
Robert Hasa
“Rifillimi i marrëzisë” ose ndryshe “bastet sportive on-line”, u votuan me datë 15 Shkurt në Kuvendin e Shqipërisë me 72 vota PRO dhe dy abstenim.
Në Kuvendin e Shqipërisë, në korrik të vitit 2023, u depozitua ligji për rikthimin e lojërave të fatit online, me argumentin se bastet online e ushtronin aktivitetin e tyre në të zezë duke shtuar informalitetin pas mbylljes së tyre në 2018-ën, ndërsa buxheti i shtetit humbiste miliona euro.
Si do vendosen bastet on-line sipas projektligjit të votuar nga Kuvendi?
Baste sportive “on-line” do vendosen në faqe interneti, aplikacione ose platformë elektronike të dedikuar, të autorizuar dhe të monitorueshme të subjekteve të licencuara, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, për ngjarjet sportive ose/dhe lojërat sportive të cilat do të ndodhin në të ardhmen dhe që nuk përfshijnë garat e pistave.
Mund të luhet dhe në faqet zyrtare të internetit, aplikacionet e subjekteve të licencuara për ushtrimin e aktivitetit “baste sportive on-line”.
Reklamat në mediat online dhe në televizione
Publiciteti lejohet të kryhet nga organizatorët e lojërave të fatit të licencuara në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj:
a) në median elektronike;
b) në faqet on-line të autorizuara të këtyre subjekteve;
c) nëpërmjet vendosjes së materialeve vizuale në vende publike shprehimisht të përcaktuara në këtë ligj.
Publiciteti lejohet të kryhet edhe në median audiovizive nga organizatorët e lojërave të fatit “baste sportive on-line”, “bingo televizive” dhe “lotari kombëtare”.
Publiciteti lejohet të kryhet nga organizatorët e lojërave të fatit të kategorisë “kazino”, “kazino të vendosura në hotele me pesë yje” dhe 4 “resort kazino” edhe në ambientet e porteve dhe aeroporteve, sipas kushteve të parashikuara në rregulloren përkatëse, të miratuar nga Komisioni i Licencave.
Në rastet e lejuara për publicitetin e aktivitetit të lojërave të fatit, organizatorët e lojërave të fatit kanë të drejtë ta kryejnë atë vetë ose nëpërmjet kontraktorëve,
Kush do ti marrë licensat e basteve on-line dhe kriteret që duhet të përmbushë?
Çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas ose të huaj, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Baste sportive online”, duhet të përmbushë kriteret minimale, si më poshtë vijon:
a) Të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati në kategorinë “Baste sportive on-line”.
b) Shuma e kapitalit të jetë jo më pak se 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e ulët për të tërë periudhën e vlefshmërisë së licencës.
c) Të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë për kategorinë “Baste sportive on-line”.
ç) Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet.
d) Subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 000 000 000 (dy miliardë) lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit si dhe të ketë kapacitetet e duhura administruese, organizative dhe besueshmërinë e duhur për t’u angazhuar me sukses në aktivitete të tilla.
dh) Të paraqesë kufizimet për ndryshimet e pronësisë së aksioneve për të licencuarit, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.
e) Të disponojë marrëveshjen me subjektin e autorizuar për përdorimin e programeve/sistemeve/website-eve/aplikacioneve të nevojshme për të kryer aktivitetin e basteve sportive on-line.
Çfarë është Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojerave të Fatit
Mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e subjekteve, që organizojnë lojëra fati, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin për këtë veprimtari dhe aktet nënligjore në fuqi.
Vendos masën e gjobës në rastet kur vëren shkelje të dispozitave të këtij ligji.
Kontrollon dhe verifikon nëse mjetet e lojërave të fatit janë të çertifikuara nga trupa të akredituar, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj. Çertifikon pajisjet e basteve, sipas specifikimeve teknike, të përcaktuara me udhëzim të Ministrit të Financave.
Mbikëqyr dhe kontrollon subjektet e pajisura me autorizim nga Ministri i Financave, për luajtjen e lojërave promocionale të fatit.
Mban regjistrin për subjektet, që ushtrojnë këtë veprimtari dhe të sallave të hapura prej tyre, në të gjithë territorin e vendit, për numrin e automatevepajisjeve për çdo sallë loje dhe karakteristikat specifike të tyre, numrin e punonjësve dhe kualifikimin përkatës të tyre, numrin e biletave të lotarisë kombëtare të hedhura në treg dhe ato të shitura, numrin e shorteve të hedhura nga organizatori i lotarisë kombëtare dhe organizatorët e bingos televizive.
