Intervista nga Lugano/ Ahmetaj përgatit dosjen për azil, do akuzojë Ramën e Veliajn si pronarë të inceneratorëve

31 January 2024, 14:41Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Intervista nga Lugano/ Ahmetaj përgatit dosjen për azil, do
Gazetari Clirim Peka duke intervistuar ish-zv,kryeministrin Arben Ahmetaj ne arrati

Djegia e mandatit të deputetit ka hequr çdo pengesë ligjore për arrestimin e Arben Ahmetaj, marrë nën akuzë nga SPAK për dosjen e inceneratorëve. Pa imunitetin e të zgjedhurit, por në arrati prej drejtësisë, ish-ministri i Financave, ish-ministri i Rindërtimit dhe ish-zv.Kryeministri ka nisur përpjekjet për mbushjen e dosjes së azilit politik.

Për ta realizuar këtë, Arben Ahmetajt i nevojiten edhe dalje publike. Një e tillë është realizuar për të enjten në mbrëmje në Syri TV me Çim Pekën.

Por, çfarë pritet nga kjo intervistë?

Siç paralajmëron edhe vetë gazetari, Arben Ahmetaj do të heqë përgjegjësinë e vendimmarrjes për koncesionet e inceneratorëve.

Për ta bërë këtë Arben Ahmetajt i duhet të gjejë, apo të shpikë fajtorë të koncesioneve, ashtu siç është përpjekur që ta bëjë gjithë këtë kohë edhe me ndihmën e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilëve në këmbim dyshohet se u dorëzoi dosjen e inceneratorëve.

Por, ku t’i shpikë fajtorët e të hedhë akuzat Arben Ahmetaj, në një kohë që në dosjen e SPAK akuzohet si ideatori i këtyre koncesioneve? Ku ta shesë ish-zv.Kryeministri përgjegjësinë morale e penale për këto koncesione në një kohë që dosja e SPAK provon se si përfaqësuesit e tij në këto koncesione dirigjonin procedurat jashtëligjore?

Ai duhet të hedhë sytë ose nga ish-eprorët, ose nga drejtuesit e institucioneve të tjera të pavarura. Dy emra, Arben Ahmetaj duket se i ka gjetur. Ish-ministri i Financave pritet që së pari të akuzojë Edi Ramën për dosjen e inceneratorëve dhe pas tij edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Në intervistë do të thotë se janë ata të dy pronarët real të inceneratorëve.

Gjate intervistës me gazetarin Peka do të kemi dhe momente trishtuese pasi Ahmetaj do të përlotet disa herë si një njeri që po përndiqet padrejtësisht nga politika, drejtësia dhe biznesmenë.

Kulmin e deklaratave dhe që mendon se do i shërbejë më shumë si faktor azili është akuza që bën ndaj kryebashkiakut Veliaj, kur mes të tjerave thotë se e ka kërcënuar me jetën e vajzave.

Kjo është rruga dhe alibia e dobët e zgjedhur nga Arben Ahmetaj, që përmes intervistës me Çim Pekën më shumë se pafajësinë nga akuzat kërkon marrjen e azilit politik me gjasë në Zvicër. Intervista e ish numrit dy të qeverisë është zhvilluar në Lugano të Zvicrës.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video