![](https://cdnimpuls.com/voxnews.al/media3/-102-60-678eb078c6323-1737499238.jpeg)
Antony Blinken ishte i gjashti nga Sekretarët Amerikanë të Shtetit që vizitojnë vendin tonë gjatë kohës që janë në detyrë.
I pari që theu edhe akullin gjysmëshekullor të marrëdhënieve mes dy vendeve ishte James Baker në qershor të vitit 1991. Në atë kohë vendi ziente nga protesta kundër komunizmit dhe mbi 200 mijë shqiptarë të etur për liri e demokraci e pritën në sheshin Skënderbej.
‘Liria funksionon, ecni drejt saj’, ishte mesazhi i Sekretarit në atë kohë.
9 muaj më vonë, më 22 mars të vitit 1992 u mbajtën zgjedhjet e parakohshme, që vulosën ardhjen e demokracisë.
Por, rruga përpara nuk ishte fushë me lule. Zgjedhjet e vitit 1996 u kritikuan nga SHBA dhe futën në një kurs përplasjeje Sali Berishën, në atë kohë President me Ambasadoren e SHBA në Tiranë në atë kohë, Marisa Lino.
Gati një dekadë më vonë, më 18 shkurt të vitit 2000, në Shqipëri mbërriti Madleine Albright, që së bashku me Presidentin Bill Clinton ishin zërat kryesorë pro ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Një vit më vonë, në 2001 Shqipëria mbajti zgjedhjet parlamentare. Në maj të vitit 2003, në Tiranë mbërrin Sekretari Collin Powell, që falenderoi Shqipërinë për bërjen pjesë e koalicionit pro ndërhyrjes ushtarake në Irak. Zgjedhjet në Shqipëri u mbajtën në 2005.
Më 1 nëntor të 2012, në Shqipëri ndalonte për një vizitë njëditore Sekretarja Hillary Clinton, ndërsa në 2013 zgjedhjet e radhës parlamentare.
Vizita e saj pasohet nga ajo e Sekretarit John Kerry në vitin 2016-të dhe në 2017-të shqiptarët votuan për parlamentin e ri. I fundit në listë që respekton këtë traditë është Antony Blinken, që u ndal në Tiranë një ditë më parë, ndërsa zgjedhjet parlamentare mbahen vitin e ardhshëm.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.