Kontrollon dhe verifikon të ardhurat dhe fitimin e subjekteve të liçencuara në lojërat e fatit, si dhe shlyerjen e detyrimeve tatimore prej tyre, të rakorduara në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe degët e saj në rrethe.
Njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të gjitha të dhënat, që kanë lidhje me tatim-taksat.
Inspektorët e AMLF-së vendosin gjobë, bllokojnë veprimtarinë dhe sekuestrojnë pajisjet e lojërave të fatit, kur një person fizik apo juridik e zhvillon veprimtarinë në fushën e lojërave të fatit në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji ose pa liçencën përkatëse, të lëshuar nga autoriteti i autorizuar për dhënien e saj.
Si do merren licencat dhe sa do të lejohen?
Në pr/ligjin e ri licenca e ofrimit të basteve online do të jetë e kufizuar, në të gjithë vendin nuk do të jepen më shumë se 10 licenca.
Subjekti aplikues ose, të paktën, njëri prej aksionarëve të tij të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet.
Gjithashtu duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 000 000 000 (dy miliardë) lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit.
Gjithashtu duhet të jetë shoqëri aksionere me seli në territorin e Shqipërisë dhe të jetë i regjistruar në QKB, në objektin e veprimtarisë për lojëra fati në kategorinë “Baste sportive on-line”.
Reklamat e kazinove të hoteleve me 5 yje dhe në porte e aeroporte
Po kështu publiciteti lejohet të kryhet nga organizatorët e lojërave të fatit të kategorisë “kazino”, “kazino të vendosura në hotele me pesë yje” dhe “resort kazino” edhe në ambientet e porteve dhe aeroporteve, sipas kushteve të parashikuara në rregulloren përkatëse, të miratuar nga Komisioni i Licencave.
Lejohen tabelat orientuese drejt kazinove në hotele me 5 yje ose report kazino
Po kështu lejohet vendosja e materialeve vizuale, shenjave apo tabelave orientuese nga ana e organizatorit të lojërave të fatit të kategorisë “kazino”, “kazino të vendosura në hotele me pesë yje” dhe “resort kazino”, vetëm në hyrjen qendrore në kazino.
Në çdo rast, tabela mund të përmbajë vetëm emrin apo brand-in e kazinosë dhe shigjetën drejtuese të orientuar drejt hyrjes së kazinosë.
Risqet që mbart hapja e basteve on-line sipas ekspertëve të ekonomisë
Zef Preçi: Në risqet që unë mendoj që i ka tashmë ligji dhe gjithkush mund t’i shohë janë shkalla shumë e ulët e përfitueshmërisë së sektorit publik.
Nëse 100 lekë që qarkullojnë në këtë treg vetëm disa qindarka përfundojnë në Buxhet. Atëherë lind një pikëpyetje e madhe mbi raportet ndërkombëtare të dekadës së fundit që e konsiderojnë këtë sektor si një nga më të rëndësishmit për aktivitetet e pastrimit të parave që vijnë nga aktivitet e krimit të organizuar, korrupsionit, drogërave etj.
Mbartja e fuqisë vendimmarrëse për monitorim, licencim tek një trup ad hoc dhe shmangia e monopolit shtetëror mbi këtë aktivitet lë shteg për klientelizëm, favorizim, korrupsion, pra për të vazhduar të njëjtat fenomene si përpara mbylljes.
Arben Malaj: Unë vlerësoj procesin pasi kemi gati pesë vite që ky aktivitet ka qenë informal. E dimë që tregu informal nuk është mbyllur dhe më shumë para kriminale kanë mbetur jashtë formalizimit të tregut. Kështu që një ditë e më parë duhet formalizuar dhe ne marrim disa të ardhura të rëndëishme që përdoren për edukimin e lojtarëve, mbështetjen e sporti dhe kulturës.
Përzgjedhja e kompanive nuk do të jetë e lehtë. Nuk përjashtohen edhe ndërhyrjet nga ata që kanë pasur bastet më parë. Shumë e rëndësishme është që kompania që do të zgjidhet për të monitoruar këto biznese.
Kjo duhet një kompani shumë serioze dhe me përgjegjësi të madhe, ndërsa format e bashkëpunimit mund të jenë të ndryshme.
Kujtojmë se lotot sportive në vendin tonë u mbyllën më 1 janar 2019 por ato online në mënyrë të paligjshme kanë vijuar.
©Copyright VoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.