"Besimi te shkencëtarët", studimi i shtrirë në 67 vende e rendit Shqipërinë të fundit. Cilat janë arsyet 

21 Shkurt 2024, 20:37Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustruese

Besimi te shkenca dhe shkencëtarët ishte në qendër të një studimi të afro 240 kërkuesve shkencorë nga vende të ndryshme të botës. Shqipëria në këtë renditet e fundit krah Bolivisë dhe Kazakistanit për besimin te shkencëtarët. Kërkuesja për Shqipërinë Ani Bajrami i tha Zërit të Amerikës, se shkaqet lidhen me mangësitë në komunikimin e shkencëtarëve me publikun si dhe pjesëmarrjen e tyre të ulët në hartimin e politikave të ndryshme në vend me ndikim në jetën shoqërore. Qytetarët në këtë studim janë shprehur se do të donin një ndikim më të madh të shkencëtarëve për uljen e varfërisë dhe përmirësimin e cilësisë së shëndetit.

Në një studim të drejtuar nga dy profesorë Dr. Viktoria Kologna dhe Dr. Niels G. Mede përkatësisht nga Universiteti i Harvardit dhe Zyrihut për besimin e publikut te shkenca dhe shkencëtarët, Shqipëria renditet e fundit për besimin tek shkencëtarët. Studimi u shtri në 67 vende të botës, dhe analizoi përgjigjet e afro 71 mijë e 500 individëve, ku me 1 pikë është vlerësimi më i ulët dhe 5 më i larti. Në rang botëror besimi te shkencëtarët rezulton sipas këtij studimi 3.62.

Shqipëria renditet krah Bolivisë dhe Kazakistanit për besimin e ulët te shkencëtarët. Nivelin më të lartë e kanë Egjipti dhe India.

Mes 239 kërkuesve shkencorë të këtij studimi ishin dhe Ani Bajrami dhe Renata Tokrri nga Shqipëria. Ato i mbështetën rezultatet për Shqipërinë bazuar në të dhënat që u morën nga një grup prej afro 340 individësh të kategorive dhe niveleve të ndryshme arsimore dhe moshore. Mbledhja e të dhënave për Shqipërinë u financua nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Për Zërin e Amerikës Ani Bajrami, pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Universitetin e Tiranës, duke analizuar gjetjet e këtij studimi për Shqipërinë, nënvizon arsyet e besimit të ulët të qytetarëve shqiptarë te shkenca dhe shkencëtarët.

“Nga shpjegimet që mundëm të jepnim në artikull, shkencëtarët në Shqipëri, nuk realizojnë dy hallka të rëndësishme në procesin shkencor, komunikimin me publikun mbi rezultatet shkencore dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në politikbërje”, u shpreh Ani Bajrami pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT.

Pas rezultateve të studimit kërkuesit e çdo vendi përpunojnë në mënyrë të pavarur shkaqet e renditjes së vendeve të tyre. Për këtë arsye aktualisht nuk ka të dhëna se përse Egjipti dhe India renditen të parat për shkallën e lartë të besimit te shkencëtarët.

Në komentet rreth studimit kërkuesja shkencore Ani Bajrami veçon rrezikun që sjell kundërvënia e njerëzve ndaj shkencës.

“Këtu sjell si shembull rastin e mosbesimit ndaj vaksinës antiCovid -19 në pandemi apo ndaj ndryshimeve klimaterike. Ky antagonizëm me shkencën bën që jeta e individit të rrezikohet”, vijoi Ani Bajrami pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT.

Studimi mbi shkallën e besimit te shkenca dhe shkencëtarët, si në nivel botëror ashtu dhe në rastin e Shqipërisë, vë në dukje se qytetarët në shumicë dërrmuese do donin një pjesëmarrje aktive të shkencëtarëve për çështje që i shqetësojnë.

“Qytetarët shqiptarë e dëshirojnë një pjesëmarrje aktive të shkencëtarëve, sidomos në ato çështje që i shqetësojnë siç janë reduktimi i varfërisë dhe përmirësimi i cilësisë së shëndetit”, u shpreh Ani Bajrami pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT.

Një tjetër aspekt i studimit lidhet me faktin se qytetarët nuk dëshirojnë në shumicë që shkencëtarët të kenë ndikim në teknologjinë ushtarake. Kjo mund të shpjegohet me aktualitetin e luftërave në botë dhe pasojat dramatike në popullatë.

Artikulli për nivelin e besimit të publikut te shkenca dhe shkencëtarët, janë botuar në databazë-n e artikujve shkencorë ende të pabotuar, dhe në muajin maj, të dhënat e plota pritet të botohen në revistën shkencore Nature Scientific Data.

Mbështetur në studim, sipas kërkuesve shkencorë lajmi i mirë për të ardhmen është që në rang global besimi te shkencëtarët është mbi 50%./VOA

Video