Dosja Becchetti/ Hetimet e ish-prokurores Antoneta Sevdari i shkaktuan qindra miliona euro Shqipërisë në Arbitrazh

10 Shkurt 2024, 18:14Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Francesco Becchetti dhe Antoneta Sevdari

Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të mblidhet në dhomë këshillimi në datë 19 shkurt për të diskutuar për herë të parë mundësinë që të bëjë prapakthehu në një vendim të dhënë në kuadër të procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Mbledhja është njoftuar pas një vendimi të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, që tha se në rastin e ish-prokurores Antoneta Sevdari, masa e shkarkimit të saj nga ana e KPA-së nuk justifikohej me shkeljet e gjetura ndaj ish-prokurores.

Me këtë vendim të Strasburgut në favor të saj, ish-prokurorja Sevdari kërkon nga Kolegji i Posaçëm që të rikthehet në detyrë. Por, a mund të mjaftojë një vendim i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për të zhbërë një vendim të vettingut?

Vetë gjykata saktëson në vendimin e dhënë në rastin e Sevdarit se ky kazus asesi nuk mund të rrëzojë të gjithë procesin e verifikimit të integritetit, pasurisë dhe profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që ka nisur në Shqipëri pas miratimit të reformës në drejtësi në vitin 2016.

Arsyeja se përse Strasburgu e thekson këtë në vendimin e dhënë lidhet me këndvështrimin e kësaj gjykate për çështjet që shqyrton. Strasburgu nuk merret me themelin e çështjes, por si shembull, në rastin e ish-prokurores Sevdari ka verifikuar nëse asaj i janë respektuar të drejtat e njeriut të parashikuara nga Konventa Europiane, që Shqipëria ka ratifikuar, apo jo?

Kjo do të thotë se Gjykata e Strasburgut nuk është marrë as me deklaratat e pasurisë, as me integritetin dhe as me profesionalizmin e ish-prokurores Antoneta Sevdari. Në lidhje me profesionalizmin e saj, të paktën një dosje e bujshme që ka kaluar në duar gjatë kohës që ishte prokurore ngre disa pikëpyetje.

Bëhet fjalë për dosjen e hetuar prej saj me akuzat e falsifikimit të dokumentave, pastrimit të parave dhe evazionit fiskal të ngritura ndaj Francesco Becchettit. Pikërisht hetimi i Sevdarit është përdorur nga ana e biznesmenit italian si argument e provë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Bankës Botërore në Uashington për të ndëshkuar Shqipërinë me mbi 110 milionë euro gjobë.

Arbitrazhi thotë në vendimin përfundimtar ku gjobit Shqipërinë se prokuroria shqiptare dështoi që të bindte Interpolin me prova që të justifikonin akuzat e ngritura ndaj Becchettit dhe kërkesën për urdhër-arrest ndërkombëtar.

Vendimi thotë se pas lëshimit të menjëhershëm të një sërë urdhër sekuestrosh, Prokuroria u dërgoi gjithashtu një sërë letrash me urdhër qeverive të huaja duke kërkuar ndihmë në hetimin penal. Autoritetet italiane u përgjigjën duke kërkuar që kërkesat e Prokurorisë të jenë më specifike, në kohë, persona, dokumenta dhe një listë të institucioneve bankare në të cilat këto dokumente do të kërkohen, kërkesë që nuk u plotësua nga pala shqiptare.

Të dy këto raste sugjerojnë se ka pasur një hetim të dobët dhe se provat e mbledhura gjatë hetimit nga ana e prokurores Antoneta Sevdari nuk arritën që të bindnin partnerët ndërkombëtarë për legjitimimin e akuzave të ngritura ndaj Becchettit.

Por, veç mangësive në hetim dosja e arbitrazhit vëren edhe shkelje proceduriale, mes të cilave refuzimi i prokurorisë për të marrë në pyetje Francesco Becchettin dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tij që ishin nën akuzë, apo edhe refuzimi për t’i dorëzuar një kopje të urdhër-arrestit, që në praktikën hetimore ndërkombëtare përbëjnë shkelje të të drejtave themelore të të akuzuarit dhe të së drejtës së tij për një proces të drejtë dhe të paanshëm.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video