“Rrezikoj avokatinë”! Si e rrëzoi Strasburgu pretendimin e ish-prokurores Antoneta Sevdari

18 Shkurt 2024, 15:39Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Antoneta Sevdari

Pas largimit nga detyra, ish-prokurorja dhe ish-anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Antoneta Sevdari iu drejtua Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ku e fitoi procesin me shtetin, pasi u konsiderua se ishin shkelur procedurat vetëm për shkarkimin e saj.

Shkarkimi nga detyra bazohej në thelb në faktin se, ajo nuk ishte në gjendje dhe e kishte të pamundur të provonte se, bashkëshorti i saj ka paguar taksat në një pjesë të fitimeve të tij nga aktivitetet private në dy dekadat e shkuara. Prandaj, Gjykata e Strasburgut rekomandoi rihapjen e procesit për kryerjen e një hetimi më të thelluar dhe rishikimin e vendimit të KPA-së vetëm për shkarkimin e saj.

Megjithatë, kjo çështje i përkiste vetëm një nga kërkesave që është ngritur përpara kësaj Gjykate nga ana e ish-prokurores Zj. Sevdari, pasi në kërkesa të tjera, jo vetëm që Gjykata e Strasburgut nuk i ka pranuar, por rezulton që janë dhënë deklarime të rreme nga ana e ish-prokurores pasi është mbështetur në fakte të pavërteta duke qenë e vetëdijshëm që ato ishin të tilla.

Në Kërkesën drejtuar Gjykatës së Strasburgut ish-prokurorja Antoneta Sevdari ka pretenduar se nuk e kishte pasur të mundur dhe ndalohej që të ushtronte profesionin si “Avokate” pas përfundimit të procesit të rivlerësimit. Ky pretendimi rezultoi jo i vërtetë dhe është provuar e kundërta, pasi rezultoi që faktikisht, ish-prokurorja pas shkarkimit nga detyra menjëherë ka nisur të ushtrojë profesionin si “Avokate” dhe madje, ajo është prezantuar edhe në publikun e gjerë, në mediat shqiptare si e tillë për shumë çështje të klientëve të saj.

GJEDNJ-ja ka vlerësuar se, parashtrimi i informacioneve të paplota, dhe për pasojë mashtruese, mund të shkaktojnë shpërdorim të së drejtës për të bërë një kërkesë përpara kësaj Gjykate dhe ish-prokurorja është përpjekur të pretendojë dhe të fitojë mbi një argument të tillë mashtrues kundër shtetit shqiptar. Pas shqyrtimit të dosjes së çështjes, GJEDNJ ka shtuar se, parashtrimet e kërkueses mund të kishin qenë më të qarta për sa ka të bëjë me faktin se në praktikë, ajo kishte filluar të punonte si avokate shumë shpejt pas shkarkimit të saj si prokurore, prandaj ankesa e saj ishte përfundimisht e pavend.

Rasti i mësipërm nuk është rasti i vetëm, ku ish-prokurorja kërkon “sekuestrimin” e shumave të mëdha ndaj shtetit shqiptar. Madje, rastet e kaluara janë bënë realitet! Ishte pikërisht, rasti i “bujshëm” i sipërmarrësit italian Francesco Beçhetti, ish-pronar i platformës televizive italo-shqiptare Agon, ndaj të cilit ish-prokurorja Antoneta Sevdari lëshoi urdhër arresti dhe pafund kërkesash sekuestrimi, pavarësisht se dosja penale ishte e paplotë dhe në mungesë të konsiderueshme dokumentacionesh dhe faktesh të paprovuara, të cilat i kushtuan shtetit shqiptar dhe taksapaguesve të saj, mbi 120 milionë euro gjobë përfshirë dëmet, kostot dhe interesa të maturuara.

Edhe Arbitrazhi në vendimin e tij për shqyrtimin e kërkesës së ngritur nga ana e sipërmarrësit italian kundër shtetit shqiptar ka mbështetur fuqimisht përfundimin se hetimi kishte të meta të konsiderueshme në bazën faktike për pretendimet që mbështesnin këtë hetim penal nga ish-prokurorja Antoneta Sevdari. Kur u thirr nga INTERPOL për të justifikuar akuzat që mbështetnin urdhër-arrestet, Shqipëria dështoi ta bëjë këtë. Pra, këto paralajmërime nisën që gjatë hetimit penal, pa filluar procesi i Arbitrazhit që do i kushtonte shtetit Shqiptar miliona euro. Ish-prokurorja ishte e vetëdijshme dhe ishte paralajmëruar nga INTERPOL dhe autoritetet italiane se hetimi penal ishte i mangët, e megjithatë mangësitë dhe shkeljet e rënda të procedurave të hetimit u përshkallëzuan më tej, duke shkaktuar një “borxh” të madh miliona eurosh këtij vendi.

Këto shkelje të rënda e sidomos kërkesat e sekuestrimit të lëshuara nga ana e ish-prokurores së çështjes Antoneta Sevdari u kthyen në “boomerang”. Sipërmarrësi italian Francesco Beçhetti, ka njoftuar së fundmi vendimin e tij të sekuestrimit të të gjitha shumave “deri në afërsisht 135 milionë euro”, ndaj shtetit shqiptar. Për këtë marrëzi dhe për këtë procedim të mangët, shqiptarët duhet të paguajnë këto miliona euro pa asnjë faj.

E sikur të mos mjaftonte një borxh i tillë, përsëri ish-prokuroja Sevdari u përpoq “t’ia hidhte” përpara GJEDNJ-së duke mashtruar në kërkesën e saj se, shteti shqiptar e ndalonte të ushtronte profesionin e Avokatisë pas shkarkimit nga detyra si prokurore. Një pretendim i tillë do të ishte një shkelje shumë e rëndë nga shtetit shqiptar ndaj detyrimeve ndërkombëtare që duhet të zbatojë, ç’ka do e rrezikonte për “borxhe” të tjera marramendëse. Fatmirësisht, ky pretendim u hetua dhe u provua nga GJEDNJ që ishte i pavërtetë dhe një argument mashtrues kundër shtetit shqiptar.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video