësonte në institucionet jo në varësi njerëzit e tij, ndërsa akuza pati edhe për gjobëvënie nga ana e këtyre inspektorëve, që shpesh flisnin në emër të ministrit.

Të njëjtën sistem gjobëvëniesh, shantazhi e presioni ndaj punonjësve e ngriti edhe në ministrinë e tij, ku një prej mjeteve të përdorura ishte Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Inspektorët e këtij shërbimi iu vërsulën drejtorisë dhe administratës së burgjeve duke tejkaluar kompetencat.

Inspektorë të SHKB-së, sipas ligjit mbi të cilin veprojnë vihen në lëvizje vetëm në raste konkrete denoncimi, apo indicie për shkelje që mund t’i vijnë nga sistemi penitenciar, të dënuar, apo qytetarë që janë në dijeni të shkeljeve të pretenduara.

Por, sipas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e Voxnews.al që në korrik të 2022, me porosi të ministrit Ulsi Manja Shërbimi i Kontrollit në Burgje mori në atë kohë kompetencat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke kontrolluar funksionimin e institucionit, ushtruar kontrolle nëpër burgje për oraret, hyrje daljet, planizimin e shërbimeve, lirimet me kusht, uljet e dënimit, masat disiplinore, shpenzimet e karburanteve, mjetet e policisë së burgjeve, kamerat e sigurisë, pagesat e punonjësve e deri te punësimi i të dënuarve.

Zyrtarisht u tha se kontrollet synonin vendosjen e rregullit, apo verifikimin e zbatimit të ligjit. Jozyrtarisht Ulsi Manja në atë kohë de facto mori kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, që në atë kohë ishte po Admir Abrija.

Qëllimi ishte shantazhi i hapur ndaj punonjësve nga niveli drejtues deri tea ta më të thjesht që të dorëhiqeshin, që Manja të punësonte militant dhe njerëz me lidhje nepotike e klienteliste.

Në një pjesë të madhe ky objektiv u arrit. Njerëz me një karrierë të gjatë në sistemin e burgjeve, specialistë dhe profesionistë u dorëhoqën, u larguan përfundimisht nga sistemi, apo u ulën në detyra më të rëndomta brenda këtij sistemi.

Pasojat e këtyre ndërhyrjeve të ministrit Manja, nëse në rastin e njësisë antikorrupsion nuk janë të dukshme, të paktën për publikun, në rastin e sistemit të burgjeve u shpërfaqën më së miri më 15 dhjetor të vitit të kaluar, kur Sokol Mjacaj qëlloi për vdekje Arben Lleshin brenda burgut të Peqinit, pikërisht në ditën që Ulsi Manja vetë njoftoi se Mjacaj do të izolohej në regjimin e ashpër 41-Bis.

Këto janë të gjitha arsyet se Admir Abrija është ‘kokë turku’ e Ulsi Manjës dhe ai që duhej të ishte dorëhequr fill pas ekzekutimit mafioz në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit duhet të ishte vetë ministri i Drejtësisë.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video